Ndërlidhjet

Thaçi: Gjykata speciale e padrejtë, por e miratojmë


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e 23 prillit të marrë vendim për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it deri më 15 qershor të vitit 2016.

Ndërkaq, mbetet ende të aranzhohen çështjet që kanë të bëjnë me letërkëmbimin ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe Zyrës së baroneshës Catherine Ashton, për themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Kjo gjykatë, është cilësuar si një padrejtësi ndaj Kosovës nga kryeministri Hashim Thaçi. Por, njëherësh Thaçi ka thënë se Kuvendi do të votojë për themelimin e saj, në mënyrë që të vazhdohet bashkëpunimi i Kosovës me faktorin ndërkombëtar.

“Është padrejtësi ndaj përpjekjeve dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës. Por, Kuvendi i Kosovës, duke respektuar parimet dhe standardet, për çka jemi të përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, duke besuar në drejtësi dhe pafajësi të plotë, atëherë Kuvendi i Kosovës do ta votojë këtë çështje”, ka thënë Thaçi.

Ngjashëm me kryeministrin Thaçi ka folur edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Edhe ai e ka cilësuar themelimin e Gjykatës për krimet e luftës si një padrejtësi, por ka thënë se PDK-ja do të votojë në interes të vendit dhe institucioneve.

Ndërkaq, kundër themelimit të kësaj gjykate është shprehur Lëvizja Vetëvendosje. Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka thënë se institucionet po nguten me miratimin e Gjykatës, pa debatuar fillimisht rreth efekteve dhe pasojave që mund t’i krijojë ajo.

“Sikurse me marrëveshjen e 19 prillit dhe sikurse me disa ligj, edhe tash me këtë vendim, në fakt Kuvendi po ngutet në mënyrë që të miratohet një çështje e dëmshme për Kosovën, pa u folur dhe pa u debatuar për të”, ka theksuar Ymeri.

Përderisa çështja e Gjykatës speciale për krimet e luftës, sipas zyrtarëve vendas mbetet të procedohet për në Kuvend në momentin kur të sigurohen edhe dy të tretat e votave për themelimin e saj, aktualisht besohet se nuk do të ketë asnjë problem sa i përket vazhdimit të mandatit të misionit të EULEX-it.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se mandati i EULEX-it do të vazhdohet, por me ndryshime në kompetenca, të cilat do t’u transferohen institucioneve të Kosovës.

“Parashihet që të gjitha institucionet e Kosovës nga fusha e rendit dhe ligjit, të udhëhiqen nga përfaqësues vendorë. Kjo nënkupton që edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të udhëhiqet nga një prokuror vendor e po ashtu, jemi pajtuar që panelet e gjykimeve të jenë 2 me 1 në favor të gjyqtarëve vendor për të gjitha rastet që do të shqyrtohen. Gjithashtu nga data 15 prill e këtij viti nuk do të ketë raste që do t’i marrin prokurorët e EULEX-it pa udhëzim të prokurorëve vendorë”, ka deklaruar Kuçi.

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it dhe transferimi i kompetencave do të përcillet me ndryshimin e 12 ligjeve aktuale. Vendimi për mandatin e EULEX-it, në vazhdimësi është pritur të merret të njëjtën ditë me themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Andaj, mund të pritet që deri më 23 prill edhe kjo çështje të procedohet në Kuvend.
Themelimi i Gjykatës speciale për krimet e luftës ka pasuar raportin e zviceranit Dick Marti i miratuar edhe nga Këshilli i Evropës mbi dyshimet për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rastin e ashtuquajtur “shtëpia e verdhë”.

Kjo gjykatë pritet të ketë dy dhoma, një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë. Kjo e fundit pritet të merret me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur për disa raste që kanë mbetur të pazbardhura nga periudha e konfliktit të armatosur.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG