Ndërlidhjet

Qentë endacakë - të rrezikuar apo rrezik për njerëzit?


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Organizatat joqeveritare q merren me mbrojtjen e kafshëve në Maqedoni, kanë ngritur zërin kundër fenomenit që gjithnjë e më shumë është i pranishëm - helmimit të qenve endacakë nëpër qytete.

Ndërkaq, klinikat infektive bëjnë të ditur se vetëm brenda muajit me dhjetëra pacientë kërkojnë ndihmë si pasojë e kafshimit nga qentë endacakë, të cilët paraqesin rrezik për jetën e njeriut, meqë shumica e tyre janë të pavaksinuar.

“Të gjithë jemi të njohur me mënyrën e pamëshirshme, me të cilën trajtohen qentë e rrugës. Për të shmangur lëvizjen e tyre në qytete të ndryshme, ata helmohen, vriten me armë zjarri ose mblidhen në objekte, të cilat nuk ofrojnë kurrfarë kushtesh, për t`u bërë më pas ushqim për kafshët e egra në kopshtin zoologjik, e që është tërësisht në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e kafshëve. Mirëpo, fatkeqësisht askush nuk ndërmerr”, deklaron Cece Nikollovska, aktiviste e organizatës joqeveritare “Heronjtë e Vegjël”, që merret me mbrojtjen e kafshëve.

Ndërkohë, nga Reparti për sëmundje infektive në Shkup, bëjnë të ditur se vetëm nga kryeqendra muajin e fundit janë paraqitur mbi dhjetë raste nga kafshimi i qenve endacakë. Raste të tilla janë regjistruar edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë.

Drejtori i Ndërmarrjes Higjienike Komunale nga Manastiri, Zoran Soklevski, në kuadër të të cilit institucion është dhe shërbimi për grumbullimin e qenve endacakë, thotë se grumbullimi i qenve në qendra përkatëse nuk është mënyra më e mirë për t’i larguar qentë nga rruga. Megjithatë, sipas tij, kjo është mënyra e vetme për momentin që qytetarët të ndihen të sigurt, veçanërisht në orët e vona të mbrëmjes.

“Shërbimi për mbledhjen e qenve të rrugës në një stacion të veçantë është suksesi më i madh në nivel të shtetit, kuptohet në këto qendra ka shumë hapësirë për përmirësimin e kushteve, por më duhet të theksoj se në asnjë mënyrë, ne nuk i asgjësojmë kafshët e mbledhura në rrugë”, thotë Soklevski.

Nga ana tjetër, veterineri Samet Abdullahu thotë se autoritetet përkatëse çështjen e qenve endacakë duhet ta trajtojnë me një seriozitet më të madh ngase qentë e rrugës në shumë raste janë edhe bartës të sëmundjeve të ndryshme. Sipas Abdullahut, në disa raste kafshimi nga qentë endacakë, mund të jetë fatal për jetën e njeriut.

“Mua më ka ndodhur që në një lagje, e cila është në brendi të Shkupit të shoh një qen të sulmuar nga qentë e tjerë dhe sërish kur kaloj në të njëjtin vend pas gjashtë orësh shoh se askush nga organet kompetente nuk është angazhuar që ta sanojë njëjtin, që të mos e bartë ndonjë sëmundje, përderisa gjaku i tij pikonte në tokë dhe ai gjak bëhet pluhur më pas dhe ne e thithim pa vetëdije atë pluhur. Kjo është mënyra si mund të barten sëmundjet nga qentë e rrugës e për çka qytetarët janë pak të informuar”, tërheq vërejtjen veterineri Abdullahu.

Sipas tij, një problem më vete paraqesin dhe ata qytetarë që i braktisin kafshët që më herët i kanë marrë për t’u kujdesur. Këto kafshë janë më agresive, sepse nuk janë mësuar të jetojnë në kushtet e rrugës.

Krahas rrezikut të kafshimit për këmbësorët, qentë endacak paraqesin rrezik edhe në komunikacion sepse janë shkaktarë të shumë aksidenteve të trafikut në në rrugët regjionale të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG