Ndërlidhjet

Përgatitet opinioni për themelimin e Tribunalit


Ilustrim
Ilustrim
Diplomatët perëndimorë vazhdojnë të japin sqarime rreth themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, ndërsa insistojnë se kjo gjë nuk po bëhet për të rishkruar historinë se kush ishte viktimë gjatë luftës.

Në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq, është rikujtuar Qeveria për ngritjen e një padie kundër Serbisë për krimet e kryera ndaj civilëve. Politikanët serbë thonë se kjo temë është e pakëndshme për t’u diskutuar, por puna do të kryhet.

Çka do që të ndodhë me hetimet që po i bën ekipi i kryeprokurorit të Task Forcës Speciale, Clint Williamson, pas hulumtimit trevjeçar të akuzave që ka bërë ish-senatori zviceran, Dick Marty, për trafikim të organeve nga individë brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krijimi i Gjykatës Speciale u paraprin padive eventuale, që mund të ngritë ky trup hetues.

Pa dashur që të paragjykojë se mund të ketë apo jo, padi nga këto hetime, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar mendon se opinioni publik nuk duhet të ketë dyshim në këtë ndërmarrje, meqë thotë se ky mekanizëm nuk do të “rishkruajë historinë e luftës”.

“Meqë Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij kanë marrë përgjegjësinë mbi vete, ne duhet të jemi të bindur se ky proces është i besueshëm dhe mund të sigurojë një vlerësim të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë për të vërtetën përtej çdo dyshimi. Përfundimisht, e vërteta është ajo që qytetarët e Kosovës e dëshirojnë”, ka thënë Samuel Zbogar.

Ditë më parë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, bëri thirrje që kjo Gjykatë Speciale të themelohet përmes Kuvendit, përndryshe do të duhet intervenimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, në një intervistë dhënë të mërkurën gazetës “Koha Ditore”, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se Prishtina do ta çojë para këtë thirrje të SHBA-së dhe BE-së, dhe të themelojë një gjykatë, e cila do të merret me pretendimet e ngritura nga ekipi i Williamsonit, e që hetoi dyshimet e ngritura nga Dick Marty.

“Trajtimi jonjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, është raporti i cili ka vënë në lëvizje gjithë këtë debat, 15 vjet pas luftës.

“E vërteta përtej çdo dyshimi!”, e titulloi të enjten zëri i Brukselit në Prishtinë, Samuel Zbogar një editorial përmes së cilit shpjegon pozicionin e Bashkimit Evropian karshi Gjykatës Speciale për Kosovën.

Në janar të vitit 2011, ish-senatori zviceran Dick Marty e paraqiti atë dokument në Parlamenti i Këshillit të Evropës dhe i njëjti u miratua me shumicë votash, kurse prej atëherë Clint Williamson me ekipin e tij është vënë në kërkim të përgjigjeve, të cilat, sipas ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson, pritet të paraqiten deri në qershor.

“Propozimi për një gjykatë speciale është mënyra më e shpejtë për Kosovën që të lëvizë tutje përtej raportit të Martyt. Kjo në fund të fundit mund të përmirësojë reputacionin e Kosovës”, ka shkruar Samuel Zbogar.

Ai nuk dëshiron të besojë se në Kosovë, mund të ketë njerëz që besojnë se ka krime kundër “njerëzve tanë” ose “njerëzve të atyre””.

“Krimi është krim dhe të gjithë duhet të përndiqen. Përmes lejimit të hetimit të viktimave të ‘palës tjetër’, ne nuk përulim në asnjë mënyrë viktimat ‘tona’. Në të kundërtën, ne mund të ndërtojmë një shpresë dhe pritje më të fuqishme se fati i të gjitha viktimave duhet të qartësohet, personat e zhdukur duhet të gjenden dhe plagët duhet të shërohen”, ka thënë Zbogar.

Edhe 1,712 persona llogariten të pagjetur në Kosovë, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Shumica e të pagjeturve janë shqiptarë.

Në anën tjetër, komuniteti serb e sheh pa rezerva krijimin e Gjykatës Speciale.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, ka vlerësuar madje se ky tribunal do të qartësojë shumëçka.

Unë, personalisht, do ta mbështes themelimin e një gjykate të tillë në Kuvend, marrë parasysh se shumë raste të ndjeshme kanë mbetur të pazgjidhura. Unë këtë nuk e shoh si diçka që e dëmton Kosovën, dhe as nuk është kundër shqiptarëve. Por, ka rëndësi prej dy këndeve - i pari, që të vendoset drejtësia, dhe e dyta do të shërbejë si mësim për atë që në të ardhmen mendojnë të kryejnë krime të tilla”, është shprehur Miletiq.

Në pjesën e parë të seancës së të enjtes në Kuvendin e Kosovës, tema e themelimit të Gjykatës Speciale nga Parlamenti, nuk u përmend fare. I vetmi që i ka përmendur krimet e luftës, ishte deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Hoti, dhe për to i ka parashtruar edhe pyetje zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

Hoti i ka kujtuar Kuçit se më 27 janar të vitit 2011, kryetari i Hanit të Elezit, ka kërkuar nga Qeveria për të iniciuar padi kundër Serbisë për krimet e kryera nga trupat e saj ushtarake dhe paraushtarake, ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

“Më intereson të informohem, se a jeni duke përgatitur dokumentacion me dëshmitë dhe fakte për krimet e Serbisë në Kosovë, që deri më sot nuk ka asnjë rezultat, lidhur me këtë”, ka thënë deputeti Hoti.

Ndërkaq, deputeti i Partisë së Pavarur Liberale, Petar Milletiq, ka vlerësuar se themelimi i Gjykatës Speciale do të jetë gjë e pakëndshme, por beson se deputetët do ta çojnë këtë çështje deri në fund.

“Kolegët, me të cilët unë kam biseduar, kryesisht nuk janë të entuziazmuar me një vendim të tillë. Madje, disa prej tyre edhe janë të zemëruar. Mirëpo, më duket se te ta ka një gatishmëri dhe ndjenjë përgjegjësie. Andaj, unë besoj se kjo çështje do të kalojë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Milletiq.
XS
SM
MD
LG