Ndërlidhjet

Lexueshmëria e librit nuk është në nivelin e kënaqshëm, thonë njohës të këtij lëmi. Por, faktorët që ndikojnë në rënien e lejueshmërisë, janë të shumta.

Në tregun e literaturës, një ndikim të padiskutueshëm ka luajtur edhe interneti, nga i cili, libra të shumtë mund të shkarkohen dhe lexohen përmes ekranit.

Gjithashtu, edhe çmimi i lartë i librave në Kosovë, është një ndër arsyet që i shtyn njerëzit të mos lexojnë dhe aq.

Ndërkaq, librat ndërkombëtarë në Kosovë nuk përkthehen në gjuhën shqipe. Libra nga letërsia botërore të përkthyer në gjuhën shqipe, vijnë nga Shqipëria. Këtë e thotë Sabahete Çavdërbasha, nga shtëpia botuese “Dukagjini” , e cila shton se kërkesat për tituj nga letërsia botërore janë të mëdha.

“Sa i përket përkthimeve, gjithmonë ka pasur nevojë për to. Pas luftës përkthimet vijnë nga Shqipëria. Ata gjithmonë nguten. Ne e marrim origjinalin, dhe si e përkthyer vjen shumë shpejt nga Shqipëria, sidomos letërsinë bashkëkohore e kanë bërë biznes me përkthime. Ne e kemi çdo libër pothuajse të përkthyer nga përkthyesit e shumtë që janë në Shqipëri, ndërkaq sa i përket Kosovës, para luftës ka pasur, por janë margjinalizuar të them, dhe nuk ndihen dhe as nuk shihen askund. Ata kur kanë përkthyer libra, kanë përkthyer ashtu si duhet”, thotë Çavdërbasha.

Ajo shton se të rinjtë, në mungesë të librave të përkthyer në mënyrë adekuate, i kërkojnë librat e shkruar origjinal në gjuhë të caktuara.

“Lexuesit që i njohin gjuhët e caktuara, i kërkojnë librat në gjuhën origjinale, pasi që ankohen për përkthimin”,
shton ajo.

Edhe Mirsad Krasniqi, shitës i librave, pohon se kërkesat për libra nga gjuhë të huaja janë të mëdha, edhe pse siç thotë ai, i posedojnë pothuajse pjesën dërmuese që i sigurojnë si të përkthyer nga Shqipëria.

“Libri i përkthyer kërkohet mjaft dhe vijnë nga Shqipëria. Atje përkthehen librat dhe ne i marrim në shitje. Ka kërkesa shumë të mëdha për libra të përkthyer, kërkesat janë janshtëzakonisht të mëdha. Unë kam edhe libra në gjuhë tjera që kërkohe. Mendoj se libri në v endin tonë, lexohet mesatarisht, edhe pse çmimi i librave është pak i lartë për standardin tonë. Librat e përkthyer kushtojnë nga 8 deri në 15 euro”
, tregon Krasniqi.

E, qytetarët mendojnë se çmimet e librave janë të shtrenjta dhe kjo është arsyeja kryesore pse ata nuk lexojnë shumë.

“Shumë shtrenjtë. Lexoj libra shumë, sepse jam studente e Gjuhës Shqipe, por janë shumë shtrenjtë. Kam mundësi që t’i blej disa prej tyre, por jo aq sa kam dëshirë të lexoj”, thotë Mimoza Venhapi.

Një tjetër shitës i librave, Kastriot Beqiri, ka vërejtur interesimin e madh nga ana e qytetarëve për librat, por shitje të paktë. Sipas tij, blerësit ankohen për çmime të larta të librave. Librat e përkthyer, bën të ditur Beqiri, kushtojnë deri në 20 euro, pasi që ata tituj janë zakonisht më të shiturit në botë.

“Ka shumë kërkesa për libra, por duke e pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike, e shohim që kërkesa ka shumë, por njerëzit nuk blejnë aq. Zakonisht, çmimet e librave që janë të përdorur janë nga 50 centë deri në 2 euro, derisa botimet e reja nga 5 euro deri 20 euro", thotë Beqiri.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG