Ndërlidhjet

Rashiti: Tribunali, rezultat i dështimit të administrimit të huaj


Naim Rashiti

Naim Rashiti

Faktori ndërkombëtar, i cili e ka administruar Kosovën gjatë 15 vjetëve të fundit, UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk e ka kryer punën e vet, për të cilën kanë pasur mandat, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rashiti, faktori ndërkombëtar po kërkon themelimin e tribunalit për krime të luftës. Çka nënkupton një tribunal për krime të luftës për Kosovën?

NAIM RASHITI
Gjykata speciale për krime të luftës që do të krijohet, deri vonë nga raporti i Dick Martyt, do të jetë e mandatuar për një afat pesëvjeçar për t’i hetuar pretendimet e raportit të Martyt, të cilat prokurori i EULEX-it, Clint
Williamson pretendon se i ka hetuar dhe hulumtuar. Prokurori amerikan pretendon se ka gjetur dëshmi. Prokurori e ka bindur një pjesë të madhe të gjithë faktorit ndërkombëtar, edhe BE-në dhe EULEX-in, se ka dëshmi të mjaftueshme për të vendosur një gjykatë speciale.

Kjo vjen 15 vjet pas luftës dhe shumë vjet pas raportit të Martyt dhe tregon për Kosovën se faktori ndërkombëtar që ka administruar Kosovën, e që ka qenë prezent për shumë vjet, do të thotë UNMIK-u deri më 2008 pastaj ehe EULEX-i qe 6 vjetët e fundit, nuk e kanë kryer punën e vet, nuk e kanë adresuar çështjen, për të cilën edhe kanë pasur mandat të plotë dhe tash mbetet një barrë mbi Kosovën.

Ajo që tash Kosova duhet ta kuptojë është se kjo çështje ngarkohet mbi Kosovën si shtet i ri. Tashmë nuk është çështje se a duhet apo nuk duhet, është çështje që, e para Kosova ta marrë këtë përgjegjësi, të japë gjithë përkrahjen e nevojshme gjykatës dhe që sa më shpejt këto pretendime të hetohen dhe kjo situatë të sqarohet, sepse po krijohet një barrë e rëndë mbi Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet e larta serbe kanë paralajmëruar mundësinë e një rezolute të re për Kosovën. Cilat efekte, sipas jush, përpiqet t’i bëjë Serbia me një rezolutë të tillë?

NAIM RASHITI
Është pak herët të thuhet, por megjithatë presupozoj se janë dy qëllime që dëshiron kryeministri i ardhshëm t’i arrijë: e para që t’i dëshmojë Evropës se mbetet i përkushtuar në dialog dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën; dhe e dyta është çështja që zoti Vuçiq, i cili do të udhëheqë me dialogun, nuk do që të marrë përsipër tërë përgjegjësinë, po të ketë një përkrahje më të gjerë politike.

Ndwrsa, e treta është çështje administrative, sepse Serbia i ka bërë të gjitha këto marrëveshje duke mos modifikuar mjaftueshëm legjislacionin dhe ka pasur momente kur këto marrëveshje janë sfiduar nga Gjykata Kushtetuese ose elemente të marrëveshjeve nga Gjykata Kushtetuese.

Serbisë, në formën se si e ka të organizuar administratën në Kosovë, i duhet një vendim përtej ndryshimit të legjislacionit për të krijuar mundësi ligjore për ta ndërprerë administrimin apo shërbimet administrative që i kryen në Kosovë. Serbia duhet të krijojë një situatë ku ligjërisht tërheq dhe eliminon gjithë administratën e saj në Kosovë dhe njeh vendimet e lëshuara nga institucionet kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi kanë përfunduar, ndërkohë që zgjedhje të përgjithshme pritet të mbahen edhe në Kosovë. Sa do të ndikojë kjo në dinamikën e dialogut Kosovë – Serbi, por edhe në dinamikën e zbatimit të marrëveshjeve të deritashme?

NAIM RASHITI
Dihet tashme që ciklet zgjedhore në Kosovë e Serbi janë bërë pengesë për implementimin e marrëveshjeve dhe pengesë për arritjen e marrëveshjeve të reja. Që nga nëntori nuk kemi pasur marrëveshje të reja. Ekipet negociuese dhe kryeministrat janë takuar, por nuk kanë arritur t’i formulojnë.

Situata më eklatante ishte në raundin e fundit të negociatave ku pothuajse gjithçka ishte arritur për marrëveshjen, mirëpo kryeministri Daçiq ndihej i pafuqishëm në këtë tranzicion deri në formimin e qeverisë që të formalizonte marrëveshjen për gjykata dhe kjo është lënë vetëm që të kryhet formalisht pas formimit të Qeverisë (në Serbi).

Është e çuditshme se elemente të tilla të vogla të implementimit që natyrisht janë të rëndësishme për funksionimin e rendit dhe ligjit në veri, mbeten peng i një formimi të Qeverisë, me gjithë faktin që të njëjtit njerëz, të cilët kanë negociuar marrëveshjen, do të jenë edhe udhëheqësit e Qeverisë në Serbi. Natyrisht, edhe pjesën tjetër, në anën e Kosovës - Kosova nuk do të angazhohet fuqishëm në negociata pa marrëveshje të reja deri pas ciklit zgjedhor, edhe pse është shumë e paqartë se kush do të jetë udhëheqësi dhe formati i udhëheqjes së dialogut pas zgjedhjeve.

Çështja tjetër ka të bëjë edhe më aktorët e dialogut teknik. Për shembull, është i paqartë pozicioni i Vulinit se ku është deri në formimin e Qeverisë, i cili ka pasur barrën kryesore të implementimit në terren dhe gjithë ky proces i varur mbi personalitetet dhe shumë i diktuar nga individët dhe jo nga grupet punuese dhe nga sistemi, tregon se dialogu nuk është shtrirë në nivel qeverish po ende mbetet në nivel shumë të ngushtë të kryeministrave.

Është shumë e rëndësishme që Prishtina të bëjë gjithçka që të vendosë një komunikim direkt me të zgjedhurit dhe të afrojë sa më shumë pjesën e vet që dialogu të implementohet në terren deri në fazën kur prapë dy qeveritë të angazhohen në mënyrë aktive.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka ndryshuar gjendja në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale atje dhe a po shkohet drejt integrimit në sistemin e Kosovës apo në të kundërtën?

NAIM RASHITI

Gjendja ka filluar të ndryshojë, nuk ka ndryshuar po është në startin e vet të ndryshimit. Kemi një shkëputje graduale apo fillim të një procesi të shkëputjes së institucioneve serbe nga veriu dhe fillim të vendosjes dhe operacionalizimit të institucioneve të Kosovës. Ky proces do të jetë i zgjatur dhe më shumë do të jetë i komplikuar për faktin se nuk ka ndonjë strategji të caktuar dhe të detajuar të tranzicionit.

Atje, në veri, për shkak që deri tani ka funksionuar në tërësi administrata serbe, nuk ka mundësi të bëhet një prerje, por duhet një fazë transitore, mirëpo askush nuk e ka përgatitur këtë fazë transitore.

Elementet që tregojnë se veriu është drejt integrimit të Kosovës, ka mjaft. Është funksionimi i plotë i kufirit, zgjedhjet, integrimi i pjesëtarëve të ish-MUP-it në kuadër të Policisë së Kosovës, të cilët tani kryejnë detyrën nën uniformën e Kosovës, dhe nën urdhrin e komandës rajonale.

Gradualisht, vendosja e administratave komunale, por e cila dinamikë po shkon shumë më ngadalë sesa që është dashur dhe që është pritur, dhe kjo për shumë arsye.

E para është që Beogradi ende nuk ka një agjendë të eliminimit të institucioneve serbe atje, dhe Prishtina ende nuk ka ndonjë agjendë të saktë të transformimit të plotë të institucioneve atje, dhe transformimit të veriut në kuadër të juridiksionit të Kosovës. Gjithçka, çdo detaj po mbetet duke u negociuar, kjo për faktin edhe që liderët e zgjedhur në veri nuk ndihen përgjegjës ndaj votuesit dhe kanë ende sfida sa i përket përkrahjes së popullatës.

Ata nuk janë të zgjedhur ndihen sikur të emëruar nga Serbia pavarësisht se kanë dalë në zgjedhje dhe për çdo detaj duhet që Beogradi apo Zyra për Kosovë të jetë e involvuar, e cila po e ngadalëson procesin e vendosjes së plotë të institucioneve të Kosovës në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkupton kjo që në Kosovë ende funksionojnë institucionet paralele serbe?

NAIM RASHITI
Me përjashtim të transformimit të ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës, të gjitha institucionet që kanë operuar deri vitin e kaluar në tërë Kosovën, operojnë edhe më tutje. Deri në komunat paralele, administrata fiskale, posta, mos të flasim për arsimin dhe shëndetësinë, të cilat janë të pranueshme edhe në kuadër të Pakos së Ahtisarit, dhe të cilat më pak sjellin dëm në funksionalitetin e Kosovës. Gjykatat në veri janë ende aktive, nuk trajtojnë lëndë penale, por trajtojnë lëndë civile, i gjithë stafi, administrata është aty. Dhe, ende nuk ka filluar tranzicioni i tyre apo shuarja e tyre, përveç pjesëtarëve të policisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit serbë në komunat veriore po thirren në neutralitetin e statusit të Kosovës dhe Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. A mendoni se ka përpjekje nga serbët e veriut për krijimin e pushtetit të tretë apo ndarjes së brendshme të Kosovës?

NAIM RASHITI
Në një formë, për të gjithë ata në veri është e qartë se ata kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Republikës së Kosovës, dhe është e qartë që ata janë aty për të implementuar legjislacionin e Kosovës. Megjithatë ata shpesh veprojnë ashtu siç iu thuhet nga Beogradi, nga institucione të veçanta siç është Zyra për Kosovë e Metohi dhe e shohin këtë proces përtej Ahtisarit dhe përtej statusit të Kosovës; e shohin se marrëveshja e Brukselit ka derivuar një sistem tjetër, një marrëveshje tjetër, një mekanizëm tjetër dhe jashtë statusit dhe jashtë çështjes së statusit.

Disa edhe besojnë se i gjithë ky proces është neutral ndaj statusit dhe Asociacioni i komunave do të jetë ai mekanizmi që do të ndërtojë një pushtet të tretë për ta, e i cili do t’i mbajë larg Prishtinës. Kështu u është thënë nga Beogradi, vazhdimisht, dhe vazhdon t’iu thotë atyre se asociacioni do të jetë pushtet mes komunave serbe dhe Prishtinës dhe më e rëndësishmja ju thotë se do të jetë lidhja mes serbëve dhe Beogradit dhe kjo po e dëmton procesin.

Beogradi ende nuk i ka shpjeguar si duhet edhe çështjet e zgjedhjeve, ato të komunave dhe çështjen e asociacionit. Besoj që gradualisht Beogradi duhet t’u tregojë, edhe pse disa përfaqësues të serbëve kanë filluar të kuptojnë, sidomos ata në jug, se janë brenda juridiksionit të Republikës së Kosovës, por ambicia për të krijuar një pushtet të tretë, mbetet, është qëllim i tyre.

Ky qëllim i tretë nuk ekziston në kuadër të juridiksionit të Kosovës. Vështirë të besohet, dhe nuk besoj se Prishtina do të pranojë të krijojë një pushtet të tretë. Dhe, ky proces do të jetë një fazë e re e negociatave të vështira dhe një procesi të rëndë ndërmjet serbëve dhe Prishtinës, dhe në veçanti ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG