Ndërlidhjet

Maqedoni: Fushatë me retorikë nacionaliste


Tubim elektoral...

Tubim elektoral...

Fushata elektorale e partive politike për zgjedhjen e presidentit apo tjetra që tani ka nisur për zgjedhjet parlamentare, po përcillet edhe me retorikë nacionaliste, e njohur në të gjitha ciklet zgjedhore në Maqedoni.

Partitë kryesore që janë pjesë e pushtetit aktual, si platformë kryesore kanë sigurimin e sa më shumë mandatave.

VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski kërkon mbi 60 mandate deputetësh për të mos u kushtëzuar, siç thotë, me kërkesa jo reale nga partitë shqiptare, ndërsa BDI-ja e Ali Ahmetit kërkon 25 mandate, që, sipas tij, do të ishin garanci për rrumbullakësimin e të drejtave të shqiptareve, arritjen e procesit integrues të vendit si dhe realizimin e synimin të saj të fundit për një marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase për zgjedhjen e një presidenti konsensual, pra, të pranueshëm nga dy komunitetet më të mëdha në vend.

Njohësit e çështjeve politike thonë se retorika e tillë nxitëse bëhet në mungesë të platformave të tyre reale zgjedhore apo mospërmbushjes së premtimeve të dhëna andaj edhe tani ndryshojnë taktikën e veprimit për të tërhequr votuesit.

“Mua më duket se bëhet fjalë për një lojë të koordinuar apo të kontraktuar mes këtyre dy partive, lojë e cila kishte sukses në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kur njësoj Ahmeti dhe Gruevski bënin thirrje për mobilizim etnik, e jo politik dhe partiak”, thotë analisti Xhelal Neziri.

Ndërkohë, Vllado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike thotë se fushata elektorale kishte një fillim të mirë, pasi nxitjet ndëretnike sikur ishin lënë në plan të dytë. Por, Dimovski shpreh keqardhjen nga debati i mbrëmshëm mes kandidatëve presidencialë, të cilat rikthyen sërish në opinion këtë temë të ndjeshme.

“Debati presidencial në televizionin shtetëror më ka dëshpëruar, pasi një pjesë e kandidatëve sërish filluan me retorikën nacionaliste, për të mbledhur vota. Unë druaj se në periudhën deri në zgjedhje situata do të përshkallëzohet edhe më shumë në planin etnik. Kjo nuk është mirë për vendin, nuk është mirë për të ardhmen tonë”, thotë Dimovski, duke shtuar se nga nxitjet e tilla, pasojat mund të jetë të mëdha për Maqedoninë si shtet me shoqëri të përzier etnike.

“Pasojat më të mëdha vijnë pas përfundimit të zgjedhjeve ose edhe në ditën e zgjedhjeve. Partitë duhet t’u japin fund lojërave të tilla, fushatës së tillë negative, që nuk ofron asnjë perspektivë për qytetarët e Maqedonisë, të cilët janë të interesuar për mirëqenie dhe të ardhme më të mirë. Ata duan oferta e programe reale zhvillimore dhe jo retorikë nacionaliste vetëm për përfitime politike” , vlerëson Dimovski.

Nga ana tjetër, analisti Xhelal Neziri konsideron se incidentet që kanë përcjellë Maqedoninë periudhën e fundit, janë pikërisht si rezultat i politikave nxitëse të partive politike.

“Instalimi i nacionalizmit, përkeqësimi i raporteve ndëretnike nga liderët partiakë të Maqedonisë nuk do të mund të çrrënjoset edhe aq lehtë, pasi në çdo fushatë parazgjedhore kemi një lojë të këtillë. Nëse kjo lojë vazhdon edhe në ciklet e ardhshme zgjedhore, natyrisht se do të reflektohet edhe në jetën e përditshme të qytetarëve”.

“Kjo retorikë nacionaliste natyrisht që solli edhe incidentet që rrezikuan stabilitetin e Maqedonisë, siç ishin rrahjet nëpër rrugë, rrahjet e të rinjve nëpër autobusë, rrahjet nëpër shkolla, rastet me prapavijë etnike. Të gjithë këto incident burojnë pikërisht nga një retorikë e tillë nacionaliste”,
konsideron analisti Neziri.

Zgjedhjet në Maqedoni përfundojnë më 27 prill, kur së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG