Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ivanov dhe Pendarovski në balotazh


Ilustrim

Ilustrim

Kandidati për president i VMRO DPMNE-së, Gjorge Ivanov dhe Stevo Pendarovski i Lidhjes social-demokrate të opozitës, kalojnë në balotazh për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, më 27 prill, por me një diferencë prej më shumë se 100 mijë vota në favor të presidentit aktual Ivanov.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për kandidatin e VMRO-së, kanë votuar rreth 445 mijë votues, kundrejt 325 mijë votave të kandidatit opozitar, Stevo Pendarovski. Iljaz Halimi, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare i opozitës ka marrë rreth 39 mijë vota kurse për kandidatin e katërt, Zoran Popovskin e Opsionit qytetar të Maqedonisë janë përcaktuar rreth 30 mijë votues.

Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 48.28 për qind e rreth 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

“Do të jem president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Do ta nxisë edhe më shumë jetën e përbashkët të të gjitha qytetarëve, pavarësisht përkatësisë entike apo fetare. Do të vazhdojmë të realizojmë objektivat që kemi para nesh. Fitorja e thellë është edhe një dëshmi se qytetarët i bësojnë konceptit tonë“, u shpreh kandidati i VMRO-së për presidenti Gjorge Ivanov.

Kryetar i kësaj partie njëherit kryeministër, Nikolla Gruevski, tha se fitorja e Ivanovit është paralajmërim edhe për fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare që mbahen që bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Ne jemi falënderues për këtë mbështetje e cila na jep një shtytje të fuqishme për zgjedhjet më 27 prill, si për presidentin ashtu edhe për 62 deputetë“, tha Gruevski.

Ai shumë herë ka deklaruar se me marrjen e gjysmës së deputetëve të Kuvendit nuk do të kushtëzohej më nga partitë shqiptare me kërkesa të cilat i ka quajtur apsurde, siç janë ajo për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë dhe ndryshimin e kushtetutes për zgjedhjen e presidentit në Kuvend.

Nga ana tjetër, kandidati i opozitës, Stevo Pendarovski, tha se beteja ende nuk ka përfunduar.

“Lufta nuk ka përfunduar, para nesh ndodhet rreth i dytë zgjedhor dhe unë nuk heq dor që deri në ditën e fundit të luftoj për konceptin dhe idetë në të cilat besoj. Edhe në kushte të tilla të presionit sistematik të pushtetit ndaj votuesve, besoj se më 27 prill do të fitojmë“, deklaroi Pendarovski.

Kryetari i kësaj partie, Zoran Zaev në paraqitjen e tij, akuzoi pushtetin për dhunë e presione ndaj votuesve, por u zotuaa se kjo nuk do të ndodhë më 27 prill.

“Do të jemi gjithandej Maqedonisë së bashku me qytetarët dhe nuk do të lejojmë që demokracia në të shkelet. Është obligimi i yni që luftojmë për të drejtën tonë, për zgjedhje të lira dhe demokratike. Vullneti i popullit duhet të respektohet dhe këtë do të bëjmë“, theksoi Zaev.

Ndërkohë, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, përkundër disfatës është shprehur i kënaqur me rezultatin zgjedhor.

Ai akuzoi para së gjithash BDI-në për frikësimin e qytetarëve shqiptar për të mos dalur në votime.

“Ne jemi në një situatë shumë të favorshme ku u tregua se PDSH-ja është një forcë shumë e madhe, një strukturë e jashtëzakonshme e fuqishme dhe unë parashoh që këto vota për dy javë do të konvertohen në 13 apo 14 deputetë“, ka deklaruar Thaçi.

Por, nga BDI-ja, e cila kishte bërë thirrje për bojkotin e zgjedhjeve për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për një presidenti konsensual, thanë se shqiptarët të dielën, “treguan pjekuri kombëtare dhe qytetare duke i thënë jo presidentit të njëanshëm dhe Po idesë se për president konsensual“.

Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani tha se qëndrimi i BDI-së, nuk do të ndryshoj as për rrethin e dytë zgjedhor, pasi sipas tij, asnjëri nga dy kandidatët që kalojnë në balotazh nuk plotësojnë kriteret e kandidatit konsensual që kërkohet nga BDI-ja.

“Qëndrim i BDI-së është se ideja për president konsensual duhet të mbetet gjallë deri në realizimin e saj. Edhe kandidatët që shkojnë në rrethin e dytë nuk janë konsensual sepse nuk e kanë verdiktin e popullit shqiptar dhe ne do të vazhdojmë me këtë ide edhe në rrethin e dytë por edhe në zgjedhjet e ardhshme deri sa presidenti i ardhshëm i Maqedonisë të jetë konsensual“, u shpreh Osmani.

Procesi i zgjedhor i së dielës është mbikëqyrur nga më shumë se 9 mijë vëzhgues vendor dhe rreth 300 të huaj. Përveç një incidenti më të madh kur në një vendvotim u sulmua një deputete e opozitës, parregullsi tjera nuk janë regjistruar, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme i ka vlerësuar si zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG