Ndërlidhjet

Vëzhguesit: Zgjedhjet në Maqedoni – notë kaluese


Geert-Heinrich Ahrens
Geert-Heinrich Ahrens
OSBE-ODHIR dhe delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u kanë dhënë notë kaluese zgjedhjeve të djeshme presidenciale në Maqedoni.

Liritë themelore u respektuan, por thirrja e BDI-së për bojkot nuk i shkon demokracisë, ka deklaruar shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së, Geert-Heinrich Ahrens.

“Zhvillimi i fushatës në shoqëri të ndarë në baza etnike dhe thirrja nga njëra parti etnike shqiptare drejtuar anëtarëve të këtij komuniteti për të mos votuar, është një çështje shqetësuese. Kemi hasur raste të votimit të organizuar, si dhe disa parregullsi të vogla procedurale. Këto çështje hodhën hije mbi atë që ishte një proces kryesisht mirë i realizuar në ditën e zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahrens.

Sipas vëzhguesve të OSBE-ODHIR-it dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, retorika që është përdorur nga kandidatët për president, ka qenë kryesisht e moderuar.

Shqetësim tjetër sipas vëzhguesve ndërkombëtarë ishte mungesa e besimit që kanë qytetarët te Lista zgjedhore. Raporti më i detajuar do të publikohet pas zgjedhjeve të 27 prillit.
XS
SM
MD
LG