Ndërlidhjet

Ambasada amerikane: Gjykata, thelbësore për të hequr akuzat


Ilustrim
Ilustrim
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, e ka cilësuar votimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte dhe zgjatjen e mandatit të misionit evropian për sundimin e ligjit, si hap të rëndësishëm për të zgjidhur pohimet e ngritura në Raportin e vitit 2010 të Këshillit të Evropës.

"Kjo gjykatë është thelbësore për të hequr akuzat nga të pafajshmit, për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, dhe për të zgjidhur përfundimisht këto pohime shqetësuese".

"Ne vlerësojmë vendimin e atyre deputetëve të cilët vërtetuan përkushtimin e tyre për themelimin e një gjykate sipas ligjit të Kosovës dhe e cila do të përqëndrohet strikt në individët dhe në veprimet individuale", thuhet në deklaratën e dërguar me shkrim të ambasadës amerikane.

"Votimi i sotëm shtron rrugën për një proces, të cilin bashkësia ndërkombëtare do ta shohë si kredibil, dhe që do të ndihmojë në mbylljen e këtij kapitulli të vështirë të historisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën gjersa Kosova vazhdon të ec para me këtë detyrë thelbësore”, thuhet në deklaratë.
XS
SM
MD
LG