Ndërlidhjet

Interesimi i madh i të rinjve për të vizituar Panairin e punës 2014, edicioni i 11-të, i cili është hapur të martën në Prishtinë, është tregues i shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë dhe mundësive të pakta për të arritur deri te një vend pune.

Panairi i Punës 2014 organizohet nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe kompania "The HeadHunter". Në këtë panair po marrin pjesë shumë kompani të ndryshme nga sektori bankar, sektori i prodhimit, sektori i auditimit e financa, të cilat ofrojnë vende të reja të punës për studentët.

Përveç pozitave të hapura për studentët dhe punëkërkuesit e tjerë, gjatë panairit të punës po mbahen edhe punëtori, ku të rinjtë informohen për mënyrat e aplikimit për një vend pune dhe si të arrihet deri te punësimi.

Anita Ahmeti nga Oda ekonomike Amerikane në Kosovë tregon për Radion Evropa e Lirë se interesimi i të rinjve është shumë i madh.

Ajo thotë se nuk kanë numër të saktë të të rinjve, të cilët mund të kenë arritur të punësohen përmes këtij panairi, që organizohet çdo vit, por konsideron se ky panair është një mundësi e mirë për t'u punësuar.

“Statistika të sakta nuk kemi, por nga përgjigjet që i kemi marrë nga kompanitë, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse vitet e kaluara, tregojnë se ka sukses të madh. Ka kompani të njëjta që vazhdojnë të marrin pjesë në këtë panair dhe kjo tregon se ka rezultate pozitive. Edhe vetë motoja e panairit është suksesi nis duke provuar”, thotë Ahmeti.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare në 15 vjetët e fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është rreth 350 mijë, ndërsa të punësuar llogariten të jenë mbi 400 mijë qytetarë.

Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, shkalla e papunësisë në Kosovë është 39 - 41 për qind.

Merita Sallahu nga Ferizaj është studente e vitit të dytë në një kolegj privat. Ajo studion biznes dhe menaxhment. Sallahu ka vizituar panairin e punës dhe mendon se është një mundësi e mirë, së paku, siç shprehet ajo, për të punuar si praktikante në ndonjërën kompani.

“Nuk kemi bërë asnjëherë punë praktike vetëm teori kemi mësuar në studime. Mendoj se ky panair së paku do të na mundësojë një punë praktike, pasi që mendoj se për këtë jemi të përgatitur”, shprehet Merita.

Përfaqësues të kompanive, të cilat janë pjesëmarrëse në këtë panair dhe kanë hapur vende të reja të punës, thonë të mos jenë shumë të kënaqur me prezantimin që po e bëjnë të rinjtë në momentin kur po iu drejtohen atyre për të marrë informacion rreth punësimit.

Petrit Bejdoni është menaxher marketingu në kompaninë ASHA, e cila merret me dizajn, produksion, printim dhe reklamim.

Bejdoni tregon për Radion Evropa e Lirë se të rinjtë, të cilët kanë qenë të interesuar që të marrin informacion rreth punësimit në këtë kompani, kanë qenë pak të përgatitur për një vend pune.

Sipas tij, disa të rinj kanë plotësuar aplikacionin për vende të punës dhe të gjitha aplikacionet do të shqyrtohen nga stafi i kompanisë.

“Ata kanë lënë CV-të, ne do t’i marrim, do t’i kontrollojmë, në momentin që mendojmë se një CV i përshtatet departamentit tonë, atëherë ne do t’i kontaktojmë ata dhe në këtë mënyrë do të bëhet seleksionimi i parë i njerëzve potencial për të kryer praktikë apo për të qenë punëtor. Ne kemi një rast të një punëtore këtu, e cila ka hyrë si praktikante nëpërmjet këtij panairi dhe tani është punëtore me pagë të plotë”, tregon Bejdoni.

Kompania 'Meridian Express' është rrjet i dyqaneve me pakicë, që në këtë panair ofron tri vende të reja të punës. Tefik Agushi, menaxher i burimeve njerëzore në këtë kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se interesimi i të rinjve për këto tri vende të punës është mjaft i madh.

Megjithatë, sipas tij, të rinjtë në Kosovë nuk janë shumë të përgatitur për tregun e punës.

“Çka kërkohet më shumë nga të rinjtë është të jenë më të përkushtuar në kërkim të punës, të mësohen ta promovojnë veten, të përgatisin CV të denjë për një vend pune. Ajo që unë po vlerësoj është që studentët duhet të angazhohen më shumë për punë provuese, të kenë eksperienca të ndryshme pasi që tregu i punës përveç teorisë kërkon më shumë praktikë”, vlerëson Agushi.

Bazuar në shkallën e papunësisë, Kosova ka nivelin më të lartë në rajon, me rreth 40 për qind, Maqedonia me rreth 33 për qind, Bosnja e Hercegovina me 24 për qind, Serbia me 17,4 për qind, si dhe Mali i Zi me 11 për qind.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG