Ndërlidhjet

logo-print

LDK-ja e AAK-ja, mbështesin Tribunalin


Ligjivënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Ligjivënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Java e ardhshme thuhet se do të jetë vendimtare sa i përket krijimit të një gjykate speciale për krime lufte që pretendohet se janë kryer në Kosovë.

Partitë politike opozitare, pos Vetëvendosjes, janë deklaruar se do ta mbështesin në Kuvend krijimin e kësaj gjykate. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se edhe pse formimi i një gjykate të tillë është çështje e ndjeshme, Lidhja Demokratike e Kosovës, në parim do të përkrahë një kërkesë të tillë.

“Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, deri në mes të qershorit 2016, duhet të bëhet, por që tani konsiderojmë që edhe Gjykata Speciale për Krime të pretenduara në raportin e zotit Marti duhet të vihet në Kuvend në rend të ditës dhe ne, si LDK, do ta formalizojmë sigurisht qëndrimin në organin kompetent, në Kryesinë e LDK-së. Unë mund të them se atmosfera është që të jetë pro një votimi të tillë”
, tha Beqiri.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se e përkrah votimin në Kuvend për krijimin e Tribunalit për Kosovën.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se Kuvendi duhet të marrë vendim për këtë gjykatë, e jo që për një gjë të tillë të vendosë Këshillit të Sigurimit i OKB-së.

“Ne e përkrahim votimin e kësaj gjykate, për dy arsye: E para ne kemi interes të përmbyllen thashethemet rreth hetimeve, rreth asaj që është thënë në vazhdimësi. Dhe, e dyta, nuk dëshirojmë që për një temë të tillë të merret Këshilli i Sigurimit. Pra, kemi një qëndrim parimor dhe vazhdojmë ta mbajmë këtë qëndrim”, deklaroi Haradinaj në një konferencë për media, pas takimit që pati me kampionin botëror të boksit, Haxhi Krasniqi.

Haradinaj shtoi, po ashtu, se hetimet, të cilat do t’i bëjë kjo gjykatë, nuk kanë mundur të bëhen nga gjykatat vendore, dhe si rrjedhojë ato duhet të bëhen nga ndërkombëtarët.

“Pra, këto hetime që kanë ndodhur në Kosovë, nuk janë të karakterit vendor, janë të një karakteri ndërkombëtar. Vetvetiu ekuivalent me nivelin e hetimeve duhet të jetë edhe niveli i gjykatës. Në rast se nuk t’i ka besuar hetimet bashkësia ndërkombëtare, nuk po ta beson as gjykimin e të gjeturave".

"Pra, është një epilog gati se i pashmangshme real i asaj se si kemi arritur deri këtu. Unë kam shprehur vërejtjet e mia në institucionet e vendit me Qeverinë, me mënyrën e menaxhimit të Gjyqësorit, për mënyrën e menaxhimit të temave në vazhdimësi, por tani është vonë t’i adresojmë kritika dikujt, sepse proceset po ndodhin”,
tha Haradinaj.

Haradinaj, duke folur para gazetarëve, për gjykatën dhe imazhin e Kosovës thanë se imazhi i Kosovës është dëmtuar me faktin se është dashur të bëhen hetime, mbi bazën e raportit të euro-deputetit Dick Marty.

Kurse, Beqiri tha se LDK-ja nuk është e kënaqur se si janë duke funksionuar organet e sistemit të drejtësisë, por mosfunksionimi i gjykatave në vend nuk është preteksti kryesor se pse duhet të formohet Tribunali.

“Ka interferime në punën e organeve të drejtësisë. Nuk po them që ky është preteksti kryesor se pse do të duhej ne të përkrahnim themelimin e kësaj gjykate. Sidoqoftë, është parë si e domosdoshme dhe kemi ardhur para një situate që ekzistojnë këto dy mundësi - ajo që e thashë më herët, të votohet në Kuvendin e Kosovës themelimi i një gjykate të tillë, apo të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe ne sigurisht jemi për variantin e parë”, pohoi Beqiri.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje u shpreh e pozicionuar qartë kundër themelimit të kësaj gjykate. Glauk Konjufca tha se me formimin e këtij mekanizmi, do t’u bëhet dëm interesave kombëtare shqiptare.

“Mendoj se krijimi i këtij tribunali do t’i bënte shumë dëm interesit kombëtar shqiptar përgjatë dy viteve të ardhme, së paku deri në vitin 2016. Në të gjitha mediat, shqiptarët do të portretizohen jo si çlirimtarë, por si njerëz që janë marrë me krime shumë të dyshimta siç është procesi gjyqësor për trafikim organesh”, deklaroi Konjufca.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG