Ndërlidhjet

logo-print

Afganistan: Karzai dhe liderët perëndimorë përshëndesin zgjedhjet

  • RFE /RL

Afganistan

Afganistan

Presidenti në largim i Afganistanit, Hamid Karzai, dhe liderët perëndimorë e kanë përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, duke e cilësuar si hap madhor në atë që do të jetë transferi i parë demokratik i autoritetit në këtë vend.

Në fjalimin në televizion, zoti Karzai tha se afganët, pavarësisht motit të lig dhe kërcënimeve nga talibanët, dolën për të votuar.

“Kombi afgan e ka treguar në praktikë gëzimin e madh të pjesëmarrjes në votimet e vendit. Pavarësisht motit të ftohtë dhe me shi dhe sulmeve të mundshme terroriste, motrat dhe vëllezërit tanë në gjithë vendin dolën në këto zgjedhje dhe pjesëmarrja e tyre është hap përpara dhe është sukses për Afganistanin”, tha Hamid Karzai.

Presidenti amerikan, Barack Obama, vlerësoi se votimet paraqesin “një moment tjetër historik të rëndësishëm, në të cilin afganët e marrin përgjegjësinë e plotë për vendin e tyre”.

Në deklaratën e tij, zoti Obama i përshkroi këto zgjedhje si “kritike për sigurimin e së ardhmes demokratike të Afganistanit dhe për vazhdimin e mbështetjes ndërkombëtare”.

Presidenti amerikan shfaqi shpresën se “organet zgjedhore afgane do ta kryejnë detyrën e tyre gjatë javëve të ardhshme”.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, zgjedhjet i përshkroi si “e arritur e madhe” për popullin afgan dhe vlerësoi se ato janë “moment historik”. Ai kërkoi që afganët të tregojnë “durim dhe respekt” derisa votat të numërohen.

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, në të cilat Karzai e fitoi edhe mandatin e dytë, ishin përshkruar me mashtrime të gjëra dhe dhunë.

Pavarësisht kërcënimeve nga talibanët, për t’i shkatërruar zgjedhjet, gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ishte raportuar për ndonjë sulm madhor.

Në kryeqytetin Kabul, banorët shfaqën kënaqësi për nivelin e lartë të sigurisë gjatë votimeve.

Ja se çka i deklaroi banori Abdul Latif agjencisë Reuters:

“Ne jemi shumë të kënaqur që zgjedhjet kaluan në ambient të qetë. Ishte siguri e mirë në gjithë vendin dhe gjithkund ishte situatë paqësore”.

Megjithatë, ministri i Brendshëm i Afganistanit, Mohammad Daudzai, tha se 20 vetë, kryesisht pjesëtarë të forcave të sigurisë së Afganistanit, ishin vrarë nga më tepër se 100 sulme gjatë 24 orëve.

Shefi i Komisionit Zgjedhor të Ankesave, Sattar Saadat, i tha Radios Evropa e Lirë se është raportuar për disa ankesa për parregullsi.

Raportohet se një nga parregullsitë ishte mungesa e fletëvotimeve në disa vendvotime.

Ja se çka tha për këtë çështje një votues në provincën veriore Baghlan:

“Ne i vizituam së paku 7 ose 8 vendvotime, por asnjëri prej tyre nuk kishte fletëvotime. Njerëzit kishin mbetur të hutuar. Prej orës 10 ose 11 njerëzit prisnin për të votuar, por pa sukses”.

Në garën për president të ri të Afganistanit morën pjesë tetë kandidatë, por konsiderohet se favoritë janë Zalmai Rassoul dhe Abdullah Abdullah, të dy ish-ministra të Jashtëm, dhe Ashraf Ghani, ish-ministër i Financave.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i fiton më shumë se 50 për qind të votave, atëherë më 28 maj mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ndërmjet dy rivalëve më të suksesshëm. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG