Ndërlidhjet

logo-print
Është mbushur një vit nga arritja e Marrëveshjes së parimeve bazë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Edhe një vit pas, kjo Marrëveshje, nga Qeveria e Kosovës vazhdon të shihet si historike. Përderisa analistët politikë, ndër tjera, këtë Marrëveshje po e cilësojnë edhe si mundësi që i është dhënë Beogradit për fuqizimin e ndikimit të vet në zhvillimet e brendshme në Kosovë.

Sidoqoftë, nga Qeveria e Kosovës, Marrëveshja shihet si një e arritur në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Bekim Çollaku, këshilltar i parë i kryeministrit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dyshim që kjo marrëveshje ka vendosur parimet e para bazë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dyja shteteve. Arritja e kësaj marrëveshje, sipas tij, nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Gjatë këtij procesi, ka pasur momente shumë të vështira dhe shumë emocionuese. Mirëpo, pas shterjes së të gjitha negociatave dhe opsioneve, të dyja palët kanë arritur ta përmbyllin me sukses këtë marrëveshje. Ne jemi të bindur që kjo marrëveshje ka vendosur parimet e sigurta, të cilat mbesin parime obliguese për të dyja shtetet dhe të cilat në të ardhmen do të japin rezultatet e pritura”, deklaron Çollaku.

Ndërkohë, analisti politik, Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se pavarësisht investimeve të bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e kësaj marrëveshje, efektet e saj nuk janë ende afër realizimit.

Sipas tij, modeli i marrëveshjes është i atillë që e bën Serbinë fituese, kurse Kosovën të pranojë një marrëveshje, e cila është neutrale në raport me statusin e saj.

“Me modelin e Marrëveshjes, Serbia ka qenë përfituesja më e madhe e marrëveshjeve të arritura, kurse Kosova ka vazhduar duke neutralizuar statusin e saj të një shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Bashkimi Evropian, por edhe kryeministri Thaçi, si përgjegjës direkt për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë negociatat për të fuqizuar shtetësinë e Kosovës dhe për të lehtësuar procesin e integrimit të saj në BE”,
vlerëson Doli në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Jo vetëm efektet politike, por edhe zbatimi në praktikë i Marrëveshjes së 19 Prillit, sipas Dren Dolit, ka ngecur shumë. Kjo marrëveshje, nënvizon ai, po i shërben më shumë Serbisë për të shtrirë ndikimin e vet në Kosovë.

Përderisa nuk ka shenja, thekson Doli, që tregojnë se po arrihet një nga qëllimet kryesore të kësaj marrëveshjeje, e që ka të bëjë me integrimin e pjesës veriore.

“Serbia ka filluar tanimë edhe zyrtarisht të influencojë jetën politike të serbëve në Kosovë dhe të jetë përfaqësuesi legjitim i serbëve të Kosovës. Kjo e ka vënë në pikëpyetje modelin e shtetit multi-etnik të Kosovës dhe ka vënë në pikëpyetje modelin Ahtisaarian të integrimit të serbëve të Kosovës me vetë faktin që është lejuar që Serbia të jetë përfaqësues i interesave të serbëve të Kosovës”, vlerëson Doli.
Pamje nga takimi i 19 Prillit...

Pamje nga takimi i 19 Prillit...

​Në anën tjetër, Bekim Çollaku thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka ushqyer shumë apetite në lidhje me vullnetin e Beogradit për zbatimin e marrëveshjes.

Përderisa nuk pajtohet se me këtë Marrëveshje, Serbia po fuqizohet me ndikimin e vet në Kosovë, Çollaku thotë po ashtu, se, me gjithë ngecjet, ka rezultate të prekshme siç janë pjesëmarrja e serbëve të veriut në zgjedhjet lokale, integrimi i ish-pjesëtarëve të MUP-it serb në institucionet e Kosovës dhe zhvillime tjera.

Por, në tërësi Çollaku thotë se Beogradi duhet të bëjë më shumë për zbatimin e obligimeve të marra me marrëveshje.

“Se a është e mjaftueshëm dhe a jemi të kënaqur me suksesin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, përgjigja do të kishte qenë jo. Ne presim dhe kërkojmë që të bëhet edhe më shumë në zbatimin e saj në tërësi. E zbatimi, sidomos i pjesës që ndërlidhet me funksionimin e Gjyqësorit për ne, është esencial për t’i dhënë një përgjigje adekuate, përfundimtare çështjes së sundimit të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës”, shprehet Çollaku.

Marrëveshja e 19 Prillit, pasoi një seri negociatash ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në Bruksel të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Kjo marrëveshje përmban 14 pika. Ndër tjera, ajo parasheh edhe transformimin e strukturave ilegale të Serbisë në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve dhe vendosjen e institucioneve lokale në atë pjesë dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Nga këto provizione janë zbatuar disa pika, kurse kanë mbetur të pazbatuara çështjet që kanë të bëjnë me vendosjen e sistemit gjyqësor në veri.

Marrëveshja e 19 Prillit, nga ndërmjetësuesi, në këtë rast Bashkimi Evropian, është cilësuar si e para në kuadër të procesit të gjatë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG