Ndërlidhjet

Numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuar të enjten, është mbi 700 mijë persona. Në kuadër të kësaj shifre, janë futur edhe fëmijët e lindur jashtë vendit.

Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.

Raporti i titulluar "Migrimi kosovar”, është përgatitur për herë të parë dhe paraqet të dhëna për migrimin ndërkombëtar dhe atë kombëtar. Ky raport përmban aspektin demografik dhe atë socio-ekonomik të migrimit.

Raporti nga pjesëmarrësit në konferencë është vlerësuar i rëndësishëm, pasi që, siç thuhet, në aspektin ekonomik, këto të dhëna janë një bazë e mirë për të ditur rrjedhën e investimeve nga diaspora, si dhe remitencat.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të bërë në vitin 2011, popullsia rezidente në Kosovë është 1,780,021.

Në raport me popullsinë rezidente, komuna e Suharekës ka përqindjen më të lartë të popullsisë që ka shkuar jashtë vendit dhe atë me 47 për qind, që i bie që çdo i dyti banor i kësaj komune ka migruar.

Për komunat, të cilat ballafaqohen më së shumti me emigrim, sipas kryeshefit ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, ky raport do t’iu mundësojë atyre që të planifikojnë një të ardhmen me kushte më të favorshme për qytetarët e tyre.

“Sipas vlerësimit të Agjencisë së Statistikave, bazuar në shumë burime të të dhënave numri i të emigruarve nga Kosova nga viti 1969 – 2011 ishte 550 mijë banorë. Sipas variantit të mesëm të parashikimit të popullsisë, numri i fëmijëve të lindur jashtë Kosovës po në këtë periudhë ishte 153, 978. Në bazë të dy të dhënave të fundit, numri i popullsisë së Kosovës, të emigruar dhe asaj me prejardhje nga Kosova gjatë periudhës 1969 – 2011 është vlerësuar të jetë 703.978 banorë”, tregon Krasniqi.

Emigrimi më i madh jashtë Kosovës sipas raportit ka ndodhur gjatë viteve 1998 -1999, gjatë luftës në Kosovë.

Arsyet kryesore të emigrimit konsiderohet të jenë ato ekonomike dhe sociale, të cilat u takojnë të gjitha periudhave dhe arsyet politike, të cilat i takojnë periudhave para vitit 1999.

Përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Jorge Bace Voghan thekson se kushtet jo të mira ekonomike kanë ndikuar që kosovarët të largohen jashtë vendit.

“Faktori kryesor nxitës, me sa kuptoj unë, gjithmonë ndërlidhet me punën e parave. Njerëzit kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit dhe kur e shohim nivelin e papunësisë në Kosovë, atëherë kjo patjetër lidhet me punën e migrimit, këtu ngrihet alarmi, si arsye kryesore për largim nga Kosova, do të thotë është situata ekonomike”, shton Bace Voghan.

Ndryshe, në dy vjetët e fundit numri i kosovarëve që migronin drejt vendeve të perëndimit për të kërkuar azil, vlerësohet se është rritur ndjeshëm. Institucionet qeveritare po bëjnë fushatë vetëdijesimi për të parandaluar migrimin e qytetarëve të Kosovës.

Ekspertë të integrimeve evropiane dhe të çështjeve ekonomike vazhdimisht theksojnë se masa kryesore për parandalimin e këtij fenomeni është zhvillimi ekonomik i vendit dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Në anën tjetër, shefi i Divizionit të Popullsisë në ASK, Avni Kastrati, vlerëson se nxjerrja e të dhënave reprezentative për migrimin, paraqet një ndër sfidat për shumë shtete, për faktin se lëvizshmëria e njerëzve sot është shumë më e madhe se në të kaluarën.

“Të gjithë e dimë që sfidë për shumë shtete jo vetëm për Kosovën është nxjerra e të dhënave për migrimin, kjo për arsye se të gjithë ata që lëvizin, pa marrë parasysh brenda në shtet apo jashtë shtetit, nuk i përcjellin rregullat që janë të lajmërimit apo të ç’lajmërimit”, shton Kastrati.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG