Ndërlidhjet

Maqedoni: Fushatë me premtime "boshe"


Maqedoni...

Maqedoni...

Partitë politike kanë vazhduar me premtimet nga më të ndryshme në fushatat e tyre elektorale për zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare, që do të mbahen njëkohësisht më 13 dhe 27 prill.

Përveç mijëra projekteve në vlerë prej miliarda eurove, ato tani kanë dalë edhe me premtime tjera duke siguruar qytetarët se në rast të fitores, do ti shlyejnë të gjithë borxhet e tyre apo faturat e papaguara.

“Do ti shlyejnë këto kategori të borxheve; së pari faturat e papaguara për energji elektrike më të vjetra se 12 muaj, pastaj do ti shlyejmë të gjitha borxhet ndaj bankave që kanë të bëjnë me kartelat kreditore të papaguara më gjatë se 12 muaj, gjithashtu do të shlyejnë edhe faturat e ngrohjes qendrore“, ka deklaruar ministri i Financave, Zoran Stavreski duke prezantuar disa nga programet zgjedhore të VMRO DPMNE-së.

Kjo parti ka premtuar edhe 60 mijë vende të reja të punës, investime të shumta nga jashtë, mijëra projekte në bujqësi, shëndetësi, arsim, kulturë, rritje të rrogave, pensioneve, e kështu me radhë.

Projekte të tilla ka paralajmëruar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim në zonat e banuara me shqiptare. Numri i tyre është mbi 1 mijë me një vlerë prej 2 miliardë euro për periudhën e ardhshme katërvjeçare.

Duke komentuar premtimet e tilla të partive politike, Arben Halili nga Oda ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore thotë se premtime të tilla janë dëgjuar edhe më parë, por që nuk janë realizuar asnjëherë.

“Është diçka e parë deri më tani dhe është një përsëritje apo një kopje e keqe e premtimeve të kaluara. Shtrohet pyetje se kur këto premtime qeveria e ardhshme apo këta që pretendojnë të marrin pushtetin, pse nuk i kanë realizuar deri tani kur thonë se mund të realizohen".

"Çështja e uljes së kamatave, shlyerjes së borxheve, faturave e gjërave tjera, nuk është shumë e kapshme në aspektin ekonomik edhe pse për politikanët premtimet e tilla janë të këndshme, më bindëse për të tërhequr votuesit, por efekte pozitive afatgjate nuk mund të ketë“, thotë Halili.

Nga oda ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore thonë se sipas vlerësimeve të tyre, premtimet e tilla të partive nuk mund të joshin as qytetarët pasi ata tashmë nuk i besojnë premtimeve të tilla.

Edhe nga shoqata joqeveritare “Agtis“ që merret me hulumtimin e premtimeve të partive thonë se qytetarët e kanë kuptuar se politikanët ofrojnë gjithçka, por premtimet e tilla janë boshe dhe bëhen me qëllimin e vetëm, sigurimin e sa më shumë votave në ditën e votimit.

“Më parë mund të kenë pasur ndikim premtimet e tilla, por tani jo pasi populli veç më është ngopur me premtime të tilla të parealizueshme“, thotë Aleksandar Cvetkovski nga shoqata “Agtis“.

Nga ana tjetër, nga Oda ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore thonë se gjendja socio-ekonomike mund të përmirësohet vetëm se me politika konkrete të realizueshme.

Përfaqësuesi i saj, Arben Halili, thotë se qeveria duhet të përqendrohet në rritjen e potencial zhvillimor, në ofrimin e masave sociale konkrete dhe jo në uljen artificiale të të papunëve duke i shlyer qytetarët nga entet e punësimit.
XS
SM
MD
LG