Ndërlidhjet

logo-print

Rock ‘n’ roll-i dhe Lufta e Ftohtë


Valery Saifudinov

Valery Saifudinov

Carl Schreck
Një ligjvënës që mbështet Kremlinin ka shkaktuar cunami të përçmimeve këtë javë në Rusi, duke pretenduar se himnet e yllit sovjetik të rokut, Viktor Tsoi, në kohën e Perestroikas, janë komponuar nga operativë të CIA-s, në përpjekje për të destabilizuar regjimin sovjetik.

Miq, të njohur dhe adhurues të muzikantit të ndjerë i kanë cilësuar këto pretendime si qesharake. Por, sipas dokumentarit “Të lirë për rock”, i cili shpjegon ndikimin e muzikës rock në shoqërinë sovjetike, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka qenë shumë e vetëdijshme për fuqinë që ka pasur rock ‘n’ roll-i për të irrituar rivalin e Luftës së Ftohtë.

Shtëpia e Bardhë, në fakt, ka luajtur rol në këtë strategji, kur administrata e presidentit amerikan, Jimmy Carter, ka ndihmuar në dërgimin e grupit "Nitty Gritty Dirt Band" në Bashkimin Sovjetik, më 1977, në turneun e parë të një rock-bendi amerikan në tokën sovjetike, thotë Jim Brown, producent i dokumentarit në Nju Jork.

“Carter ka qenë më i përfshirë seç mendonim. Ai ka besuar se rock ‘n’ roll-i mund të minojë sistemin”, thotë Brown.

Carter është njëri nga ish-zyrtarët dhe muzikantët e njohur, nga të dyja anët e Perdes së Hekurt, që janë intervistuar për filmin. Ata përfshijnë edhe ish-udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev, reformat e të cilit kanë bërë që skena e rock-ut të shpërthejë në fund të viteve 1980.

“Ai ka qenë adhurues i Elvis Presleyt… ai ka pëlqyer rock ‘n’ roll-in”, thotë Brown duke folur për Gorbachevin.

Kultura e rock-ut është filtruar në Bashkimin Sovjetik për dekada, deri me ardhjen në pushtet të Gorbachevit më 1985. Por, djepi i kësaj kulture është lëkundur në Riga, kryeqytetin e Letonisë së kontrolluar nga sovjetikët.

Një djalë 13-vjeç, i quajtur Valery Saifudinov, dhe bendi i tij me emrin “Hakmarrësit” kanë dalë në skenë para 700 punonjësve të fabrikës për festën e Vitit të Ri më 1962 dhe kanë elektrizuar turmën me këngët e Ray Charlesyt dhe Chuck Berryt.

Udhëheqësi i fabrikës ka qenë më së paku i entuziazmuar.

Drejtori i fabrikës donte të ndalonte rrymën. Ka qenë i zemëruar, ka kërcyer në skenë dhe ka bërtitur. Punëtorët nuk kishin dëgjuar diçka të tillë kurrë më parë. Ata e pëlqenin dhe festa ka vazhduar”, thotë Saifudinov për Radion Evropa e Lirë.

Saifudinov ka vazhduar të tundë skenën e Rigës me një tjetër bend, por ka arritur të emigrojë në fillim të viteve 1970, pas maltretimeve që i bënin autoritetet sovjetike. Ai është vendosur në Kaliforni dhe udhëheq studio të regjistrimit qysh në vitet 1980.

Rreth një dekadë më parë, Saifudinov ka nisur të vrasë mendjen për një dokumentar për rock ‘n’ roll-in dhe ndikimin e tij në të dhe në bashkatdhetarët e tij të mëparshëm sovjetikë.

“Ideja ime fillestare ka qenë një lloj dokumentari për t’iu treguar amerikanëve që kanë harruar se çfarë ndikimi të jashtëzakonshëm ka pasur rock-u në botë”, thotë Saifudinov.

Ai është bashkuar me një këngëtar tekstshkrues, të quajtur Nick Binkley, dhe ka nisur të punojë në këtë ide shtatë vjet më parë. Atyre më pas u është bashkuar edhe regjisori Brown, fitues i Çmimit Emmy. Në vitin 2011, projekti ka siguruar 550,000 dollarë nga agjencia amerikane Ndihmat Kombëtare për Njerëzit.

Një nga vështirësitë që ka hasur Brown ka qenë gjurmimi i video-pamjeve nga vitet e rock-ut nëntokësor në Bashkimin Sovjetik. Yjet e skenës kanë qenë kryesisht të panjohura, së paku zyrtarisht.

Disa pamje të rralla, megjithatë, janë mbledhur nga Joanna Stingray, një muzikante dhe producente amerikane, e cila ka udhëtuar në Bashkimin Sovjetik më 1984 dhe është strehuar në botën e rock-muzikantëve më të njohur të Leningradit.

Intrigat e KGB-së, Komitetit të Sigurimit Shtetëror, kundër rock-muzikës, kanë qenë të pafuqishme pasi Gorbachevi ka miratuar një ligj në vitin 1988, i cili u ka lejuar muzikantëve të bëjnë ligjërisht para nga arti i tyre.(v.tela)
XS
SM
MD
LG