Ndërlidhjet

Vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti në tregun e Kosovës ka depërtuar një numër i konsiderueshëm i produkteve me cilësi të dyshimtë.

Produktet e tilla, janë vërtetuar të dyshimta vetëm pasi që kanë hyrë në tregun e Kosovës dhe pasi kanë rënë në dorë të konsumatorit.

Marrja e mostrave nga autoritetet kompetente dhe ndalimi i tyre për shitjen e këtyre produkteve ishte marrë pas hyrjes së tyre në treg.

Shumë prej këtyre produkteve pas marrjes së analizave që zakonisht bëhen jashtë vendit, kishin treguar se kanë qenë të rrezikshme për konsumatorin.

Së fundi në tregun e Kosovës është paraqitur produkti i dyshimtë “Strudle” me përbërje të fikut nga prodhuesi serb “Medela”, si produkt i vërtetuar tani me përqindje të ohratoksinës A, materie kjo toksike e rrezikshme, nëse i kalon limitet e parapara dhe si e tillë konsiderohet kancerogjene.

Përgjegjësinë kryesore për kontrollin e ushqimit në Kosovë e ka Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit e Kosovës, si autoritet shtetëror.

Zëdhënësi i këtij mekanizmi Lamir Thaçi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se kanë urdhëruar që ky produkt të largohet nga tregu.

“Ky produkt është i shitur jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha shtete e rajonit dhe në disa shtete e Bashkimit Evropian dhe në një analizë që i është kryer nga një shtet anëtar i BE-së, është vërtetuar se ka përqindje më të lartë të ohratoksinë A, materie kjo toksike e rrezikshme nëse kalon limitet e parapara dhe si e tillë konsiderohet kancerogjene".

"Dhe, posa e kemi marrë këtë ,informatë ne kemi nxjerr vendim që ky produkt të largohet nga tregu dhe po ashtu i kemi dhënë urdhëresë importuesit të këtij produkti që ta tërheqë atë nga të gjitha pikat e shitjes në Kosovë”, bën të ditur Thaçi.

Shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht ka reaguar për raste të tilla duke kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të tregohen më të vëmendshëm kur bëhet hyrja në kufi e mauneve me mallra nga kompani të ndryshme, të cilat eksportojnë në Kosovë.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori” Selatin Kaçaniku thekson se Kosova nuk është atakuar për herë të parë me problemin e produkteve të dyshimta, sipas tij, shëndeti i qytetarëve është rrezikuar shumë herë nga produkte të tilla.

Në këto raste, Kaçaniku bën përgjegjës doganën dhe të gjithë mekanizmat tjerë të mbikëqyrjes dhe inspektimit të tregut që, siç thotë ai, nuk bëjnë kontrolle të detajuara, por i besojnë dokumentacionit që ua prezantojnë kompanitë në rastin kur ato futen në Kosovë.

“Para dy muajve kemi pasur problemi me naftë kancerorgjene, problemi është krijuar pasi që nafta është lejuar të importohet me dokumente përcjellëse jo në bazë të analizave. Kufiri nuk është vetëm për letra, por kufiri është edhe për analiza të hollësishme në mënyrë që ne të jemi të mbrojtur si konsumatorë”, thekson Kaçaniku.

Sidoqoftë, përfaqësues të Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit në Kosovë, bëjnë të ditur se në vijën kufitare janë të vendosur inspektorë veterinarë dhe fito-sanitarë, të cilët bëjnë kontrollim të produkteve që hyjnë në Kosovë.

Lamir Thaçi thekson se procedurat standarde të kontrollit janë të harmonizuara me vendet më të zhvilluara.

“Të gjitha produktet, të cilat janë konsideruar si të dyshimta, ne i kemi ndaluar dhe për ato që janë verifikuar se janë të dyshimta i kemi asgjësuar dhe vetëm vitin e kaluar shifra e produkteve të asgjësuara, shprehur në kilogram kalon 1 milion, ndërsa në litra e kalon mbi 400 mijë litra. Asnjëherë asnjë produkt që konsiderohet i dyshimtë nuk lejohet të futet në treg për të ardhur deri te konsumatori”, thekson Thaçi.

Trangujt e importuar nga Shqipëria dhe Maqedonia, produkte të qumështit, domate të importuara, shamponi “Kosil”, domatja, margarina “Vital”, janë disa nga produktet që gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti kishin hyrë në tregun e Kosovës, e që më pas ishin ndalur për shkak të cilësisë së dyshimtë.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.

Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG