Ndërlidhjet

logo-print

Analistët: Epilogu i zgjedhjeve maqedonase, i pritur


Zgjedhjet në Maqedoni

Zgjedhjet në Maqedoni

Analistët politik duke komentuar dallimin prej 120 mijë votave mes dy kandidatëve të cilët shkojnë në balotazh pas dy javësh, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM, theksojnë se epilogu i zgjedhjeve presidenciale ishte i pritur.

Ata kanë parasysh disa faktorë, përfshi këtu faktin se pushteti ka në dorë të gjitha mjetet e kontrollit të elektoratit, më pas mungesën e debateve të mirëfillta nga ana e mediave të cilat kryesisht kontrollohen nga pushteti si dhe një varg parregullsish në procesin zgjedhor, të cilat në shikim të parë duken si probleme teknike, por në fakt ata ndjellin frikën për t'u shprehur lirë.

“Po ka edhe dy faktorë të tjerë të cilët janë të fshehur, të cilët do të jenë vendimtarë në përcaktimin e fituesit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale edhe atë si do të sillet ajo pjesë e elektoratit e cila është në numër të madh që jetojë në Shkup por ende figurojnë si votues në qytetet e tjera të Maqedonisë, dhe si do të votojnë shqiptarët”, thekson analisti maqedonas Zdravko Savevski.

Në këtë drejtim, Alajdin Demiri nga Tetova thotë se ftesa e partisë shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim për të bojkotuar zgjedhjet presidenciale pas refuzimit të idesë nga kjo parti për një kandidat konsensual që do të arrihej mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni, rritë dhe përgjegjësinë e kësaj partie ndaj elektoratit shqiptar.

“Natyrisht se rritet përgjegjësia dhe unë nuk e di se si do ta transmetoj këtë përgjegjësi lideri i BDI-së para elektoratit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse hyhet në një segment të bojkotit, natyrisht se ky segment është i lidhur me shumë çështje të tjera dhe assesi nuk duhet kuptuar vetëm si çështje e presidentit koncesual".

"Koncesualiteti duhet të vazhdohet drejtpërsëdrejti në formimin e qeverisë. Më pas duhet të insistohet në funksionimin e parlamentit me metoda konsensuale,etj. Të gjitha këto janë pyetje me të cilat BDI dhe Ali Ahmeti janë ngarkuar, si do të arrihet kjo situatë sepse pozicionimi i VMRO-DPMNE-së është se nuk ka koncenzus, për ta është e papranueshme një gjë e tillë”, thekson Demiri.

Sipas tij, problem në vete paraqet dhe fakti se struktura e elektoratit në Maqedoni edhe më tej voton sipas direktivave të partive politike.

“Unë kam frikë se ne këtu në Maqedoni ende nuk kemi asi strukture të elektoratit i cili nuk i dëgjon partitë politike. Elektorati këtu ende është i robëruar nga partitë politike. Unë mendoj se do të ikje të një pjese të elektoratit shqiptarë si nga ftesa që u bën BDI dhe lideri i kësaj partie Ali Ahmeti, për të bojkotuar zgjedhjet po ashtu edhe atë PDSH-së, sidoçoftë vendim të jetë, dhe ata të votojnë sipas bindjeve të tyre partiake. Çështja është sa është ai numër? Unë mendoj se ai numër nuk është i madh sa për të paraqitur befasi në ndryshimin e rezultateve”, nënvizon Demiri.

Ndërsa Zdravko Savevski, konsideron se beteja e opozitës maqedonase do të jetë e fokusuar në dy fronte, në njërën anë luftën për të shmangur deinkurajimin në vetë partinë pas këtij rezultati jo të kënaqshëm, dhe më pas lufta do të bëhet në drejtim të asaj që do të thotë “votë pro ose kundër” regjimit totalitarë në të cilin ndodhet vendi, duke krijuar simpati edhe tek elektoratit shqiptarë.

“Hapin e parë kandidati i opozitës Stevo Pendarovski tanimë e ka bërë. Ai tha qartë se lufta vazhdon pavarësisht humbjes së një beteje duke shprehur bindjen se raundi i dytë do të jetë me rezultate shumë më të mira. Tani do të varet gjithçka nga ajo sa do të arrij ai të ndërrojë mendjen e atyre të cilët ishin të papërcaktuar ose nuk dolën fare në zgjedhje por do të dalin për të votuar për zgjedhjet parlamentare, këtu rol të rëndësishëm do të luajnë votat e shqiptarëve”, thekson Saveski.

Ndryshe, raundi dytë për zgjedhjet presidenciale është caktuar më 27 prill kur dhe mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG