Ndërlidhjet

Ukrainë: Të vrarë dhe të plagosur në Sllovjansk


Barrikadat jashtë stacionit policor në Sllovjansk
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:03 0:00

Barrikadat jashtë stacionit policor në Sllovjansk

Ministria e Brendshme e Ukrainës thotë se ka “të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët” në operacionin “anti-terror” në qytetin lindor, Sllovjansk.

Ministri i Brendshëm i përkohshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, ka shkruar në faqen e tij në Facebook, se të dielën një oficer i forcave të sigurisë së Ukrainës është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, në luftimet e armatosura me aktivistët pro-rusë.

Ai ka thënë se ka “numër të paidentifikuar” të viktimave në anën e separatistëve.

Avakov ka theksuar se afro një mijë vetë po i mbështesin separatistët, të cilët kanë filluar t’i përdorin civilët si “mburojë e gjallë”. Sipas tij, forcat e sigurisë po “rigrupohen”, por nuk ka dhënë më tepër detaje.

Sllovjansk është njëri nga qytetet në pjesën lindore të Ukrainës, ku të shtunën aktivistët e armatosur pro-rusë e kanë marrë kontrollin ndaj stacioneve të policisë.

Mediat kanë raportuar se të shtënat me armë kishin shpërthyer kur forcat e sigurisë iu afruan një pengese rrugore të ngritur nga separatistët.

Pavel Petrov, i paraqitur si komandant i forcave separatiste pro-ruse, duke folur në televizionin rus, Rossia 24, lidhur me situatën e krijuar në qytetin Sllovjansk, pos tjerash ka tha:

“Sipas informatave të fundit, 150 njerëz, të veshur me uniforma të forcave speciale të Ministrisë së brendshme të Ukrainës, kanë lëvizur këmbë kah qyteti Sllovjansk. Aty janë edhe 5 e deri në 7 makina të blinduara, që lëvizin në drejtim të njëjtë. Ne do t’i ndalim ata pavarësisht se çfarë çmimi do të paguajmë dhe nuk do t’i lejojmë që të hyjnë brenda në qytet”.

Qeveria e Ukrainës e ka akuzuar Rusinë për “agresion”, derisa sulmet kundër ndërtesave qeveritare dhe selive të policisë janë përhapur në gjithë pjesën lindore të Ukrainës.

Në qytetin Donjeck, aktivistët prorusë e kanë vazhduar okupimin e ndërtesës kryesore qeveritare, që e kanë marrë para një jave.

Mediat e Ukrainës raportojnë se separatistët prorusë e kanë marrë kontrollin edhe ndaj zyrës së prefektit në qytetin Mariupol, pas një proteste të qetë të afro një mijë aktivistëve prorusë.

Raportohet se policia nuk ishte përpjekur t’i ndalë separatistët.

Rusia i ka tërhequr vërejtjen Kievit ndaj përdorimit të forcës kundër aktivistëve prorusë në pjesën lindore të Ukrainës.

Aktivistët po kërkojnë referendum për autonomi dhe bashkim të mundshëm me Rusinë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka tërhequr vërejtjen se çfarëdo aksioni i armatosur i autoriteteve në Ukrainë, në pjesën lindore të këtij vendi, do ta rrezikoj mbajtjen e takimit të planifikuar katërpalësh.

Në bisedimet në Gjenevë më 17 të këtij muaji, planifikohet të marrin pjesë Rusia, Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, gjatë një bisede telefonike me Sergei Lavrovin, ka tërhequr vërejtjen se Rusia do të kishte “konsekuenca shtesë” nëse nuk vepron për t’i ulur tensionet në pjesën lindore të Ukrainës dhe nëse nuk i tërheq ushtarët e vet nga kufiri i Ukrainës.

Ambasadori amerikan në Ukrainë, Geoffrey Pyatt, ka shkruan në rrjetin Twitter se “militantët në pjesën lindore të Ukrainës ishin të pajisur me armatim rus dhe kishin uniforma të njëjta me ato që i kanë pasur forcat ruse, që e kanë invaduar Krimenë”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG