Ndërlidhjet

Institucionet paralele serbe nuk janë shuar


Veri...
Veri...
Pavarësisht faktit se mbajtja e zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës është paraqitur si një nga hapat kryesor të integrimit të kësaj pjese në sistemin e Kosovës, institucionet paralele serbe vazhdojnë punën, madje me intensitet edhe më të shtuar, vlerësojnë zyrtarët e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, si dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se përveç integrimit të ish-pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Policinë e Kosovës, asnjë institucione tjetër paralel nuk është shuar në veri të Kosovës.

“Të gjitha institucionet, të cilat edhe më herët kanë punuar sipas sistemit të Serbisë, momentalisht funksionojnë edhe më tepër se sa që kanë funksionuar deri më tash. Do të thotë, nuk është shuar asnjë nga këto institucione. Integrimi në sistemin e Kosovës po vijon mjaft ngadalë, përveç asaj që është bërë në fushën e policisë, që është një rrëfim tjetër. Përndryshe, sa u përket institucioneve që ofrojnë shërbime publike për qytetarët, të gjitha ato funksionojnë sipas sistemit serb”, tha Hoxhiq.

Ditë më parë edhe Naim Rashiti, hulumtues dhe analist i Grupit Ballkanik për Politika, pati theksuar për Radion Evropa e Lirë se të gjitha institucionet paralele serbe, përveç policisë, që kanë operuar deri vitin e kaluar në tërë Kosovën, operojnë edhe më tutje.

Sipas tij, akoma janë funksionale komunat paralele, administrata fiskale, posta, por edhe gjykatat, të cilat ndonëse nuk trajtojnë lëndë penale, trajtojnë lëndë civile. Siç thotë ai ende nuk ka filluar transicioni apo shuarja e tyre dhe për këtë nuk kanë plan as Prishtina e as Beogradi.

“Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë fazë, që është vonë, Prishtina dhe Beogradi të kenë një plan të detajuar të transicionit të veriut dhe të administratës serbe në atë të Kosovës. Kështu siç është, po shkakton vështirësi, në kuptimin e situatës së re në mesin e serbëve dhe vështirësi në çështjen e operimit të institucioneve të Kosovës, si dhe po e ruan ose po shkakton konfuzion në mesin e serbeve se çfarë do të ndodhë punën e tyre, pagat dhe jetën e tyre në Kosovë”, ka theksuar Rashiti.

Edhe Hoxhiq, shpreh mendimin se mungesa e një plani apo strategjie për fazën e një transicioni nga institucionet serbe në ato të Kosovës, është thelbi i gjithë situatës së krijuar në veri.

“Unë, nga pozita ime, shumë herë kam theksuar se është më se e nevojshme që të kuptohet seriozisht krijimi i strategjisë për periudhën transitore, ku saktësisht do të theksohej se çfarë do të ndërpres punën sipas njërit sistem dhe për sa kohë, si dhe si do të filloj të punoj sipas sistemit të ri. Kjo nuk është çështje e thjeshtë. Para së gjithash, personeli duhet të jetë i trajnuar dhe i aftësuar, që të mund të punoj në mënyrë adekuate, në mënyrë që tu ofroj shërbime qytetarëve në formë efikase dhe transparente”, theksoi Hoxhiq.

Në anën tjetër, Rashiti vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë një mekanizëm gjithëpërfshirës institucional, duke përfshirë të gjitha dikasteret, për t’i koordinuar veprimet në terren që ta përshpejtojë funksionalizimin e institucioneve lokale të dala nga zgjedhjet e fundit lokale, e sidomos në veri.

“Kjo nuk po ndodh dhe për këtë është kryesisht Ministria e Pushtetit Lokal përgjegjëse, me përkrahjen e zëvendës kryeministres Edita Tahiri. Por, gjithkush e ka kuptuar, madje edhe vet serbët, të cilët gradualisht po bëhen pjesë e sistemit, se nuk është qeveria e angazhuar tërësisht dhe institucionalisht, duke përfshirë Ministrinë e Financave dhe ministritë e linjave të caktuara, për të vendosur sa më shpejtë gjithë strukturën institucionale të nevojshme për pushtetin lokal”, vlerësoi Rashiti.

Ndryshe, Hoxhiq ka theksuar se për shuarjen e institucioneve paralele në komunat me shumicë serbe në Kosovë, e veçanërisht në veri të vendit, duhet definuar sidomos faktin se a e kanë pranuar vërtetë të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi, integrimin serbëve në sistemin e Kosovës dhe a e dëshirojnë një fakt të tillë.

Sipas saj, nëse ky do të ishte qëllimi i përbashkët i të dyja vendeve, atëherë për arritjen e këtij qëllimi, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise të shumta.
XS
SM
MD
LG