Ndërlidhjet

Qeveria pa zëdhënës, por me SMS e Facebook


Ilustrim
Ilustrim
Komunikim me mediat përmes mesazheve telefonike, postimeve në Facebook apo Twitter, por jo edhe përmes një zëdhënësi, janë një metodë që ka instaluar për më gjatë se tri vjet Qeveria e Kosovës dhe kreu i saj. Gazetarët, këtë veprim e quajnë jotransparencë dhe diktat informativ.

Besnik Krasniqi, është gazetar në të përditshmen Koha Ditore që mbulon aktivitetet politike të qeverisë dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Ai thotë se gjatë gjithë këtij mandati ka hasur në shumë vështirësi në marrjen e informatave apo prononcimeve politike nga qeveria.

“Gjatë gjithë këtij mandati, ne, si gazetarë, kemi pasur shumë probleme për të ardhur deri tek informata apo për të marrë qëndrime të caktuara politike nga Qeveria apo Zyra e kryeministrit, pikërisht për shkakun se ka munguar një zëdhënës. I gjithë komunikimi ka qenë i tkurrur në këtë sms-komunikim që në rastin më të mirë ne kemi mund të marrim një përgjigje me një rresht, por na ka ndodhur të mbetemi fare edhe pa përgjigje”, thotë Besnik Krasniqi.

Për përvojat jo të mira të vendosjes së një komunikimi normal në relacionet media – Qeveri, flet edhe gazetari Fidan Rama nga e përditshmja Tribuna. Ai thotë se mungesa e një adrese për të marrë deklarata e qëndrime politike nga Qeveria, po krijon hendikep në punën e gazetarëve.

“Shumicën e rasteve, ne, si gazetarë, kemi qenë të hendikepuar në qasje, në informatë apo përgjigje, sidomos te Zyra e kryeministrit për shkak se nëse ke pasur nevojë për një deklaratë apo informacion është dashur të kontaktohet direkt ministri e zyrtarë të lartë gjë që ka qenë mjaft e vështirë, sepse ata nuk janë përgjigjur në telefon”, deklaron Fidan Rama.

Për hallet e tij gjatë punës si gazetar, për shkak të mungesës së transparencës politike flet edhe Ermal Panduri nga Radio Dukagjini. Ai thotë se mungesa e një adrese komunikimi me qeverinë po e pamundëson edhe vënien e balancave në gazetari.

“Gjithsesi ne duhet të thirremi edhe në burime, sepse thirremi në sms-të që na i dërgojnë. Puna e gazetarit është jashtëzakonisht sfiduese sepse nuk mund të balancohet informata, kronika në rast se nuk e ke një njeri, i cili është aty për të dhënë informacion, të cilin ne si gazetarë e kërkojmë dhe jo informata që na servohen”, thekson Ermal Panduri.

Kohët e fundit, kryeministri Hashim Thaçi, por edhe ministra të kabinetit të tij janë më aktiv në rrjetet sociale. Megjithatë, postimet e tyre gazetarët i shohin në funksion të promovimeve politike dhe fushatës ende të pashpallur zgjedhore dhe të papërdorshme për nevojat e tyre si media.

Postime të tilla në Facebook apo Twitter e Instagram, për gazetarin Fidan Rama janë vetëm pjesë e fushatës politike, por nuk kanë të bëjnë me transparencën qeveritare në raport me mediat dhe opinionin.

“Metoda e re që sot kryeministri po përdor përmes faqes Facebook më shumë shkon në favor të tij personal, sepse disa gjëra që ai po i thotë e shkruan aty, nuk ka mundur t’i thotë as në konferenca për shtyp e as përmes zëdhënësit. Kjo tregon mjaft mirë se përdorimi i Facebook-ut u shkon shtati promovimeve të tij sesa që mund të jenë të përdorshme apo në favor të gazetarëve”
, shton Rama.

Edhe gazetari Besnik Krasniqi thotë se postime të tilla, u hyjnë në punë kryeministrit dhe politikave të tij, por jo mediave.

“Është e çuditshme se si është përcaktuar për këtë mandat në këtë mënyrë kryeministri. Kjo u ngjan liderëve totalitarë, të cilët e përqendrojnë gjithë informatën rreth vetes. Ndoshta ai ka mungesë besimi në stafin e tij për të përçuar mesazhe në publik dhe nuk ka ndonjë arsye tjetër që ne na bën të besojmë se përse është përcaktuar për këtë mënyrë”, pohon Krasniqi.

Ndërkohë, që për trendin e postimeve në Facebook dhe rrjete tjera sociale, nga ana e politikanëve, gazetari Ermal Panduri thotë se ato servohen të gatshme dhe pa mundësi të ndërhyrjeve. Kështu që kryesisht janë të papërdorshme dhe informacione të njëanshme.

“Asnjëherë postimet në Facebook e rrjete sociale nuk e arsyetojnë dhe nuk janë të mjaftueshme për ne, si gazetarë, që të kemi informatë të mjaftueshme për trajtimin e temave”, shprehet Panduri.

Gjatë mandatit të qeverisë së kaluar, e cila po ashtu ishte drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, gazetarët thonë se të paktën në lidhje me qëndrimet politike kishin një adresë kujt t’i referoheshin, ngase ekzekutivi kishte një zëdhënës, që prezantonte politikat e kryeministrit dhe Qeverisë.

Kurse, aktualisht, një formë tjetër e komunikimit me mediat është ajo e dërgimit të komunikatave. Mirëpo, edhe kjo formë, sipas gazetarëve, nuk i plotëson kërkesat pasi që edhe informata të tilla cilësohen të njëanshme.
XS
SM
MD
LG