Ndërlidhjet

OKB: Dhuna në lindje e destabilizon gjithë Ukrainën

  • RFE /RL

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen se trazirat në pjesën lindore të Ukrainës rrezikojnë që “seriozisht ta destabilizojnë gjithë vendin”.

“Situata në lindje, nëse nuk shqyrtohet në mënyrë përkatëse si çështje prioritare, rrezikon që seriozisht ta destabilizoj gjithë vendin. Ata që ushtrojnë ndikim ndaj kësaj situate duhet të ndërmarrin aksion të menjëhershëm për ta ndalur dhunën”, tha Ivan Simonoviq, ndihmës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, gjatë diskutimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportin e fundit të OKB-së për gjendjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë.

Ai ka theksuar se “armatimi i protestuesve dhe transformimi i tyre në forca gjoja paramilitare duhet të ndalet dhe se çdokush, që nxitë dhunë dhe i furnizon protestuesit me armë, do të mbahet përgjegjës për pasojat tragjike”.

Në raport hedhen poshtë pretendimet ruse se pakica e gjerë etnike ruse në rajon u ishte nënshtruar sulmeve.

Por, ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, ka vlerësuar se raporti për të drejtat e njeriut i OKB-së është “anues”.

“Për fat të keq, raporti i Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut i publikuar tash së fundi, fletë krejtësisht ndryshe. Ky dokument, për fat të keq, në karakterin e tij është anues. Ata që e kanë përpiluar raportin kanë vendosur që të mos theksojnë se autoritetet aktuale në Ukrainë janë të tilla për shkak të grusht shtetit, e jo për shkak të zgjedhjeve të civilizuara demokratike”, tha Vitaly Churkin.

Diskutimi i ambasadorit të Rusisë hasi në kundërshtim të drejtpërdrejt të ambasadorit britanik në OKB, Mark Lyall Grant:

“Ne kemi dëgjuar nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë sot tregim të ri të imagjinuar për zhvillimet në pjesën lindore të Ukrainës. Tek unë nuk ka dyshim se raportet e ardhshme të pavarura të zyrës së Komisionarit të Lartë për të drejta të njeriut do të dëshmojnë se ky rrëfim i ri do të jetë fals, ashtu sikur që tregimi rus për Krimenë është treguar në mënyrë gjithëpërfshirëse që të jetë i tillë”, tha Mark Lyall Grant.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, theksoi se sulmet kundër raportit janë sulm kundër gjithë komunitetit ndërkombëtar.

“Nëse ju nuk e pëlqeni porosinë, duket se strategjia ruse është, në mënyrë metaforike, qëllojeni lajmëtarin, me gjithë që këto sulme janë sulme në gjithë komunitetin ndërkombëtar, që ka kërkuar nga zyra e Komisariatit të Lartë për të drejtat e njeriut të paraqes raport të pavarur”, tha Samantha Power.

Kritikës së drejtëpërdrejtë ndaj komenteve të zotit Churkin, iu bashkua edhe ambasadori francez, Gerard Araud.

“Për më tepër, ne kërkojmë nga Rusia që ta shikoj spiralen e përkeqësimit, që vetëm mund të çoj në tragjedi. Duhet t’i tërheq trupat e veta nga kufiri, duhet t’i ndalë thirrjet për 'luftë civile'. Së pari, të ndalet skenari i ndezjes së zjarrit nga ana e zjarrfikësit”, tha Gerar Araud.

Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Yuriy Sergeyev, është shprehur se raporti me të drejtë konstaton se tatarët dhe ukrainasit në Krime po keqtrajtohet dhe detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Kujdes i veçantë me të drejtë u është kushtuar shkeljeve të drejtave të banorëve të gadishullit në okupimin rus. Sipas Komisionit Ndërkombëtar të të Drejtave, komunitetet më të ndjeshme konsiderohen se janë tatarët dhe ukrainasit në Krime, që ishin keqtrajtuar dhe detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre, për shkak të mungesës së ambientit të sigurt dhe shkeljes së të drejtave dhe lirive të tyre".

"Liderët tatarë konsiderojnë se kjo situatë është akti i tretë i gjenocidit kundër grupit të tyre etnik gjatë shekullit të kaluar”, tha ambasadori i Ukrainës, Yuiry Sergeyeev, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë diskutimit për raportin e fundit të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Ukrainë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG