Ndërlidhjet

Rusia “synon të nisë” Luftën e Tretë Botërore


Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka akuzuar Moskën se kërkon të nisë Luftën e Tretë Botërore me veprimet e saj “agresive” në Ukrainë.

Duke folur në një takim të kabinetit, ai ka thënë se Rusia synon të pushtojë Ukrainën “ushtarakisht dhe politikisht” dhe “të ndezë” luftë atje, që do të çojë në konflikt ushtarak në Evropë”.

Ai po ashtu ka thënë se mbështetja e Moskës për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës “përbën krim ndërkombëtar” dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të bashkohet kundër agresionit rus”.

Komentet e Yatsenyukut vijnë derisa ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Mykhailo Koval, ka thënë se monovrat e trupave ruse kanë ardhur një kilometër brenda kufirit të Ukrainës.

Koval ka thënë se forcat e armatosura të Ukrainës qëndrojnë në gatishmëri “për të zmbrapsur çdo agresion”.

Vendet perëndimore kanë fajësuar Rusinë për vendosjen e rreth 40,000 trupave përgjatë kufirit me Ukrainën.

Rusia thotë se është duke bërë stërvitje ushtarake në përgjigje të një operacioni “antiterrorist” që ka ndërmarrë Kievi për të larguar kryengritësit pro-rusë, të cilët kanë pushtuar ndërtesat qeveritare në disa qytete në lindje të Ukrainës.

Serhiy Pashynsky, ndihmës i lartë i ushtruesit të detyrës së presidentit, Oleksandr Turchynov, është cituar nga agjencia Interfax të ketë thënë se çdo ndërhyrje e forcave ruse në kufi do të konsiderohet si pushtim dhe se sulmuesit do të vriten.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka zhvilluar një luftë fjalësh me Perëndimin, ka akuzuar Uashingtonin se ka shtrembëruar një marrëveshje ndërkombëtare për Ukrainën, duke paraqitur kërkesa shtesë për Moskën.

Ai ka thënë se Rusia mbetet e angazhuar për të ndihmuar në shtensionimin e konfliktit.

Marrëveshja, e arritur javën e kaluar në Gjenevë, kërkon që grupet e armatosura ilegale të shpërbëhen dhe të gjitha ndërtesat e pushtuara të zbrazen.

Por, Lavrov ka thënë se Shtetet e Bashkuara po bëjnë kërkesa të njëanshme dhe se ato “kanë aftësi të shkëlqyeshme për t’i bërë gjërat me kokën e tyre”.

Ai po ashtu ka thënë se Qeveria pro-perëndimore në Kiev do të prballet me drejtësinë për operacionin e saj të sigurisë në lindje të Ukrainës, duke e përshkruar atë si “krim të përgjakshëm”.

Duke folur të premten në Korenë e Jugut, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Rusia nuk ka përmbushur kushtet e Marrëveshjes së Gjenevës, derisa Ukraina ka bërë një gjë të tillë.

“Ajo çfarë kemi parë që nga arritja e Marrëveshjes së Gjenevës, është Qeveria e Ukrainës duke përmbushur kushtet e saj: ajo ka prezantuar legjislacionin që siguron amnisti për ata që do të dorëzojnë armët dhe dalin nga ndërtesat e pushtuara qeveritare; ajo po ashtu ka shtyrë përpara një proces për reformën kushtetuese që siguron të drejta për të gjithë ukrainasit”, ka thënë Obama.

Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar “dritarja e mundësive” për Rusinë, që të ndryshojë drejtimin e saj në Ukrainë, është duke u mbyllur.

Kerry ka akuzuar Kremlinin se përpiqet të minojë proceset demokratike në Ukrainë dhe ka thënë se pasojat mund të jenë të rënda dhe të shtrenjta për Rusinë.

Marrëveshja e Gjenevës, e cila ka për qëllim të qetësojë krizën në Ukrainë, është arritur më 17 prill nga ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, por, deri më tash, janë ndërmarrë pak masa për zbatimin e saj.(v.tela)
XS
SM
MD
LG