Ndërlidhjet

logo-print

Formimi i Qeverisë, shqiptarët kushtëzojnë me vota


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Kërkesa e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, drejtuar elektoratit maqedonas për dalje sa më masive në zgjedhje për të fituar 62 deputetë apo gjysmën e përbërjes parlamentare, që të mos shantazhohet nga shqiptarët, vlerësohet si qasje diktatoriale e kreut aktual të Qeverisë, por edhe si kërkesë që mund të rrisë edhe më tej tensionet ndëretnike në vend.

Alajdin Demiri, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike, thotë se pa parti shqiptare Qeveria nuk mund të formohet, ndërsa sa i përket pretendimeve të Gruevskit se shqiptarët e kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre në ekzekutiv me zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe kërkesa të tjera, ai vlerëson se nuk bëhet fjalë për kushtëzime, pasi kërkesat e tilla janë reale dhe të njohura botërisht.

“Gruevski nuk është i kushtëzuar, ai asnjëherë nuk ka qenë i kushtëzuar nga asnjë partner i koalicionit. Kërkesat shqiptare ai nuk mund t’i përjetojë si kushtëzime, s'di në cilat sferë mendon, në atë të përdorimit të gjuhës, të përdorimit të flamurit, në sferat e menaxhimit të buxhetit e kështu me radhë. Ai nuk mund të ulë pazarin nën këto nivele se askush nuk i pranon. Nuk mund që shqiptarët të hyjnë në qeveri si maqedonas, por do të hyjnë si shqiptarë. Kjo është esenca e kësaj, ai ndoshta ka ndonjë paranojë të veten se si e kupton kërkesën shqiptare apo çka nënkupton me këtë“, thotë Demiri.

Por, Sonja Stojadinoviq, ligjëruese e sistemit politik në Universitetin e Shkupit, kërkesën e tillë të Gruevskit, si dhe tjetrën të BDI-së për të fituar 25 deputetë që të realizojë të kërkesat e shqiptarëve, më tepër e sheh si retorikë për fushatë elektorale se sa kërcënim ndaj njërës apo partisë tjetër.

Megjithatë, ajo thekson se kërkesat për 62 deputetë i ngjasojnë atyre të shteteve me diktatura në rritje e sipër.

“Faktikisht, deri tani kishim një diktaturë të butë, por nëse realizohen dëshirat e VMRO DPMNE-së lidhur me numrin prej 62 deputetë, atëherë edhe juridikisht do të kemi një lloj të diktaturës“, thotë Stojadinoviq.

Ajo vlerëson se një fitore kaq e thellë nuk do të ishte mirë as për partinë që pretendon një rezultat të tillë, pasi përgjegjësitë do të ishin shumë më të mëdha.

“Sa më shumë që një parti të ketë në dorë pushtetin, aq më e madhe do të jetë përgjegjësia e saj, kështu që mendoj se çdo gabim që mund ajo të bëjë gjatë qeverisjes së saj, do t’i vishej asaj dhe askujt tjetër. Në këtë rast, ajo ka pushtetin absolut dhe nuk ka asnjë bazë për të akuzuar të tjerët“, thekson Stojadinoviq.

Edhe Alajdin Demiri e vlerëson si të dëmshëm për demokracinë pretendimin për sigurimin e më shumë se gjysmës së pushtetit legjislativ, por edhe fitoren e kandidatit të saj për president.

“Kjo rrezikon demokracinë, pa marrë parasysh se ndodh kjo. Në rastin e Maqedonisë bëhet fjalë për shtet binacional apo shumetnik, por ku do që të jetë kur një parti politike e fiton shumicën absolute, atëherë fillon anarkia ose dominimi mbi shoqërinë. Ai shtet dhe ajo shoqëri degradohet pasi nuk ka kontroll“, shprehet Demiri.

Ndryshe, që nga fillimi i fushatës elektorale, motoja kryesore e VMRO-DPMNE-së është që në zgjedhje të fitojë 62 deputetë, ndërsa e BDI-së, 25 deputetë. Dy partitë tash e pesë vjet janë në koalicion qeverisës dhe tensionet mes tyre janë ngritur jo rrallë herë për çështje që kryesisht kanë të bëjnë me raportet ndëretnike dhe çështjet e integrimit.
XS
SM
MD
LG