Ndërlidhjet

Washington Post: Përshkallëzimi në Ukrainë


Donetsk...

Donetsk...

Një javë më parë, militantët kanë uzurpuar ndërtesat qeveritare në tre qytete lindore të Ukrianës. Ky veprim, nga Serkretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është cilësuar si përpjekje e paligjshme e Rusisë për të krijuar krizë me operativë të paguar, shkruan gazeta Washington Post.

E njëjta kujton se Kerry ka kërcënuar se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me sanksione kundër sektorit të minierave të Rusisë, atij të energjisë dhe bankar.
Por, në ditët në vijim, administrata Obama ka dështuar të veprojë. As Grupi i Shtatë Ministrave të Financave, në takimin e së enjtes në Uashington, nuk ka arritur të dakordohet për masat.

Rrjedhimisht, sipas gazetës, asnjëra nga këto qeveri nuk duhet të befasohet nga ofensiva më e gjerë dhe më e guximshme që ka nisur të shtunën në lindje të Ukrainës.

Sipas vëzhguesve të pavarur, njerëz të maskuar kanë sulmuar ndërtesat qeveritare në së paku edhe katër qytete të tjera. Të dielën, luftimet kanë shpërthyer pasi forcat e Ukrainës kanë bërë përpjekje të rimarrin një ndërtesë në qytetin Sloviansk. Me këtë rast janë raportuar viktima nga të dyja palët.

Edhe këtë herë, zyrtarë të lartë amerikanë dhe evropianë kanë akuzuar Rusinë se qëndron prapa sulmeve, shkruan Washington Post. Samantha Power, ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, ka thënë se veprimet kanë qenë “profesionale”, “të koordinuara” dhe kanë treguar shenja të “përfshirjes së Moskës”.

or, përsëri nuk ka pasur asnjë përgjigje të prekshme të SHBA-së. Power vetëm ka thënë se do të ketë rritje të sanksioneve, nëse aksionet që janë parë gjatë ditëve të fundit, vazhdojnë.

Edhe sa veprime duhet të ndërmarrë Rusia për të provokuar një përgjigje, shtron pyetjen gazeta.

Për javë të tëra, presidenti Obama ka thënë se ndërhyrja ushtarake në lindje të Ukrainës do të nxiste sanksione nga SHBA-ja, me më shumë pasoja se masat e ndërmarra kundër një pjese të vogël të miqve të Vladimir Putinit dhe një banke, më 20 mars.

Sipas llogaritjeve të SHBA-së, kjo ndërhyrje ushtarake është duke u zhvilluar. Zyrtarët thonë se kjo i ngjan operacionit që ka çuar në aneksimin e Krimesë.
Gjakderdhja e raportuar të dielën mund të përdoret nga Kremlini si justifikim për të urdhëruar pushtimin nga dhjetëra mijëra trupa që ka vendosur pranë kufirit, shkruan gazeta.

Sipas saj, Qeveria e Ukrainës ka marrë me të drejtë qëndrimin se nuk mund të lejojë Rusinë që të marrë qytetet e saj pa u përgjigjur me luftime.

Mund të jetë shumë vonë për të parandaluar luftën në lindje të Ukrainës. Por, Shtetet e Bashkuara duhet me shpejtësi të ndërmarrin masat e premtuara nga zoti Obama dhe zoti Kerry, ose do të humbasin atë pak besueshmëri që u ka mbetur në Ukrainë.

Nëse lufta e së dielës vazhdon, SHBA po ashtu duhet të shqyrtojë kërkesën e Kievit për furnizime jovdekjeprurëse dhe armë të vogla për forcat e saj. Nëse ukrainasit janë të detyruar të luftojnë për vendin e tyre, ata duhet të ndihmohen, shkruan gazeta Washington Post.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG