Ndërlidhjet

logo-print

Gërxhaliu: Besoj se 250 shqiptarë janë varrosur në Rashkë


Kosovo - Rudnica, Raska mass grave

Kosovo - Rudnica, Raska mass grave

Të mërkurën pritet të takohen sërish ekspertët mjeko-ligjorë të Prishtinës dhe Beogradit në Rudnicë të Rashkës, për të nisur hapjen e varrezës masive në këtë lokacion. Drejtuesi i ekipit kosovar, Arsim Gërxhaliu, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, thotë se i beson informacionit të nxjerrë nga pala serbe, se në këtë varrezë masive mund të gjenden trupat e të paktën 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, që i takojnë rajonit të Drenicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri ku kanë arritur punët në përgatitjen e terrenit në Rudnicë të Rashkës, për të filluar gërmimet?

ARSIM GËRXHALIU
Nga vizita e fundit që e patëm, rrënimi i ndërtesës ishte të them në gjysmë të punës, dhe meqenëse ishte një i ftohtë i madh, për një ditë apo dy është ndërprerë puna. Sot, ne nuk e dimë se deri ku kanë arritur përgatitjet. Por, e kemi thirrjen që me datën 23 prill, në orën 11, të gjithë aktorët që janë të përfshirë në këtë proces, duhet të takohemi në Rudnicë, dhe të shikojmë, nëse është arritur në pikën zero, apo jo.

Të mërkurën ne do ta dimë edhe procesin e mëtutjeshëm dhe do të shohim saktësisht se për sa mund t’i qasemi, apo mund t’u afrohemi mbetjeve mortore. Të mërkurën, do ta dimë saktësisht se në cilin nivel ndodhemi, do të thotë për procesin dhe kur do të fillojë puna për ndërhyrjen antropologjike mjeko-ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbetjet mortore të dy prej viktimave të gjetura në Rashkë, është konfirmuar se janë nga fshati Rrezallë e Drenicës. A dihet të paktën, gjeografikisht, se prej nga supozohet se janë viktimat e tjera që dyshohet se janë në këtë varrezë masive?

ARSIM GËRXHALIU
Medoemos gjetja e këtyre dy viktimave, e qartëson atë se edhe të tjerët që mungojnë nga ky rajon, sepse është një numër relativisht i madh, mungon nga ajo pjesë. Logjikisht, nuk e përjashtoj mundësinë që të asaj ane, medoemos duhet të jenë viktimat në Rashkë.

Siç e dini, pala serbe ka publikuar të dhëna se në këtë varrezë mund të jenë së paku 250 viktima, apo më shumë. Mund të jenë edhe nga rajone të tjera, sepse numri nuk është aq i madh i të zhdukurve nga Marina e Rrezallës.

Për sa i përket atij rajoni, edhe kur i kemi njoftuar familjarët [e dy viktimave të identifikuara], na është thënë se kanë të zhdukur edhe më tutje. Pra, besueshmëria është shumë e lartë se të atij rajoni duhet të jenë në këtë grupacion.

RADIO EVROPA E LIRË
E keni fjalën për rajonin e Drenicës?

ARSIM GËRXHALIU
Po për rajonin e Marinës, Rrezallës. Për rajonin e Drenicës.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët edhe ju, se supozimet nga Prokuroria serbe për krime të luftës, janë që mund të ketë deri në 250 trupa në Rashkë. A është për t’u besuar ky informacion?

ARSIM GËRXHALIU
Paraprakisht, këto informata kanë qarkulluar qysh moti. Këto janë përmendur edhe në vitin 2005, 2007. Pastaj edhe nga njësiti për krime lufte i Policisë së Kosovës ka pasur informacione të tilla që kanë qarkulluar si fjalë. Por, neve si ekspertë, para së gjithash, nuk na lejohet nga aspekti etik që të flasim për numra, përveç asaj që ne gjejmë, do të thotë e prekim.

Këto janë informacione të cilat kanë qarkulluar. Mirëpo, meqenëse, edhe vet zoti Odalloviq (Velko Odalloviq), i cili është kryesues i palës serbe në negociata me Kosovën, ka cekur se mund të bëhet fjalë për 250 deri në 350 persona. Duke marrë parasysh, se i takon palës tjetër, për mua është një besueshmëri se mund të jetë edhe ashtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto shifra a korrespondojnë vetëm për këtë vend ku tani po gërmoni, apo përfshihen edhe dy vendet e tjera, ku pritet të fillojnë gërmimi në Rashkë? Ku dyshohet se janë këto 250 viktima?

ARSIM GËRXHALIU
Do të thotë, në atë lokacion dhe ndoshta edhe në afërsi të atyre vendeve, të atyre lokacioneve që kemi thënë më herët, që dyshohet. Nuk e përjashtojë mundësinë, sepse edhe ato lokacione, në bazë të informacione, mund të ketë edhe trupa të tjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në takimin e fundit të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit për të pagjeturit, është përmend edhe çështja e Borit. Ka lëvizje në këtë drejtim?

ARSIM GËRXHALIU
Kanë qenë disa takime mes komisionit tonë për të pagjeturit, do të thotë kryetarit dhe dëshmitarit që ka qenë edhe në medie. Nuk kam ndonjë informatë, për ndonjë lëvizje të mëtutjeshme për çështje.

Po përderisa ne kemi një numër relativisht të madh të të zhdukurve, ajo mundësi gjithmonë është e hapur. Që do të thotë, se pos “Rashkave” në Serbi, atëherë do të ketë të njëjta në Kosovë. Thjesht ne duhet t’i gjejmë ata.
XS
SM
MD
LG