Ndërlidhjet

Kosova ka kapacitete të plota për t’u ballafaquar me cilindo rast të drejtësisë dhe me pretendimet që mund të jenë në lidhje me krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare Kosovës, thotë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ai konsideron se kërkesa për krijimin e një gjykate të tillë ka më tepër karakter politik se sa juridik.

“Kërkesa ka të bëjë më shumë me qasjen e legjitimitetit ose të një kredibiliteti ndërkombëtar sesa të mungesës se aftësive tona. Dhe unë e përgëzoj ambasadoren amerikane që e pranojë në një mënyrë kur tha ‘nuk është mungesa e kapaciteteve sa është një kërkesë tjetër’."

"Ne, kemi fituar në tranziconin e EULEX-it, që nënkupton që BE-ja po beson se janë ngritur kapacitete tona. Por kjo është kërkesë që më shumë ka bazament politik se sa juridik”
, tha ministri Kuçi.

Kuçi shpjegoi se kjo çështje tashmë ka kaluar në nivele të debateve të liderëve politike të partive politike, të liderëve institucional përfshirë presidenten, kryetarin e kuvendit e kryeministrin.

Duke i konsideruar si jo të duhura disa deklarata të disa subjekteve politike, ka kërkuar që lidhur me këtë çështje të flasin juristët e atyre partive politike dhe jo të tjerët që mund të gabojnë.

“Kisha pas dëshirë që për këtë çështje të falsin juristët e atyre partive, (po që deri më tani) nuk jam duke i parë juristët e tyre duke folur, me politikanë nuk flitet për drejtësi . Unë e di që problemet e politikës zgjidhen në drejtësi, por problemet e drejtësisë politikanët nuk mund t’i zgjidhin”, tha Kuçi.

Ministri Kuçi nuk ka dashur të flasë shumë për atë se për cilën periudhë kohore do të bëhen hetime, pas themelimit të kësaj gjykate.

“Për hetime nuk na është folur kurrë, as për aktakuza nuk na është falur kurrë, ajo çka mund të them që është thënë që do të jetë vetëm pretendimet e raportit të Dik Martit. Nuk e di për cilën periudhë bëhet fjalë. Është çështje e hetimeve. Unë do të isha i pasinqerte dhe joprofesional nëse do të flas për diçka që nuk e di”, ka thënë Kuçi pas ceremonisë së mbajtur në shënimin e 6-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, lidhur me këtë çështje ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Llapit, Rrustem Mustafa Remi, aktualisht anëtar i PDK-së, tha për Radion Evropa e Lirë, se pas deklarimeve të senatorit Dik Marti për pretendimet e tij se janë bërë krime në Kosovës gjatë luftës është e domosdoshme që të krijohet ai panel gjyqësor me çfarëdo emri që mund të ketë.

“Unë jam i sigurt se duke e parë se po kërkohet nga njerëzit që na kanë pranuar për aleatë gjatë luftës për liri, nuk pres ndonjë dëmtim të imazhit të vendit në përgjithësi dhe as UÇK-së në veçanti. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer misionin e saj, bashkë me aleaten me të moderuar e qytetëruar botërore, ka sjellë liri në vendin tonë dhe ne e kemi jetësuar lirinë dhe jemi duke jetuar".

"Tash kërkohet kohë dhe mënyra për rritje e lirisë për zhvillimin e saj dhe të vendi. Jemi para një standardi që e ka vënë bashkësia ndërkombëtare për krijimin e këtij tribunali dhe është i mirëseardhur në vendi tonë”, ka deklasuar Mustafa.

Në vitin 2010, raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, në një raport të tijin, ka akuzuar udhëheqësit kosovarë të luftës, përfshirë kryeministrin Hashim Thaçi, për trafikim të paligjshëm të organeve të të burgosurve serbë.

Ndryshe, themeli i Gjykatës Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte, siç thuhet të kryera nga pjesëtarë UÇK-së, duhet të miratohet në Kuvend nga dy të tretat e votave të deputetëve, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasnqi.

Përfaqësues amerikanë dhe evropianë janë vënë në aktivitete diplomatike për të bindur autoritetet e Kosovës që të miratojnë themelimin e një Gjykate Speciale për të hetuar dhe gjykuar rastet e dyshuara për krime lufte.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG