Ndërlidhjet

logo-print

Patriotizmi në klasat ruse

  • RFE /RL

Nxënës rusë në Krime

Nxënës rusë në Krime

Do të duhet kohë për të rishikuar librat historikë të Rusisë, që do të përfshinin edhe aneksimin e Krimesë.

Por, kjo nuk i pengon autoritetet që të bëjnë hapa të shpejtë në ndryshimin e planprogrameve shkollore.

Në javët e fundit, një lëndë e re, e titulluar “Ne jemi së bashku” është futur në shkollat e mesme në gjithë vendin. Lënda paraqet aneksimin si “ribashkim të Krimesë me Rusinë” – fraza e saktë që përdoret nga autoritetet ruse.

Zyrtarët nga partia në pushtet “Rusia e Bashkuar”, e cila drejton fushatën arsimore, u janë bashkuar mësuesve në dhënien e leksioneve për patriotizmin, si pjesë e lëndës.

“Si ish-mësues, e di se ngjarjet në Ukrainë, Krime dhe Rusi duhet t’iu sqarohen studentëve”, thotë Nikolai Bulayev, deputet i Dumës Shtetërore nga Rusia e Bashkuar.

“Ne duhet t’iu shpjegojmë nxënësve pozicionin që ka ndërmarrë presidenti ynë”, shton ai.

Lyubov Moskalyova është mësuese e historisë në shkollën numër 28 në qytetin Ulyanovsk, rreth 900 kilometra larg Moskës.

“Natyrisht, jo të gjitha shtetet duan ta shohin një Rusi të fuqishme, e cila bën politikën e saj të jashtme në bazë të interesave të saj kombëtarë”, thotë ajo, duke ligjëruar para studentëve.

“Jam e lumtur për Rusinë, jam krenare për presidentin tim”, shton Moskaleva.

Në një tjetër shkollë, në Gjimnazin numër 1 të Ulyanovskit, diskutimi në klasë është shumë i gjallë.

Njëri nga studentët, Yegor Tsvetskov, thotë se ankesimi, të cilin ai e quan ribashkim, është vetëm hapi i parë drejt marrjes së Ukrainës lindore nga ana e Rusisë.

“Referendumi duhet të mbahet në lindje të Ukrainës, të shihet se sa për qind e popullsisë voton për bashkim me Rusinë. Jam i sigurt se një shumicë absolute do të votojë në favor”, thotë Tsvetkov.

Një tjetër student, Arseniy, nuk pajtohet.

Ai thotë se ka qëndrim gjithnjë e më negativ për aneksimin e Krimesë.

“E mbështes vendin tim, por mendoj se konfrontimi me Perëndimin është marrëzi. Shpresoj se do të ketë një lloj zgjidhjeje paqësore për krizën”, thotë Arseniy.

Po ashtu, jo të gjithë mësuesit janë të kënaqur me lëndën e re.

“Kjo është skandaloze. Është shpëlarje trurit për fëmijët”, thotë Tamara Eidelman, e cila ligjëron në Shkollën numër 567 në Moskë.

Ajo po ashtu thotë se fakte të rëndësishme, si dëbimi masiv i tatarëve krimeanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë lënë jashtë lëndës.(v.tela)
XS
SM
MD
LG