Ndërlidhjet

Ndërprerja e gazit rus, arsye për shqetësime në Serbi


Ilustrim
Ilustrim
Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë

Kryetari i Rusisë, Vladimir Putin, i ka paralajmëruar liderët evropianë për vështirësitë e mundshme lidhur me furnizimin e gazit rus për shkak të Ukrainës.

Putini ka theksuar se Ukraina nuk po e paguan gazin dhe mbase do të jetë e detyruar që, si masë të fundit, t’i ndërpres furnizimet.

Letrën, përmes së cilës njeriu i parë i Federatës Ruse paralajmëron vështirësitë e mundshme lidhur me furnizimin e gazit rus, për shkak të krizës në Ukrainë, i ka dorëzuar kryetarit të Serbisë, Tomoslav Nikoliq, ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Çepurin.

Në deklaratën e shërbimit për informim të kryetarit serb Nikoliq, thuhet se Serbia e ka përsëritur qëndrimin e saj se “qëndron në pozitë neutrale në raport me situatën në Ukrainë”.

Pavarësisht paralajmërime të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që gazi të mos përdoret si mjet politik, Putini në letrën e tij ndër të tjera thotë se “Borxhi i ‘Naftogas’-it të Ukrainës për furnizimet me gazin rus në vazhdimësi po rritet dhe në kushte të tilla, si dhe në përputhje me marrëveshjen, ‘Gasprom’-i është i detyruar që të kalojë në pagesë të gazit me avans, ku do të dërgohet vetëm ajo sasi e gazit për të cilën Ukraina paguan paraprakisht”.

Por, a ka arsye Serbia që të shqetësohet për këtë shkak?

Ish diplomati Predrag Simiq, profesor në Fakultetin e shkencave politike në Beograd e pohon një arsye të tillë.

“Po, ka arsye. Pas letrës së Putinit, por edhe pas komenteve të ‘Gasprom’-it që në rast të bllokimit të ‘Rrjedhjes së jugut’ ka ndërmend që gazin e tij ta drejtojë kah Azia, Kina, Indonezia dhe vendet tjera në regjion, të cilat do të ishin mjaft të interesuara për atë gaz”
, tha Simiq.

Sijka Pishtolova, redaktore e faqes ballkanike të internetit “Energy observer”, paralajmërimet e Moskës i sheh si pjesë të lojës diplomatike rreth Ukrainës.

“Çdo tregtar i mirë - dhe konsideroj që rusët janë tregtarë të mirë - i respektojnë konsumatorët e tyre. Për këto arsye, konsideroj se nuk do të ndërmerret asgjë që do t’i rrënonte marrëdhëniet e Rusisë si shitëse dhe Evropës si blerëse e gazit natyral”, thotë Pishtolova.

Njëkohësisht ajo vlerëson se edhe Evropa ka alternativë për gazin rus.

“Alternativën e ka në gazin e Azerbajxhanit, i cili do të arrijë përmes Turqisë deri në Bullgari dhe më tutje në Evropën juglindore. Alternativë paraqet edhe gazi i Katarit. Do të thoshit se Katari është larg për të arritur deri në Evropë. Por, çdo ditë nëpër det lundrojnë tankerët, për bartjen e gazit të rrjedhshëm natyror. Në Greqi ekziston terminali për gazin e rrjedhshëm natyror, ndërkaq po ndërtohet edhe një tjetër, në afërsi të Kavalës”, theksoi Pishtolova.

Megjithatë, profesori Simiq vlerëson se zgjedhja alternative me gazin e Azerbajxhanit nuk do të ishte e dobishme për Serbinë.

Kjo do ta anashkalonte Serbinë krejtësisht, si dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërkaq që për pasojë, të gjitha këto vende, përfshirë edhe Serbinë do të liheshin në mëshirën e mrekullisë së gazsjellësit të vjetër, i cili nga Rusia shkon përmes Ukrainës dhe i cili ishte mbyllur në vitin 2006 dhe 2009, ndonëse kjo ishte për pak kohë".

"Edhe atëherë Serbia e ka tejkaluar këtë situatë vetëm me ndihmën e Gjermanisë dhe vendeve tjera të Bashkit Evropian, të cilat ndihmuan me rezervat e tyre. Megjithatë, nëse në fund do të ndodhte një bllokadë, mendoj se kjo do të ishte një lajm shumë i keq për Serbinë dhe se ajo do të mund të ballafaqohej me një situatë krejtësisht të papritur, e cila do ta rrezikonte edhe më shumë ekonominë e saj, themelet e së cilës tashmë janë të trazuara”, vlerësoi Simiq.

Ndërkaq, pasojat nga skenari i mundshëm ku Rusia do t’ia ndërpriste gazin Ukrainës, Pishtolova i sheh në mënyrë pak sa më optimiste.

E dini çfarë? Ne tash nuk jemi në mes të dimrit dhe absolutisht nuk dyshoj se do të gjenden alternativat”, ka përfunduar Pishtolova.
Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG