Ndërlidhjet

logo-print
Incidenteve të cilat kohët e fundit kanë ndodhur në veriun e Kosovës, i janë shtuar edhe dy të tilla që kanë ndodhur dy ditë më parë në Mitrovicën e veriut.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, të rajonit të veriut, kanë theksuar se me datën 5 prill, në orën 20: 15, persona të panjohur për organet e rendit, kanë djegur një veture, të cilën Zyra Administrative e Qeverisë së Kosovës ia kishte dhënë organeve komunale të Mitrovicës së veriut.

Gjithashtu, gjysmë ore pas mesnatës, me datën 6 prill, po ashtu persona të panjohur, kanë shtënë me armë zjarri mbi veturën e bashkëshortes së ish-kryetarit të komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq, e cila ishte në vizitë në Mitrovicën e veriut.

Stojanoviq u ka deklaruar medieve se e di se kush i ka inspiruar incidentet e tilla.

“Ka ndodhur kjo që ka ndodhur dhe për fat nuk ka pasur viktima njerëzore, por vetëm dëme materiale, Mendoj se në të ardhmen dikush duhet të jetë i vëmendshëm, sepse unë mund t’i them policisë dhe bashkësisë ndërkombëtare se kush janë inspiratorët potencial”, ka theksuar Stojanoviq.

Zheljko Bojiq, shef i operativës në Policinë e Kosovës, për regjionin e Mitrovicës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se njësitë hetuese janë duke punuar në mënyrë aktive për zbardhjen e rasteve.

Rastet, sipas tij, janë karakterizuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, dëmtim i pronës së luajtshme, si dhe kontrollim dhe përdorim i paautorizuar i armës.

“Organet e rendit janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet operative me qëllim të zbardhjes së këtyre rasteve, do të thotë të këtyre veprave penale, të cilat janë karakterizuar nga prokuroria kompetente. Kemi të bëjmë me 3 vepra penale. Në çdo rast, krejt ajo që do të theksojë zoti Stojanoviq, ne do ta marrim parasysh dhe do të punojmë lidhur me atë. Për këtë s’ka asnjë dilemë”, tha Bojiq.

Por, Stojanoviq ka theksuar se edhe më herët ka tërhequr vëmendjen për individ të caktuar dhe grupe politike, siç ka thënë ai, madje edhe në formë të shkruar.

“Me muaj dhe vite po paralajmëroj për një grup të njëjtë njerëzish, i cili në mënyrë të vazhdueshme po ngritë tensione. Unë në mënyrë të shkruar kam informuar për individ të caktuar, grupe politike. Vërtetë nuk ka kuptim, sepse kjo duhet të ndërpritet ose këtu do të ketë vetëm banditë. Nuk po flas vetëm për Mitrovicën por për gjithë Kosovën, sepse inspiratorët janë të qartë. Kemi të bëjmë me klane politike dhe nëse ata mund të bëjnë këtu dhe në shtëpitë tonë çfarë të duan, të qojmë duar në njëri tjetrin, atëherë kjo nuk do ta qojë askund popullin serb”, theksoi Stojanoviq.

Ndryshe, shefi i operativës në Policinë e Kosovës, për regjionin e Mitrovicës, Bojiq, thotë se organet e rendit në veri të Kosovës, nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë paralajmërim nga Stojanoviqi.

“Drejtorinë regjionale të veriut, nuk e ka lajmëruar asnjëherë më parë se ka pasur ndonjë problem. Madje, nuk kemi dijeni se ai ka pasur ndonjëherë ndonjë problem këtu në veri. Askush nuk ka dijeni se ai ka bërë ndonjëherë çfarëdo paralajmërimi në këtë regjion”, theksoi Bojiq.

Në anën tjetër, njohësit e rrethanave të sigurisë në Kosovë, vlerësojnë se incidentet në veri janë brenda kufijve të pritshmërisë.

Naim Maloku, ekspert i çështjeve të sigurisë duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se shtrirja e sundimit të ligjit dhe rendit në veri të Kosovës, nuk do të kalojë pa rezistencën e grupeve të ndryshme të interesit, të cilat kanë qenë të lidhura ngushtë me jo stabilitetin në atë pjesë të vendit.

“Unë mendoj se nuk ka ndonjë prapavijë tjetër politike, përveç ndonjë konflikti të mundshëm politik ndërmjet vet serbëve atje, që janë raste të izoluara dhe nuk mund të paraqesin ndonjë rrezik për destabilizim të Kosovës në atë masë që Kosova të jetë e rrezikuar në stabilitet të brendshëm ose rajoni. Këto janë incidente, të cilat edhe organet e rendit, por edhe ata që merren me analizën e sigurisë, jo vetëm vendor, por edhe ndërkombëtarë, kanë mundur dhe është dashur që t’i presin”, tha Maloku.

Ai ka vlerësuar se grupet e caktuara në veri do të vazhdojë edhe më tej ta mbajnë situatën të tensionuar, por nuk mund ta rrezikojnë stabilitetin e sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës e kanë të qartë situatën në veri dhe incidentet e tilla nuk i kanë zënë në befasi. Ai theksoi se bashkërendimi i këtyre segmenteve të sigurisë në Kosovë, mund dhe do ta mbajë nën kontroll situatën në veri.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG