Ndërlidhjet

Minus plus, tre libra të lexuar në vit


Ilustrim
Ilustrim
Në Ditën botërore të Librit, janë organizuar një sërë aktivitetesh për të ngritur vetëdijen e qytetarëve në lidhje me rëndësinë e lexueshmërisë, thonë përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje.

Zana Hoxha Krasniqi, nga Organizata "Art polis" që merret me shënimin e ditës botërore të librit në Kosovë, tash e tre vjet, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një rol të padiskutueshëm në rënien e lexueshmërisë së librit ka luajtur edhe interneti.

"Gjatë hulumtimit që kemi bërë për lexueshmërinë e librit, mendoj se zhvillimi i mediave sociale dhe teknologjisë, kanë bërë libri të mos jetë shprehi e zakonshme e njerëzve dhe është zëvendësuar me teknologji. Kjo vërehet te moshat e reja".


"Ne e kemi zhvilluar këtë aktivitet me qëllim që njerëzit të vetëdijesohen dhe të kenë qasje në libra dhe të kthejnë shprehinë e të lexuarit, pasi që dihet se leximi është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të karakterit tonë. Ne kemi filluar me aktivitete nga fëmijët deri te të moshuarit, ku do të lexohet në shtëpinë e pleqve në Prishtinë", ka thënë Hoxha-Krasniqi.

Ndërkaq, Magbulja nga libraria "Dukagjini" ka thënë se libri në vendin tonë lexohet, pavarësisht, siç thotë ajo, çmimit të lartë që ai e ka.

"Në librarinë tonë lexohet mjaft libri. Lexohet nga moshat e ndryshme, nuk ka moshë të caktuar, por të rinjtë dallohen për nga lexueshmëria. Kryesisht lexohen librat best-seller, edhe në gjuhën angleze, edhe në gjuhën shqipe".

"Libri është pak i shtrenjtë, por mendoj se lexohet, me gjithë çmimin e lartë. Librat sillen nga 4 euro deri në 15 euro, ata që futen në më të lexuarit. Kompletet e librave për shembull, janë më të shtrenjtë. Kompleti i Ismail Kadaresë kushton 240 euro. Pastaj librat e mjekësisë, si atllase, janë të shtrenjta deri në 150 euro", ka treguar ajo.

Edhe vetë të rinjtë flasin për atë se sa ata lexojnë. Brikena Muçolli, e cila studion në fakultetin e Arteve, dega e Dramaturgjisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se tashmë leximi i ka kaluar në shprehi.

"Unë lexoj, sepse edhe më imponohet si studente e dramaturgjisë, dhe tash mendoj se ka kaluar edhe në shprehi leximi. Libri mendoj se për studentë është i shtrenjtë, por nëse je e interesuar për të lezuar, atëherë është edhe biblioteka ku mund t'i gjesh librat, t'i huazosh dhe t'i lexosh", është shprehur Brikena.

Në Ditën botërore të Librit edhe Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim në mënyrë vullnetare ka organizuar një aktivitet me moton “Sill një libër që ke lexuar dhe merr një që të pëlqen”.

Ndryshe, sipas një sondazhi të realizuar nga Kolegji “Pjetër Budi”, e që publikohet me rastin e 23 Prillit - Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të së drejtës autoriale, 58 për qind e të anketuarve lexojnë më shumë se tre libra gjatë një viti, ndërkaq 42 për qind më pak se tre libra.

Ideja e shënimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalunisë, ku atij që blinte një libër, i dhurohej edhe një trëndafil. Ndërsa, 23 Prilli është shpallur si Ditë Botërore e Librit që nga viti 1995.
XS
SM
MD
LG