Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja që nuk normalizoi ende Kosovën dhe Serbinë


Ilustrim

Ilustrim

Pas konfliktit të përgjakshëm dhe armiqësive, Kosova dhe Serbia po i afrohen përvjetorit të parë të arritjes së Marrëveshjes së 19 Prillit, e cila nga faktori ndërkombëtar ishte cilësuar si një zhvillim historik për të ardhmen paqësore të Ballkanit.

Kjo marrëveshje politike e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si bazë ka vendosjen e parimeve të para të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, në praktikë, ajo synon të vendosë një zgjidhje për pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, si dhe të vendosë rend e rregull në kufirin verior të Kosovës me Serbinë, sa i përket qarkullimit të njerëzve dhe mallrave.

Marrëveshja e 19 Prillit, cilësohet si hapi i parë në rrugën e gjatë të këtij normalizimi, që sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, do të duhet të kalojë nëpër pesë etapa deri te vendosja e marrëdhënieve normale ndër-fqinjësore.

Së pari, Serbia të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën. Së dyti, Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat ilegale paralele në Republikën e Kosovës. Së treti, të lejojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Së katërti, mosbllokimi i Kosovës nga ana e Serbisë në organizata të ndryshime evropiane duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Së fundi, duhet të pasojë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Vetëm pas plotësimit të këtyre pesë kushteve, ne mund të flasim për normalizim të marrëdhënieve”,
ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Dialogu politik dhe marrëveshja ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit ishte rezultat i negociatave ndërmjet kryeministrave të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

Megjithatë, zbatimi i saj në praktikë, vlerësohet se ka ngecur në shumë pika. Sidomos përmenden ngecjet në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës, pastaj në zhbërjen e formacionit ilegal nga fusha e sigurisë, “Mbrojtja civile” e deri te vonesat në miratimin e statuteve të komunave të reja dhe konstituimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku e kishte lënë fajtor Beogradin për këto vonesa.

“Ne e kemi pranuar se tashmë jemi vonë sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së 19 Prillit, sidomos në fushën e drejtësisë. Mirëpo, këto zvarritje dihet se kanë ardhur nga pala e Serbisë dhe ne presim që këto zvarritje që kanë ekzistuar deri më tani, të tejkalohen dhe të kalohet në zbatimin e saj në praktikë”, ka deklaruar Çollaku.

Elemente tjera që kanë ngadalësuar ritmin e zbatimit të Marrëveshjes Prishtinë – Beograd, konsiderohen zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë ka thënë se proceset zgjedhore kanë ndikuar në dinamikën e zbatimit. Por, ai ka vërejtur edhe një element tjetër që nuk ishte shumë i favorshëm për këtë proces, e që ka të bëjë me personalizimin e dialogut nga ana e lidershipeve politike në Beograd dhe Prishtinë.

“Gjithë ky proces i varur nga personalitetet dhe shumë i diktuar nga individët dhe jo nga grupet punuese dhe sistemi, tregon se dialogu nuk është shtrirë në nivel qeverish, por ende mbetet në nivel shumë të ngushtë të kryeministrave”, ka vlerësuar Rashiti.

Pas marrëveshjes së 19 Prillit, me miratimin e Beogradit, u arrit që për herë të parë zgjedhjet lokale në Kosovë të shtrihen edhe në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Pas 13 vjet të funksionimit jashtë ligjeve të Kosovës, edhe këto komuna pranuan të marrin pjesë në zgjedhje. Por, ajo që aktualisht shqetëson një pjesë të spektrit politik në Prishtinë dhe shoqërinë civile, është fakti se sa në të vërtetë po integrohet kjo pjesë e Kosovës.

Analisti Mazllum Baraliu ka thënë se vlerëson që Beogradi edhe më tutje ka një ndikim të fuqishëm atje dhe po e mban peng këtë integrim.

“Pikërisht ajo është dilema, të cilën e kemi të gjithë ne qytetarët e Kosovës. Dilema është se a po shkohet drejt integrimit apo dezintegrimit. Unë jam skeptik, dyshoj shumë dhe frikohem se atje po ndodh pikërisht kjo (dezintegrimi), nën dirigjimin e Beogradit. Duhet të vetëdijesohemi dhe të punojmë seriozisht që ta parandalojmë këtë, që të mos ndodhë”, ka theksuar Baraliu.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të jetë mjaft afatgjatë dhe sipas paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Ky normalizim, nga Brukseli po shihet si i domosdoshëm nëse Serbia dhe Kosova duan të jenë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG