Ndërlidhjet

Ekstradohet në Shqipëri i kërkuari për terrorizëm


Ilustrim
Ilustrim
Është arrestuar nga policia shqiptare Gert Pashja, 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohej si organizator i grupit që rekrutonte shtetas shqiptarë për të luftuar në Siri.

Ai u arrestua nga policia turke për llogari të drejtësisë shqiptare dhe u ekstradua në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ku u krye dhe ndalimi i tij nga ana e autoriteteve shqiptare.

Sipas hetimeve të Prokurorisë shqiptare, Gert Pashja, priste rekrutët shqiptarë që niseshin nga Shqipëria në Turqi, e më pas i kalonte ata në Siri.

Pak ditë më parë, Komisioni i Ligjeve i Parlamentit shqiptar ka miratuar unanimisht ndryshimet e reja në Kodin Penal, duke e cilësuar si vepër penale pjesëmarrjen në luftime në shtete të tjera.

Me këto ndryshime, Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë do t'i shtohen tri nene të veçanta mbi luftën kudër terrorizmit.

Ky projektligj etiketon si krim, rekrutimin, përgatitjen dhe pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në luftëra jashtë territorit të Shqipërisë dhe këto vepra penale dënohen nga 10-15 vjet heqje lirie.

Gjithashtu, për këtë çështje pritet të ndryshohet edhe Kodi i Procedurës Penale, me sugjerimin edhe të prokurorisë e cila kërkoi që kompetenca lëndore e hetimit dhe gjykimit të këtyre veprave të jetë e Prokurorisë dhe Gjykatës për Krimet e Rënda.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, duket se ndërlidhja mes të implikuarve në këtë dosje, dhe personave që rekrutonin, bëhej përmes rrjeteve sociale dhe telefonisë lëvizëse.

Edhe një raport i fundit i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve mbi Radikalizmin [ICSR] bën të ditur se luftëtarët e huaj, të cilët janë të angazhuar në konfliktin në Siri, po shfrytëzojnë mediat sociale për të promovuar ideologjinë e tyre.

Referuar të dhënave të këtij raporti, rekrutët nga Evropa Lindore që shkojnë në Siri, janë 6.1 për qind nga Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Serbia dhe Bullgaria.
XS
SM
MD
LG