Ndërlidhjet

Nuk përjashtohen sanksionet e reja kundër Rusisë

  • RFE /RL

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë diskutuar për sanksione të mëtejshme potenciale kundër Rusisë, për shkak të përfshirjes së saj në Ukrainë.

Gjatë bisedës telefonike, dy udhëheqësit i kanë bërë thirrje sërish Moskës që të tërheqë trupat e saj nga rajoni kufitar.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se separatistët pro-rusë, “si duket të mbështetur nga Moska”, janë duke destabilizuar Ukrainën përmes një fushate të orkestruar të nxitjes dhe sabotimit.

Thuhet se Obama ka nënvizuar nevojën që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe partnerët e tjerë globalë të jenë të përgatitur që të godasin Rusinë me sanksione shtesë, për shkak të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar po ashtu Moskën se përdor energjinë për të kërcënuar Ukrainën. Kjo, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar Evropën se furnizimet me gaz në Ukrainë mund të ndërpriten, nëse Kievi nuk paguan borxhin prej 2.2 miliardë dollarësh.

“Ne dënojmë përpjekjet e Rusisë për të përdorur energjinë si mjet detyrimi kundër Ukrainnës”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

Kremlini ka thënë të enjten se Putini ka paralajmëruar udhëheqësit evropianë se borxhi i Ukrainës mund të ndikojë kalimin e gazit rus në shumë vende të Evropës.

Në letrën dërguar udhëheqësve të 18 vendeve të BE-së, Putini ka thënë se, nëse Ukraina nuk paguan borxhet, Gazpromi do të pushojë tërësisht ose pjesërisht furnizimet me gaz.

Putini po ashtu ka thënë se Rusia është e përgatitur të marrë pjesë, së bashku me Bashkimin Evropian, në përpjekjet për të ringjallur ekonominë e Ukrainës.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, udhëheqësit evropianë që kanë marrë letrën e Putinit, përfshijnë ata të Francës, Gjermanisë, Austrisë, Italisë dhe Sllovakisë.

Ndërkohë në Uashington, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë në një seancë dëgjimore të Senatit se kriza në Ukrainë ka pasur efekt negativ edhe në ekonominë e Rusisë.

“Mbi 25 miliardë dollarë janë shpenzuar nga Federata Ruse gjatë 5-6 javëve të fundit për të mbështetur rublën, për ta mbrojtur atë”, ka thënë Nuland.

Ajo po ashtu ka përmendur largimin e kapitalit nga Rusia në çerekun e parë të këtij viti, për të cilin ka thënë se ka qenë më i madh se humbja e kapitalit gjatë gjithë vitit 2013.

Në një tjetër zhvillim, sekretari i Thesarit amerikan, Jack Lew, ka paralajmëruar Rusinë se çdo marrëveshje e naftës me Iranin mund të shkaktojë sanksione.

Reuters ka raportuar javën e kaluar se Irani dhe Rusia kanë avancuar drejt një marrëveshjeje, sipas së cilës, Rusia do të sigurojë pajisje dhe mallra për Iranin në këmbim me naftën e tij.

Raporti ka thënë se marrëveshja mund të kapë vlerën e 20 miliardë dollarëve.(v.tela)
XS
SM
MD
LG