Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Premtimet për investime, fushatë


Shkup

Shkup

Premtimet për investime të huaja nuk kanë të ndalur nga partitë politike të cilat për të tërhequr sa më shumë vota paralajmërojnë hyrjen në Maqedoni të dhjetëra të kompanive të fuqishme nga jashtë.

Madje, kryeministri Nikolla Gruevski në një rast paralajmëroi një investim që do të hapte së paku 5 mijë vende punë ndërsa në total, ai beson se në Maqedoni gjatë katër viteve të ardhshme mund të hapen deri në 70 mijë vende pune nga investitorë të huaj.

Por, sipas ekspertëve për çështjeve ekonomike, premtimet e tilla nuk janë aspak reale nëse merren për bazë të dhënat statistikore mbi investimet e jashtme.

Ish ministri i Financave, Nikolla Popovski, thotë se në Maqedoni tanimë është bërë praktikë që investimet të huaja të rriten nga institucionet apo të paralajmërohen vetëm gjatë cikleve zgjedhore, por realiteti dëshmon krejt të kundërtën.

“Në statistikat e Bankës Popullore investimet direkte nga jashtë janë në nivel shumë të ulët kurse nga ana tjetër në vazhdimësi paralajmërohen kompani të mëdha se dëshirojnë të investojnë në vend, se me këto investime do të punësohet mijëra persona e kështu me radhë".

"Por, për fat të keq nga këto premtime nuk ka thuajse asgjë, ato shumë pak realizohen pasi investimet e huaja nuk varen nga vullneti apo dëshira e politikanëve tanë, por nga mundësitë dhe kapacitetet që ka Maqedonia për biznesin e tyre. Nëse nuk kanë leverdi asnjë investitorë nuk do të rrezikonte kapitalin e tij te ne“, thotë Popovski.

Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se në muajin janar në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 16.3 milionë euro investime të huaja, që është thuajse dy herë më pak se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar kur kishte 34 milionë euro investime nga jashtë.

Bilall Kasami, profesor i ekonomisë në Universitetin Ballkanik të Shkupit, thotë se situata e tillë është pasojë e politizimit të çdo segmenti të ekonomisë, e cila duke u vendosur në shërbim të politikës ditore, po dëmton jo vetëm investimet e jashtme, por edhe bizneset vendore.

“Mendoj se përfundimisht zhvillimi ekonomik në përgjithësi është vënë në funksion të politikës ditore, edhe atë jo në funksion të politikave afatgjate por në funksion të politikës ditore dhe kjo në periudhën afatmesme do të jetë shumë problematike për ekonominë e vendit sepse të gjitha këto investime që premtohen janë një shpresë e kot për njerëzit pasi përvoja tregon se nga kjo nuk do të ketë asgjë, pra e gjithë kjo do të jetë një eufori zgjedhore“, thotë Kasami.

Ai tërheq vërejtjen edhe nga biznismenë të paguar, të cilët për shuma të majme parash vijnë dhe paralajmërojnë investime ndërsa pas zgjedhjeve zhduken sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

“Pas zgjedhjeve ata askush më nuk do ti përmend për shkak se këtu fatkeqësisht edhe hapësira mediatike është e kufizuar dhe askush nuk do ta hap këtë temë se çfarë u bë me këta investitor e kështu me radhë“, thotë ai.

Ndryshe, sipas partive në pushtet, investimet e huaja duhet të nisin aktivitetet e tyre menjëherë pas zgjedhjeve, edhe atë në zonat e shumta të lira ekonomike që janë hapur në më shumë qytete të Maqedonisë, por që ende nuk kanë parë ndonjë investitorë të jashtëm.
XS
SM
MD
LG