Ndërlidhjet

Kuvendi miraton themelimin e Gjykatës Speciale


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës dhe ka vendosur t’i vazhdojë mandatin misionit të EULEX-it edhe për dy vjet të tjera.

Vendimi është marrë me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime përmes miratimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë fjalimit të tij para Kuvendit, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për themelimin e Gjykatës për krime lufte është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që i bëhet Kosovës.

Sidoqoftë, Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij të shprehur këto ditët e fundit, se pavarësisht kësaj padrejtësie, siç po e quan ai, institucionet e Kosovës duhet të themelojnë këtë gjykatë.

“Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar një Gjykatë Speciale, që do të trajtojë ndonjë akuzë të mundshme, e cila do të mund të rezultojë nga hetimet e Task Forcës Speciale Hetuese e themeluar nga Bashkimit Evropian, për të adresuar pretendimet e dala nga Raporti i Dick Martyt, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare”, është shprehur Thaçi.

Në vazhdim, kryeministri i Kosovës ka thënë, po ashtu, se UÇK-ja, pjesëtarët e së cilës mund të jenë objekti kryesor i ndjekjes nga kjo gjykatë, ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare.

“Pikërisht për këtë shkak Kosova u ndihmua nga aleatët ndërkombëtarë dhe e fitoi luftën çlirimtare”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka theksuar se kjo gjykatë po themelohet si pasojë e raportit të Dick Martyt të miratuar nga Këshilli i Evropës mbi supozimet e ngritura për trafik organesh në rastin e njohur si “shtëpia e verdhë”.

Mirëpo, pavarësisht se sërish e ka quajtur të padrejtë, Thaçi ka thënë se Kuvendi duhet të themelojë këtë gjykatë, ngase në të kundërtën vendimin për themelimin e saj do të merrte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

“Kemi vetëm një opsion dhe ai është që të bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe ta formojmë këtë Gjykatë Speciale, e cila do të jetë nën juridiksionin e Kosovës, dhe një seli do ta ketë në Kosovë dhe një tjetër jashtë Kosovës, ku do të zhvillohen procedura të ndjeshme që ndërlidhën me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur”, ka theksuar Thaçi.

Gjatë prezantimit të pozicioneve të tyre, partitë e koalicionit qeverisës, PDK, AKR dhe partitë e pakicave, si dhe dy parti opozitare, LDK dhe AAK e kanë mbështetur themelimin e gjykatës për krimet e luftës.

Ndërkaq, kundër saj është pozicionuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se Kuvendi nuk do të duhej të miratonte themelimin e kësaj Gjykate, dhe u shprehur i bindur se as Këshilli i Sigurimit nuk do ta themelonte atë.

“Unë nuk jam fare i bindur që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mund ta merrte këtë çështje duke formuar tribunal për Kosovën. Shpeshherë më duket se një pretendim i tillë është më shumë një shantazh në mënyrë që Kosova vullnetarisht ta pranojq njq gjykatë të veçantë, sesa që realisht një gjë e tillë do të mund të ndodhte".

"Dihet që tribunalet ndërkombëtare krijohen për katër lloje të krimeve; krimet e gjenocidit, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e agresionit. Nuk ka tribunave ndërkombëtare as për trafikim të organeve e madje as për terrorizëm”
, është shprehur Kurti.

Në këtë seancë, Partia Demokratike e Kosovës doli edhe me propozimin që Kuvendi të marrë vendim për themelimin e një fondi përmes së cilit Qeveria e Kosovës me buxhetin e shtetit t’i mbulonte të gjitha shpenzimet e pjesëtarëve të UÇK-së gjatë proceseve gjyqësore që do të ngrihen ndaj tyre nga gjykata e veçantë.

Gjithashtu, me procedura të shpejtuara Kuvendi miratoi edhe ndryshimet e nevojshme ligjore për marrjen e disa përgjegjësive nga misioni i EULEX-it, i cili gjatë mandatit të ardhshëm do të ketë më pak kompetenca.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG