Ndërlidhjet

VOX

Studentët i gëzohen uljes së çmimit për semestër


Fakulteti Filologjik, Prishtinë

Fakulteti Filologjik, Prishtinë

Vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e pagesës për 50 për qind të semestrit për mbi 53 mijë studentet të nivelit bachelor dhe master, në të gjitha universitet publike në Kosovë, është lajm i mirë dhe lehtësim për vazhdimin e studimeve.

Kështu thonë disa studentë të Universitet Publik të Prishtinës, “ Hasan Prishtina” për rubrikën e përjavshme “ VOX” të Radios Evropa e Lirë, duke shtuar se për obligimet financiare për studime varen nga prindërit e tyre.

Deri më tani studentët e nivelit bachelor kanë paguar semestrin 50 euro apo 100 euro në vit, ndërkaq ata të nivelit master 300 euro, apo 600 euro në vit.

Kurse, edhe studentët, të cilët banojnë në konviktet e Qendrës Studentore dhe ushqehen në mensë, do të kenë ulje të pagesës për 50 për qind.

Ibadete Ibrahimi, studente në Fakultetin Juridik, është nga Dragashi. Ajo i është gëzuar vendimit të Qeverisë pasi do ta ketë më lehtë për të kërkuar një vlerë më të vogël të parave nga prindërit.

“Financohem nga babai, vetë nuk punoj. Normalisht se është më mirë dhe është më lehtë për ne për të kërkuar më pak para nga prindërit, sepse edhe ata nuk e kanë lehtë të fitojnë para”, thotë Ibadetja.

Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe pagat aktuale në vend, çmimi për semestër ka qenë i shtrenjtë, thotë Shqipërim Gashi, nga komuna e Rahovecit, student në Fakultetin Ekonomik.

“Semestri ia vlen të jetë më lirë, sepse ka numër të madh të studentëve. Pastaj, Kosova është pothuajse në krizë. Unë varem nga prindërit dhe është më lehtë, dhe kam më shumë mundësi që t’i blej librat e nevojshëm për fakultet”, konsideron Shqipërimi.

Blend Rexhepi nga Podujeva studion Agro-Ekonominë. Ai banon në njërin nga konviktet në Qendrën Studentore në Prishtinë. Blendi e konsideron të arsyeshëm çmimin prej 35 eurosh, që tashme do të paguajë për banim dhe ushqim.

“Po mirë është bërë, përderisa e dimë siç janë kushtet ekonomike në Kosovë, sa më lirë, është aq më mirë. Çmimi tashmë është i arsyeshëm, 35 euro për konvikt dhe mensë nuk janë shumë. Ne kemi edhe obligime të tjera”, thotë Blendi.

Qendra Studentore në Prishtinë ka rreth 3500 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim, si dhe hapësirat për lexim, studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.

Çmimi ka qenë 70 euro në muaj, 40 euro banimi dhe 30 euro ushqimi, ndërkaq pas vendimit, çmimi zbret në 35 euro.

Vendimit për uljen e çmimit të semestrit, konviktit dhe mensës më se shumti duket se i është gëzuar Imran Selimi, pasi përveç tij, në Universitetin e Prishtinës, studiojnë edhe dy motra dhe që tre varen nga familja.

“Shumë, shumë super. Nuk e kam pritur një gjë të tillë. Jemi tre anëtarë të familjes në fakultet. I kam edhe dy motra dhe është shumë vështirë, por mirë se ka ndryshuar”, shprehet Imrani.

Berinda Zekolli, është absolvente në Fakultetin e Makinerisë. Ajo edhe pse tashmë ka përfunduar të gjitha obligimet financiare, e konsideron vendim të duhur uljen e çmimit:

“Normalisht se është më lehtë dhe është shumë më mirë. Edhe pse unë jam absolvente dhe nuk kam më obligime, kam paguar semestrin dhe të gjitha pagesat, por mendoj se për të tjetërët është shumë mirë”.

Ndërkaq, Albulena Çuni, absolvente në Fakultetin e Mjekësisë, banon në konvikt në Qendrën Studentore, dyshon se premtimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbesin në kuadër të fushatës parazgjedhore.

Albulena, madje, shprehet se me këto çmime, do të rritet konkurrenca si për regjistrimin e studentëve në Universitetin Publik po ashtu edhe për vendosje në Qendër Studentore.

“Është keq, sepse ky premtim është bërë për fushatë. Konsideroj se nuk është shtrenjtë as konvikti dhe as mensa, pasi aty shpenzohet rryma, uji. Mirë ka qenë”, konsideron Albulena.

Ndriçim Rama është student i Fakultetit Ekonomik, dhe për t’i përcjellë ligjëratat, ai çdo ditë udhëton nga Drenasi. Ndriçimi e konsideron pozitiv vendimin e Qeverisë, pasi thotë se përveç obligimeve materiale ndaj UP-së, studentë kanë shpenzime të mëdha, si për të blerë libra, veshmbathje, por edhe për argëtim.

“Një vendim shumë i mirë. Është më lehtë për familje time, sepse pasi është ulur niveli i pagesave, kemi më shumë mundësi për të blerë libra”, pohon Ndriçimi.

Por, një studentë tjetër, duke qeshur thotë se është me fat pasi është vonuar në pagesën e semestrit, pasi tash do të paguajë 25 euro, dhe jo 50 euro sa ka marrë nga prindërit. Dhe, me shumën e mbetur, vendimin e Qeverisë thotë se do ta festojë me shokë në ndonjë lokal në kryeqytet:

“Mirë që nuk e paskam paguar, tash e paguaj vetëm 25 euro, shumën tjetër e marr, sepse prindërve ua kam marrë 50 euro. Unë kam dëshirë të punoj, por prindërit nuk po më lejojnë, sepse më thonë se e humbi fakultetin. Me shumën e mbetur do të dal të argëtohem, sepse libra jo - e shkruajmë me dorë në fletore atë çka ligjëron profesori, të mençur jemi ne”.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG