Ndërlidhjet

logo-print

McCain: Fjalë të ashpra, por shkopi i vogël për Rusinë

  • RFE /RL

Administrata e Shteteve të Bashkuara e ka mprehur tehin e retorikës derisa kacafytet me Rusinë për shkak të tensioneve në rritje në Ukrainë, duke u angazhuar me Kremlinin në një lloj të konfrontimit dhe luftës thumbuese me fjalë, së cilës i ishte shmangur gjatë pesë viteve të deritashme të administratës së presidentit, Barack Obama.

Nga fushata për t’i demaskuar pretendimet ruse pikë-për-pikë, e deri te lëvizjet në teh të flakës së luftës në mediat sociale, beteja mediale aktuale është në kundërshtim të ashpër me diplomacinë publike të Uashigntonit nën politikën e “ripërtëritjes” me Moskën gjatë mandatit të tij të parë.

“Sigurisht se ka ndryshim në ton, por ka edhe ndryshim të tonit edhe në anën e Rusisë, po ashtu, dhe duhen dy palë për ta luajtur këtë lojë”, i tha Radios Evropa e Lirë një ish-zyrtar amerikan, i cili ka punuar për së afërti me administratën Obama në politikën e saj të “ripërtëritjes”.

Me gjithë përkeqësimin e ashpër në lidhjet bilaterale në vitin 2013, përfshirë ato për sanksionet me Aktin Magnitsky, për luftën civile të përgjakshme në Siri, dhe vendimin e Rusisë për t’i dhënë azil ish-pjesëtarit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, këto zhvillime nuk e kishin shkaktuar një luftë informative të koordinuar dhe shumështresore të Uashingtonit, sikur kjo që po zhvillohet në përgjigje të krizës së Ukrainës.

Zyrtarët amerikanë këtë javë e vazhduan ofensivën për shkak të okupimit të ndërtesave qeveritare në pjesën lindore të Ukrainës, nga forcat e armatosura pro-ruse, por Moska refuzon se është e involvuar.

“Rusia pretendojn se situata në Ukrainë rrezikon të shndërrohet në luftë civile. Ajo që po bëhet atje nuk do ndodhte pa provokuesit rusë”, ka shkruar në rrjetin Twitter, Departamenti amerikan i shtetit.

Dy herë dy bëjnë pesë

Por, më 13 prill, Departamenti amerikan i shtetit ka publikuar deklarata të ndara duke paraqitur “dëshmi të mbështetjes ruse për destabilizimin e Ukrainës” dhe siç përshkruhen “10 pretendime të rrejshme” nga Rusia për Ukrainën.

Më 5 mars, deklarata e Departamentit amerikan të shtetit është përpjekur ta akuzoj Rusinë për përpilimin e “tregimit të falsifikuar për t’i arsyetuar aksionet e veta ilegale në Ukrainë” dhe e ka akuzuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për shpërndarje të miteve për krizën.

“Bota ende nuk ka parë fikson të tillë alarmues rus prej se Dostoyevsky ka shkruar se ‘formula dy herë dy baras me pesë’ nuk është jotërheqëse”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të shtetit.

Zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara e kanë mbështetur këtë fushatë në mesazhet e tyre individuale në Twitter, përfshirë ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power dhe Daniel Bear, i dërguari amerikan në Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(SBE).

Zoti Bear e akuzoi ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, më 14 prill për përpjekje për bashkautorësi të kërkesës së Shteteve të Bashkuara për një këshill emergjent të përhershëm të OSBE-së, për diskutimin e asaj, që ai e ka përshkruar, si “krime” të Rusisë në Ukrainë dhe rreth saj.

Në fjalimin e tij në OSBE po këtë ditë, Daniel Bear e akuzoi Rusinë për “mosrespektim” të komunitetit ndërkombëtar dhe shtetasve të Rusisë me “fushatën e vazhdueshme të gënjeshtrave”.

Por, ndryshimet e mëdha në retorikën e Uashingtonit, para se gjithash, janë nxitur nga zhvillimet e jashtëzakonshme në Ukrainë, ndërsa implikimet e kësaj situata nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara janë parë se kanë ndikime shumë më të thella dhe më të paparashikueshme se sa mospajtimet bilaterale gjatë viteve të fundit, thotë Stevan Pifer, ish-ambasador amerikan në Ukrainë.

“Kjo është se rusët po bëjnë gjëra të cilat administrata i konsideron, sipas meje në mënyrë korrekte, se janë shkelje fundamentale të rregullave të rendit pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Pifer, dhe shpjegoi se “njëra nga rregullat kryesore është: mos e përdorni forcën ushtarake për të marrrë territore të vendeve të tjera, që është saktësisht ajo që rusët kanë bërë në Krime”.

Rusia e ka mbrojtur aneksimin e Krimesë, muajin e kaluar, si shprehje e vullnetit të popullit të Krimesë, ku jeton shumicë etnike ruse, dhe e ka lidhur atë me shpalljen e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, të cilën shtetet perëndimore e kanë mbështetur, ndërsa Rusia e ka kundërshtuar.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja publikisht e kanë hedhur poshtë këtë analogji, duke e përshkruar si krahasim të rrejshëm.

Ashpërsimi i retorikës së Shteteve të Bashkuara lidhur me Ukrainën është shoqëruar me sanksione kundër disa zyrtarëve ukrainas dhe rusë dhe biznesmenëve, shumica prej të cilëve gjerësisht besohet se janë të afërt me Putinin.

Por, disa kritikë në Uashington, thonë se administrata Obama ka dështuar ta mbështesë tonin e saj të ashër.

“Heroi im Teddy Roosevelt, thoshte fol butë dhe mbaje shkopin e gjatë. Ajo që ju po bëni është se po flitni fuqishëm por me shkop shumë të shkurtër”, tha senatori republikan nga Arizona, John McCain, kritik i pamëshirshëm i Putinit, duke iu drejtuar sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në një seancë dëgjimi në Senat më 8 prill.

Më vonë zoti Kerry është përgjigjur duke iu referuar një tjetër thënieje të mençur të presidentit të 26 amerikan.

“Miku juaj, Teddy Roosvelt, po ashtu ka thënë se nderi u takon atyre njerëzve që janë në arenë dhe përpiqen t’i kryejnë gjërat”, i tha Kerry senatorit McCain gjatë këtij dëgjimi, dhe shtoi se “ne po përpiqemi të bëjmë diçka; ky ishte parim i Teddy Roosveltit, dhe unë udhëhiqem nga ky parim”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG