Ndërlidhjet

Prishtina dhe Tirana zotohen për të ndjekur rrugën e paqes


Refugjatët kosovarë në Kukës, më 20 prill 1999

Refugjatët kosovarë në Kukës, më 20 prill 1999

Pesëmbëdhjetë vjet më parë shqiptarët ishin bashkuar rreth dramës së eksodit të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës, të cilët u ndoqën nga shtëpitë e tyre, kurse mbi gjysma e këtyre refugjatëve u ndalën në Kukës të Shqipërisë.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, kishin zgjedhur Kukësin për të kujtuar bashkërisht në po këtë ditë dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre.

Armand Mero, një gazetar i Zërit të Amerikës, rrëfeu para një publiku të hapur që ishte mbledhur në Kukës për të kujtuar Eksodin e vitit 1999, se çfarë mban në kujtim nga ajo kohë.

“Lumi i pandërprerë i dëshpërimit njerëzor bashkoi për ditë të tëra, kufirin e Morinit me Kukësin. Gra që mbathur kishin vetëm pantoflat e shtëpisë, fëmijët e traumatizuar me sy të fryrë nga të qarat. Të moshuar të hipur mbi karroca që zvarriteshin, ishin pamjet e zakonshme të atyre ditëve”, thotë ai.

“Jam ndalur me dhjetëra, e dhjetëra prej tyre [refugjatëve]. Shumica me fytyra të ngrira nga dhimbja, si ajo e një nëne të re të cilën nuk mund ta harroj, ndërsa e rraskapitur nga lodhja e ecjes së gjatë, nën kërcënimin e vazhdueshëm të ushtarëve serb, në dorë mbante shtrënguar një çantë sporti, ku kishte foshnjën e cila kishte dhënë shpirt rrugës”, kujton Mero.

Mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës kanë kaluar kufirin e Morinës pasi ishin dëbuar nga forcat serbe të sigurisë, vlerëson kryetari i bashkisë së Kukësit Hasan Halilaj.

Afro 60% e tyre, siç pohoi Halilaj ishin strehuar në këtë qytet.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se shqiptarët nuk nxisin urrejtje edhe pse vuajtën nga Serbia dhe aparati i saj shtetëror.

"Duke kujtuar dëbimin masiv dhe krimet e tjera të rënda të bëra ndaj popullit tonë, ne nuk duam të kultivojmë urrejtjen, por t’ia bëjmë të qartë të gjithëve të vërtetën historike. Prandaj në këtë ditë, ne ritheksojmë qartë, fort dhe me bindje të plotë, se populli ynë ka qenë në rrugën e duhur dhe të drejtë. Se lufta jonë ishte e drejtë, çlirimtare, e ndershme dhe legjitime, dhe askush nuk mund ta njollos”, tha ai.

Për ta forcuar edhe më tej këtë qëndrim, kryeministri shqiptar Edi Rama, vlerësoi se 15 vjet më vonë nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, ky komb, siç thotë ai po dëshmon se nuk mendon që përmes luftës dhe konfliktit ta çojë agjendën e vetë para.

Ai mori si shembull, takimin e dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, të cilët tejkaluan dallimet dhe të kaluarën, për të çuar dy vendet e tyre më pranë familjes evropiane.

“Jam i bindur se kjo qasje e jona, për t’u ulur me një tryezë dialogu me armiqtë e deridjeshëm, dhe për të hapur rrugën e paqes me ata të cilët deri dje, ishin sundimtar brutal në tokën e shqiptarëve. Sepse pa atë hap të jashtëzakonshëm përpara, sot ne nuk do të kishim forcën për t’u bërë të gjithë së bashku avokat të një Ballkani të ri, të një rajoni të ri, të një bashkëjetese të re. Një bashkëjetesë që ndihem posaçërisht mirë, që qeveria jonë dhe qeveria e Kosovës, po e mishërojnë si një ecje të përbashkët të ecjes përpara”, theksoi Rama.

Më 11 janar të këtij viti, dy qeveritë, të Shqipërisë dhe Kosovës, u mblodhën për të hapur një fazë të re bashkëpunimi mes tyre.

Mbledhja e sotme e qeverive të të dyja vendeve, solli në Kukës edhe përfaqësues të pushtetit lokal nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës, të cilët kërkuan më shumë kujdes dhe vëmendje nga Prishtina e Tirana për zgjidhjen e problemeve të tyre në vendet amë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG