Ndërlidhjet

Guardian: Nuk është Rusia ajo që destabilizon Ukrainën


Ilustrim

Ilustrim

Kriza e thellë dhe depërtuese në Ukrainë është shqetësim i madh për Rusinë, shkruan ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në të përditshmen britanike “Guardian”.

Sipas tij, Moska e kupton shumë mirë pozicionin e një vendi, i cili është bërë i pavarur vetëm 20 vjet më parë dhe vazhdon të përballet me detyra komplekse në ndërtimin e një shteti sovran.

Në mesin e tyre është ekuilibri i interesave të rajoneve të ndryshme të tij, popujt e të cilave kanë rrënjë të ndryshme historike dhe kulturore, flasin gjuhë të ndryshme dhe kanë këndvështrime të ndryshme mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit në botë.

Marrë parasysh këto rrethana, roli i forcave të jashtme do të duhej të ishte për të ndihmuar ukrainasit që të mbrojnë themelet e paqes civile dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Rusia ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për të ndihmuar shtetin e pavarur të Ukrainës, përfshirë mbështetjen e ekonomisë së tij me vite të tëra përmes çmimeve të ulëta të energjisë, shkruan Lavrov.

Nëntorin e kaluar, në fillim të krizës aktuale, ne kemi mbështetur dëshirën e Kievit për konsultime urgjente midis Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Evropian për të diskutuar harmonizimin e procesit të integrimit, thotë Lavrov. Por, sipas tij, Brukseli e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë këtë.

Ky qëndrim pasqyron qëndrimin joproduktiv dhe të rrezikshëm që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrë për kohë të gjatë. Ata kanë bërë përpjekje që të detyrojnë Ukrainën që të bëjë zgjedhje të dhimbshme midis Lindjes dhe Perëndimit, duke acaruar edhe më tej dallimet e brendshme, shkruan Lavrov.

Pohimet se Rusia ka minuar përpjekjet për të forcuar partneritetet në kontinentin evropian nuk përkojnë me faktet. Përkundrazi, vendi ynë ka promovuar vazhdimisht një sistem të sigurisë së barabartë dhe të pandashme në zonën euro-atlantike, vijon ministri i Jashtëm rus.

Po sipas tij, Rusia ka propozuar nënshkrimin e një traktati për këtë qëllim dhe ka mbështetur krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike dhe njerëzore, nga Atlantiku në Paqësor, e cila do të jetë e hapur edhe për vendet post-sovjetike.

Në ndërkohë, shtetet perëndimore, me gjithë garancitë e tyre për të kundërtën, kanë zgjeruar vazhdimisht NATO-n, kanë zhvendosur infrastrukturën ushtarake të Aleancës në drejtim të lindjes dhe kanë nisur zbatimin e planeve për mbrojtje antiraketore.

Përpjekjet e atyre që kanë bërë shkëputjen e Kosovës nga Serbia për të vënë në dyshim vullnetin e lirë të krimeanëve, nuk mund të shihen si asgjë tjetër, pos si shfaqje flagrante e standardeve të dyfishta. Jo më pak shqetësues është pretendimi se rreziku kryesor për të ardhmen e Ukrainës është përhapja e kaosit nga ekstremistët dhe neo-nazistët, thotë Lavrov.

Rusia është duke bërë gjithçka të mundur për të nxitur stabilizimin e hershëm në Ukrainë.

Bota sot nuk është një shkollë për fëmijë, ku mësuesit caktojnë ndëshkime. Shtensionimi duhet të nisë me retorikë, shkruan ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov në të përditshmen britanike “Guardian”.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG