Ndërlidhjet

Formimi i Tribunalit të Kosovës, në duart e politikës


Themeli i Gjykatës Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte, siç thuhet të kryera nga pjesëtarë UÇK-së, duhet të miratohet në Kuvend nga dy të tretat e votave të deputetëve.

Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ai, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se çështjet e tilla, siç është formimi i kësaj gjykate, prekin çdo qytetar dhe mund të ndikojnë negativisht në imazhin e Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi tha po ashtu se para se të përkrahet një iniciativë si kjo nga Presidenca dhe Qeveria, është dashur që spektri politik kosovar të ketë një qëndrim unik.

“Unë nuk dua të paragjykoj asgjë, por një gjë dihet me Kushtetutë, që edhe vazhdimi i EULEX-it edhe Gjykata Speciale, duhet të miratohen në Kuvend me 2/3 e deputetëve të Kuvendit dhe kjo më shumë varet, jo nga kryetari, se sa varet nga grupet politike që janë të përfaqësuese në Kuvend”, tha Krasniqi.

Kurse, Ismet Beqiri shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se formimi i një gjykate të tillë është çështje e ndjeshme dhe një pjesë të përgjegjësisë se pse Kosova ka ardhur në këtë situatë, e mban qeveria e Kosovës.

“Realisht jemi në një situatë jashtëzakonisht të ndjeshme, për çka sigurisht në ditët ne vijim, mos të them më gjatë se nuk mund të paragjykoj, do të vazhdojnë konsultimet dhe do të dilet me qëndrime të qarta se çka do të ndodh".

"Por, opinioni dhe qytetarët duhet ta dinë këtë punë, kjo nuk mund të mbahet fshehtë se janë këto dy mundësi: t'i thuhet jo, dhe mundësia tjetër ta bëjnë ata (Këshilli i Sigurimit i OKB-së) po, pa na pyetur”
, u shpreh Beqiri.

Nga ana tjetër, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Vetëvendosje, është e pozicionuar qartë kundër themelimit të kësaj gjykate.

Konjufca u shpreh po ashtu se me formimin e këtij mekanizmi do t’i bëhet dëm interesave kombëtare shqiptare.

“Sa i përket krijimit të Tribunalit, një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe Qeveria e Republikës se Kosovës. Ne, pas gjithë këtyre viteve kemi pritur me në fund që të krijohet një Tribunal ndoshta për Serbinë, sepse e dimë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Çdo qytetar i Kosovës e di se Serbia ka qenë ajo që ishte në anën e gjenocidit, kurse qytetarët e Kosovës ishin në anën e çlirimit dhe të luftës për lirinë e vendit të tyre”
,tha Konjufca.

Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmëri e Kosovës, tha se ky është një moment i vështirë për Kosovën dhe se nuk është dashur të vijë deri te kjo situatë.

Sipas tij, qeverisja e tanishme nuk ka garantuar institucione të pavarura të sistemit të drejtësisë dhe Kosova ka ardhur në ketë moment të vështirë.

“Është çështje serioze për Kosovën, Aleanca ka treguar se nuk do të preferonte fare një gjykatë të këtij lloji. Mendoj se vendet e tjera kanë merituar me qindra herë me shumë që të kenë gjykata të tilla. Kosova ka qenë viktimë në luftë dhe të gjitha të tjerat që i kemi përmendur, po të gjitha këto nuk janë aq relevante tani. Jemi në një moment kur duhet të vendosim ose të bëjmë gjykatë të Kosovës ose të ballafaqohemi më një vendim në Këshillin e Sigurimit”, tha Gjini.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë dashur të flasin lidhur me ketë çështje.

Me arsyetimin se po vonohet për të hyrë në vazhdimin e seancës së sotme të Kuvendit te Kosovës, Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, nuk ka dashur të flas lidhur me këtë temë.

Ndryshe, përfaqësues amerikanë dhe evropianë janë vënë në aktivitete diplomatike për të bindur autoritetet e Kosovës që të miratojnë themelimin e një Gjykate Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte.

Në këtë funksion është realizuar edhe vizita e Drejtorit të Departamentit të shtetit të Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore në Prishtinë.

Ai, i shoqëruar nga ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, ka zhvilluar takime me udhëheqësit e institucioneve dhe ata të partive politike si dhe përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë.

Lidhur me themelimin e kësaj gjykate presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me anë të një komunikate për media ka deklaruar se “institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe se ky proces, i themelimit të Tribunalit, do të përqendrohet në individë dhe nuk është gjykim i përpjekjeve të përbashkëta të vendit për çlirim”.
XS
SM
MD
LG