Ndërlidhjet

logo-print

Kurti: Tribunali, pikëpyetje për shtetësinë e Kosovës


Ilustrim

Ilustrim

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se më shumë është duke punuar për plotësimin e dëshirave të zyrtarëve në Serbi, se sa të qytetarëve të Kosovës.

Kurti, në mbledhjen e 14-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Qeveria Thaçi, për katër vjet me radhë ka dëgjuar Serbinë dhe ia ka plotësuar dëshirat Daçiqit, kurse tash, së fundi, është kujtuar që për qytetarët e Kosovës që kanë fatin të jenë të punësuar, u është premtuar rritje pagash.

“Kjo është mënyrë tërësisht e gabuar për të udhëhequr me pushtetin dhe shtetin. Ne kemi nevojë për punësim, për kushte më të mira të punës, për shërbime më të mira publike, e jo për sjellje të tilla, ku kryeministri na shfaqet si pronar i buxhetit, të cilin e pranon vet që po e keqpërdor. E pranon vetë që është mbi ligjin e demokracinë”, është shprehur Kurti.

Duke folur për vazhdimin e mandatit të misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, dhe formimit të gjykatës për hetimin e krimeve të supozuara të luftës, Kurti ka thënë se shtetësia e Kosovës është vënë në pikëpyetje.

“Nuk diskutohet më a do të jetë Tribunal apo jo, por cili do të jetë motivi. Dhe, nuk diskutohet më a do të jetë Tribunal apo jo, por cili do të jetë vendi i tij. Dhe, ne tash shantazhohemi - na thuhet, duhet ta zgjidhni të keqen më të vogël”.

“Na shkoi jeta duke e zgjedhur të keqen më të vogël. Duke e zgjedhur të keqen më të vogël ti e mirëmban të keqen. Pse të mos e zgjedhim të mirën? Prandaj, këtë shantazh të dyfishtë, Vetëvendosje e refuzon në mënyrë parimore”,
ka deklaruar Kurti para anëtarëve të Vetëvendosjes,

Kurti ka kritikuar edhe misionin e EULEX-it, duke thënë se në vend se ky mision të japë llogari për punën dhe mospunën që ka bërë në Kosovë, të njëjtit, sipas tij, flasin për themelimin e një gjykate dhe bëjnë trysni të deputetët e Kuvendit që ta votojnë formimin e asaj gjykate.

Sipas Kurtit, kjo është e qëllimshme që ky mision të mos japë llogari as në Evropë, as në Kosovë.

Ndryshe, partitë politike opozitare, pos Vetëvendosjes, janë deklaruar se do ta mbështesin në Kuvend krijimin e një gjykate speciale për hetimin e krimeve të luftës që pretendohet se janë kryer në Kosovë.

Analisti politik, Halil Matoshi, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka humbur mundësinë që të krijojë vetë një dhomë të veçantë për krime të luftës dhe tani, sipas tij, është para një akti të kryer.

“Është ditur që herë do kur do, nën presion ndërkombëtar Kosovës duhet ta ketë një mekanizëm për ndëshkimin e krimeve të supozuara nga raporti i Dick Martey. Praktikisht, vetëm sa është humbur shumë kohë dhe kemi ardhur në situatë kur presioni ka qenë shumë i fuqishëm, kështu që ky është një fakti i kryer. Dhe, është mirë që më në fund do të spastrohet tërë situata, do të spastrohet Kosova. Dhe, unë mendoj se Kosova fiton dhe nuk prishet imazhi i saj me krijimin e kësaj gjykate të veçantë”, ka vlerësuar Matoshi.

Sipas Matoshit, kundërshtimet që është duke i bërë Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me formimin e kësaj gjykate, janë fushatë elektorale për të fituar pikë politike.

“Unë e dëgjova liderin e Vetëvendosjes kur thotë se do të duhej të krijohet një tribunal për gjykimin e krimeve të luftës të Serbisë (që Serbia i ka bërë në Kosovë). Mirëpo, Serbia e ka themeluar tashmë gjykatën, e cila deri më tash i ka dënuar serbët për pjesëmarrje në luftë në Kosovës dhe krimet e tyre, përafërsisht me mbi 400 vjet burg. Ndërkaq, në Kosovë pothuajse ende askush nuk ka dalë para drejtësisë për krimet e tilla të pretenduar”, është shprehur Matoshi.

Thuhet se java e ardhshme do të jetë vendimtare sa i përket krijimit të një gjykate speciale për hetimin e krimeve të luftës që pretendohet se janë kryer në Kosovë dhe vazhdimit të mandatit të EULEX-it.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG