Ndërlidhjet

Kërkojnë punë, por nuk informohen


Ilustrim
Ilustrim
Problemin më të madh pas studimeve të gjithë e kanë punësimin, por pavarësisht kësaj shumë pak prej tyre duken të interesuar për të marrë informacion se si mund të vijnë deri te gjetja e një vendi pune.

Një mundësi e mirë për punësimin e të rinjve, pasi që ata përfundojnë studimet është Fondi zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësimi, i cili pritet të themelohet së shpejti nga Qeveria e Kosovës.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë shumë të rinj, të cilët janë pyetur se a kanë dëgjuar për këtë fond, janë përgjigjur se nuk e dinë se për çka bëhet fjalë.
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:04 0:00
Shkarko


Kaltrina Salihu është studente e vitit të tretë në Universitetin e Prishtinës. Thotë se brengën më të madhe pas studimeve e ka punësimin, por se nuk ka asnjë informatë për Fondin zhvillimor, i cili premton hapje të reja të vendeve të punës në të ardhmen.

“Nuk di, nuk jam e njoftuar për këtë, nuk e di si do të funksionojë. Është e vështire të gjesh punë, nuk kam kërkuar punë pasi që jam ende studente, por që e di që është vështirë”, shprehet ajo.

Ngjashëm, shprehet edhe Ardiana Mulaku:

“Punësimi është i vështirë në Kosovë, sidomos për ne që studiojmë filozofikun. Sa i përket fondit që ju thoni, nuk kam dëgjuar për një fond të tillë që mund të krijojë vende të reja të punës”.

Fondi Zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim është promovuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gati në të gjitha takimet e fundit të tij.

Ky fond ka në fokus investime në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat do të krijojnë më shumë hapje të vendeve të reja të punës.

Fushat e mundshme të angazhimit të fondit mund të jenë: përkrahja për ndërmarrësit e rinj dhe ndërmarrjet e vogla, duke iu dhënë përparësi atyre që hapin më shumë vende te reja të punës, përkrahje për ndërmarrje e mesme që synojnë investime në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit dhe shtimin e të punësuarve.

Taulant Berkaj
është student në fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës në vitin e tretë. Problemin më të madh edhe ai pas studimeve thotë ta ketë punësimin, por që edhe ai di shumë pak për këtë fond.

“Nuk jam i informuar shumë, nuk di çka të them, ndoshta kryeministri dinë më mirë se a do të funksionojë a jo ky fond”, shprehet ai.

Por, në anën tjetër disa të rinj, që janë të informuar, nuk besojnë shumë në këtë fond, i cili mund të sjellë punësim në Kosovë.

Besnik Voca studion në Fakultetin Juridik në vitin e dytë të studimeve. Ai vlerëson se e gjithë kjo mund të jetë vetëm një fushatë parazgjedhore e kryeministrit, pasi ai kujton se ka shumë studentë që kanë përfunduar studimet dhe nuk kanë arritur të gjejnë punë.

“Shpresat janë shumë të vogla, premtimet ka, nuk ka ndonjë shpresë që mund të ketë punësim, duke pasur parasysh edhe gjeneratat e mëhershme, të cilat e kanë përfunduar ndoshta edhe studimet master me nota 10 dhe janë të papunë”, thotë Besniku.

Valmir Krasniqi vjen nga qyteti i Vushtrrisë. Studimet është duke i ndjekur në Universitetin e Prishtinës. Nuk beson shumë që Fondi zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim mund të ulë papunësinë në Kosovë, pasi, sipas tij, janë shumë faktorë ekonomik që duhet të përmirësohen në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik.

“Pa stabilitet nuk ka punësim është problem”, shton Valmiri.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare në 15 vjetët e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë së numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit është mbi 350 mijë, derisa të punësuar llogaritet të jenë janë 400 mijë qytetarë.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është 39 deri 41 për qind.

Për çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30 mijë persona, ndërsa tregu i punës absorbon vetëm 6 mijë sosh.

Disa të rinj tjerë shprehen mjaft pesimistë sa i përket punësimit. Thonë se kanë përfunduar studimet dhe nuk kanë arritur të gjejnë punë, gjë që disa prej tyre mendojnë që shpëtim për ta është largimi nga Kosova në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Lirak Haxhiu 23 vjeç thotë:

“Këtu nuk ka perspektivë, jashtë Kosovës kushtet janë më të mira, punësimi është më i lehtë, pagat janë më të larta”.

Ngjashëm shprehet edhe Teuta:

“Për studentë në veçanti, kushtet këtu te ne janë shumë keq derisa jashtë vendit është më mirë t’u ofrohet mundësia e punësimit. Këtu nuk kam shpresë se mund të ketë përmirësime , nuk po punohet drejt e mirë”.

Lorik Shaqiri ka përfunduar studimet tani dy vjet, por nuk ka arritur të gjejë punë. Atij i kanë humbur shpresat, pavarësisht premtimeve të krerëve institucionalë për hapje të vendeve të reja të punës.

“Nuk besoj se mund të ketë diçka të re për punësim, më kanë humbur shpresat, pavarësisht se ke përfunduar studimet dhe je më i ngritur profesionalisht nuk të ofrohet asnjë mundësi e mirë këtu”, thotë Loriku.
XS
SM
MD
LG