Ndërlidhjet

Boston: Përfundoi maratona, fitues amerikani dhe keniania


Fanelë sportive me rastin e maratonës në Boston

Fanelë sportive me rastin e maratonës në Boston

Në maratonën e Bostonit në konkurrencën e meshkujve fitues doli atleti vendës, Meb Keflezigi. Kjo është hera e parë në tri dekadat e fundit, që një amerikan e fiton këtë maratonë. Atleti Keflezigi, që është i lindur në Eritre, tash është shtetas amerikan.

Në konkurrencën e femrave, fituese doli Rita Jeptoo e Kenias.

Maratona e sotme u organizua në njëvjetorin e maratonës së kaluar, gjatë së cilit nga shpërthimi i dy bombave në vijën e finishit, u vranë tre vetë dhe u plagosën më se 260 të tjerë.

Për maratonën e sotme ishin të regjistruar afro 36 mijë atletë, që është numri i dytë më i madh në historinë e kësaj maratone.

Dy vëllëzër etnikë çeçenë janë akuzuar se i kanë aktivizuar bombat e prodhimit shtëpiak.

Njëri nga vëllezërit, Tamerlan Tsarnaev, ishte vrarë gjatë të shtënave me policinë. Vëllai i tij, Dzhokhar Tsarnaev, është arrestuar dhe pritet procesi gjyqësor kundër tij, në të cilin ai mund të dënohet me vdekje.

Para fillimit të maratonës së sotme, është mbajtur heshtje për viktimat e sulmeve të vitit 2013.

Me këtë rast është transmetuar kënga “America the Beautiful” (Amerika e Mrekullueshme).

Në Boston dhe rrethinë ishin vendosur qindra pjesëtarë të sigurisë, ndërsa helikopterët dhe qentë e specializuar për zbulimin e bombave ishin të angazhuar.
XS
SM
MD
LG