Ndërlidhjet

Mandati i EULEX-it dhe Tribunali, javën e ardhshme në Kuvend


Ilustrim
Ilustrim
Mandati i misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, pritet të definohet qartë me autoritetet kosovare nga java e ardhshme, lajmëroi të premten shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt.

Paralel me këtë ndërmarrje, pritet të trasohen edhe binarët për themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, e cila do të merret me gjetjet e ekipit të posaçëm hetues, për pretendimet që ka hedh ish-senatori zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty, se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë të përfshirë në një zinxhir ndërkombëtar të trafikimit të organeve.

“Gjatë javës së ardhshme, me sa duket, gjërat rreth mandatit të ardhshëm të EULEX-it, do të shtjellohen tutje. Me gjasë madje, edhe në parlamentin e Kosovës. Jemi shumë të interesuar që t’i shohim këto diskutime të finalizohen, si është më së miri për Kosovën. Kështu që të kemi një bazë për misionin që të vazhdojë punën në konsolidimin e sundimit të ligjit”, ka thënë shefi i EULEX-it.

Kosova po kalon nëpër një proces të negocimit të mandatit të ri të EULEX-it në Kosovë, që shihet si një proces i rëndësishëm për sundimin e ligjit në vend, dhe për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Diplomati gjerman Borchardt shpjegoi të premten para një paneli që kishte thirr Grupi për Studime Juridike dhe Politike, se EULEX-i dëshiron që t’i përfundojë rastet e nisura të krimeve të luftës, korrupsionet dhe krimit të organizuar, por se është shoqëria kosovare ajo e cila duhet të fitojë luftën kundër mosndëshkueshmërisë.

Me mandatin e ri, të parashikuar për EULEX-in, sipas shefit aktual Bernd Borchardt, policët, prokurorët dhe gjyqtarët evropian do të kenë më shumë bashkëpunim me autoritetet kosovare, sa i përket krimeve të luftës, jashtë atyre që përmenden në raportin e Dick Marty, me të cilat do të merret ekskluzivisht Gjykata Speciale.

Ta them ilustrativisht. Institucionet e Kosovës [deri më tani] kanë qëndruar pranë pishinës, kurse EULEX-i notonte brenda. Tani duam që të notojmë bashkë. Duke ruajtur dhe duke qenë aty si një rrjet i sigurisë. Ky është ndryshimi fondamental sipas mandatit të ri, dhe është rruga e duhur para”, ka shpjeguar ai.

Fisnik Korenica
, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, paraqiti një raport për ndryshimin e mandatit të misionit evropian, sipas të cilit del se përkundër vërejtjeve për punën e EULEX-it, dhe mënyrës se si i është qasur ky mision problemeve në terren, Kosova megjithatë ka ende nevojë për këtë ndihmë nga evropianët.

Janë disa indikator shumë negativë të sundimit të ligjit në Kosovë, që e bëjnë të nevojshme për Kosovën që ta ketë një mbështetje të një misioni sikur EULEX-i, edhe për një periudhë 2 vjeçare, së paku".

"Dhe, kjo është një garancion se Kosova do t’i afrohet perspektivës evropiane, përmes partneritetit me një mision ndihmues, i cili në fakt, nuk e zbeh e as nuk i pakëson karakteristikat e sovranitetit të shtetit të Kosovës, por veçse e ndihmon Kosovën në përballimin e sfidave në sundimin e ligjit”
, tha ai.

Enver Peci, që kryeson Këshillin Gjyqësor të Kosovës, tha se parashikimet janë që EULEX-i do të merret vetëm me rastet që i ka në dispozicion, dhe t’i përfundojë ato.

Sipas tij, autoritetet gjyqësore presin që nga ky bashkëpunim të përfitojnë, apo të paktën t’i rregullojnë problemet e deritashme.

“Unë po shpresoj se ky ristrukturim, edhe prej ndoshta gabimeve që i kanë pasur në të kaluarën EULEX-i, do t’i korrigjojmë bashkërisht, dhe do të ketë efikasitet më të madh në të ardhmen”, tha kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në anën tjetër, ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Robert Bosch, tërhoqi vërejtjen që të eliminohen kontradiktat rreth nevojës apo jo të pasurit një mision të tillë evropian në Kosovë.

Sipas tij, në kohën kur pritet të vendoset për mandatin e EULEX-it dhe themelimin e Gjykatës Speciale, në Kuvendin e Kosovës, është kundër-produktive që të thuhet se Kosova nuk ka më nevojë për EULEX-in.

Gjykata Speciale, është po ashtu pjesë e EULEX-it”, tha Bosch.

“Mos u brengosni shumë, sepse do të ketë edhe vlerësim nga ana jonë, për të parë nëse kjo metodë po funksionon. Dhe nëse nuk funksionon, atëherë sigurisht se do të ketë pasoja për integrimin e Kosovës në BE”, shtoi ai.
XS
SM
MD
LG