Ndërlidhjet

Maqedoni: Fushatë joatraktive dhe jashtë realitetit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Për qytetarët e Maqedonisë, fushata që po zhvillohet për zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshmet parlamentare, nuk është aspak atraktive.

Sipas të anketuarve, kjo fushatë nuk pasqyron realitetin e problemeve, me të cilat përballet vendi, e aq më pak në to mund të identifikohen ofertat konkrete për të dalë nga kjo gjendje, ku ndodhet vendi.

Ekrem Sabedini,
punonjës i teknologjisë informative, thotë se më me rëndësi është që zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshmet parlamentare të jenë të qeta dhe demokratike, ndërkohë që thekson se më në fund një pjesë e projekteve, ku prezantohet synimi kombëtar, ka ardhur koha edhe të realizohen.

“Po ajo që është më me rëndësi, për mua, është që këto zgjedhje të kalojnë pa problem, ashtu siç na ka hije ne shqiptarëve, pra shpresoj që partitë politike në funksion të rejtingut të tyre, të mos nxisin acarime mes elektoratit siç ka ndodhur zakonisht gjatë proceseve zgjedhore. Dhe, njëherësh mendoj se të gjitha ato projekte, të cilat prezantohen para elektoratit, të fillojnë dhe të realizohen në të mirë të shqiptarëve këtu në Maqedoni”, thotë Ekremi.

Ndërkaq, Jovan Dimitrovski, mjek, thotë se gjatë këtyre ditëve sa po zhvillohet fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e ka shumë vështirë të bëjë dallimin ndërmjet ofertave të partive politike. Sipas tij, partitë politike i kanë humbur konceptet ideologjike, i takojnë opsionit majtist apo djathtist dhe gjatë fushatave premtojnë gjithçka për këdo.

“Sa i përket cilësisë së standardit jetësor, mendoj se është shumë vështirë që të besojmë se kjo do të ndodhë në Maqedoni. E them këtë, sepse të gjitha programet politike, të cilat prezantohen para elektoratit pothuajse janë tërësisht të njëjta, duke përfshirë këtu dhe synimin për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Mirëpo, asnjëra parti politike nuk tregon ose nuk jep pasqyrë të saktë si mendon ta zhvillojë ekonominë e vendit ose ta zhbllokojë procesin integrues”, thekson Jovani.

Skeptik se mund të krijohen perspektiva më të mira për të rinjtë, shprehet edhe Faton Zylbehari, 33 vjeç, i cili punon në një agjenci turistike:

“Po realizimi i qëllimeve të shqiptarëve, këtu në Maqedoni asnjëherë nuk mund të arrihet përderisa partitë politike kanë përçarje dhe urrejtje ndërmjet vete. Si mund të shpresoj për më mirë kur unë jam magjistër dhe nuk gjej punë në profesionin tim si gjuhëtar?"

"Në këtë gjendje nuk jam vetëm unë, por pjesa më e madhe e shokëve të mi ose edhe më keq, ti si profesionist, nëse punësohesh në një institucion e drejtuesit e po atij institucioni janë pa fakultet ose me diplomë, të cilën e ka marrë pasi ka mbushur dyzet vjet dhe e dimë shumë mirë si janë marrë ato diploma”.


Edhe Avni Hyseni, i cili punon si bankier, thotë se është i zhgënjyer tërësisht nga ajo që ofrojnë partitë politike si platformë dhe si kuadër për deputet, në listat zgjedhore, andaj nuk do të dalë fare për të votuar.

“Po s`kam lidhje me politikën aktuale dhe thjesht nuk dua as të flas për të. Lidhur me këta politikanë që na përfaqësojnë me këtë platformë nuk dua as të flas dhe as nuk do të dal në zgjedhje, madje”, shprehet i vendosur Avniu.

Kurse, Elena Vasilevska, pensioniste, thotë se nuk e ndjek fare fushatën zgjedhore, sepse ajo tashmë me vjet ka opsionin politik që i beson dhe thjesht merret me nipërit.

“Po unë nuk i ndjek premtimet që bëjnë politikanët gjatë fushatës zgjedhore, sepse jam në moshë dhe për gjithë këto vjet kam mësuar se kujt duhet t`i besoj dhe kujt jo. Andaj nuk humb kohë duke ndjekur fushatat, por vetëm do të dal për të votuar për ata që kanë realizuar konkretisht një pjesë të asaj që kanë marrë përsipër”, thotë Elena Vasilevska.
XS
SM
MD
LG