Ndërlidhjet

Maqedoni: Atmosferë e tensionuar parazgjedhore


Partitë politike në Maqedoni në prag të heshtjes zgjedhore e cila fillon sonte në mesnatë, para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale si dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për të dielën, sot mbajnë mitingjet e fundit para elektoratit për t'i bindur t'u besojnë votën me projektet dhe zgjidhjet që ofrojnë për çështje që tangojnë interesat e tyre.

Partia shqiptare në pushtet BDI tubimin final do ta mbajë në Çair të Shkupit, ndërsa PDSH në opozitë, takimin përmbyllës me qytetarët do ta mbajë në Tetovë.

VMRO - DPMNE dhe Koalicioni "Për Maqedoni më të mirë" do të mbajë tubim në Veles.

LSDM do të mbajë në Gjevgjeli dhe në Strumicë, prej ku dhe është kryetari i opozitës maqedonase.

Partitë politike shqiptare para elektoratit më shumë janë fokusuar në atë se cila parti do të jetë pjesë e koalicionit qeveritarë pas përfundimit të zgjedhjeve sesa në ofertat si e shohin zgjidhjen e çështjeve të hapura me interes për shqiptarët e Maqedonisë.

“Po t’ju pyesin si mund të hyjë Menduh Thaçi në Qeveri, o se kam gajlen e atyre, sa për ata si bëj hesap, vet, tek deputet do hyjë në qeveri dhe s’mund të bëjnë gjë ata”, është shprehur lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaçi.

Opozita shqiptare në takimin me qytetarët ka theksuar se pas hyrjes në qeveri do të angazhohet për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e shtetit si dhe përfaqësimin e shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore përmes një marrëveshjeje të re politike e cila synohet të arrihet mes maqedonasve dhe shqiptarëve në kuadër të qeverisë së re.

“Anëtarët tonë gjatë tërë kohës janë frikësuar dhe kushtëzohen në më shumë raste nga funksionarë të partisë politike në pushtet përmes formave të ndryshme, sepse ata e dinë se s'kanë bërë asgjë për ta dhe vetëm përmes frikës dëshirojnë të sigurojnë votat”, është shprehur Bekim Fazliu.

Por partia shqiptare ne pushtet BDI, paralajmërimet e kreut të PDSH-së se do të hyjë në Qeveri pavarësisht si do të votojnë qytetarët shqiptarë i ka cilësuar si trik, përmes së cilit synohet motivimi i anëtarësisë në mungesë të ofertës dhe platformës parazgjedhore.

“Ajo se si ne e perceptojmë pushtetin është kontrata që do të nënshkruajë populli ditën e zgjedhjeve me një subjekt politik për të bërë avokatin e atij populli gjatë mandatit që do t'i besohet gjatë katër viteve të ardhshme", ka deklaruar për zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Ndërsa dy partitë më të mëdha maqedonase, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe VMRO-DPMNE fushatën kryesisht e kanë fokusuar në akuzat për përfshirjen në aferat korruptive.

“Maqedonia është dukë u ngufatur në mungesën e lirisë, mungesën e demokracisë, e dini në moment që ne prezantojmë dëshmi konkrete për përfshirjen e numrit një të qeverisë në një aferë korruptive siç është marrja e parave në dorë prej një milion e gjysmë euro, askush nuk flet, kjo dëshmon qartë se institucionet janë partizuar në skajshmëri”, thekson Stevo Pendarovski, kandidat për president të shtetit nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.

Ai thekson se gjatë tërë fushat opozita është përballur me shantazhe të ndryshme nga pushteti njëkohësisht nuk ka pasur një prezantim të barabartë në mediat e vendit.

Me këtë qëndrim nuk pajtohet partia maqedonase ne pushtet VMRO-DMNE, e cila thekson se opozita në mungesë të projekteve konkrete për të ofruar para qytetarëve gjatë tërë fushatës kryekëput është fokusuar në shpifje dhe trillime duke i hapur kështu rrugë mundësisë që të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve.

“Në mungesë të ofertave dhe projekteve gjatë tërë fushatës kemi ndjekur vetëm akuza de gënjeshtra nga një varg personash të lidhur në disa forma me çështje kriminogjene. Për këtë do të marrin dënimin nga qytetarët se ata e dinë kush është i ndershëm, kush punon me përkushtim, e kush me gënjeshtra e falsifikime orvatet ta marrë pushtetin”, është shprehur Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE, duke nënvizuar se opozita në këtë formë tenton t'i hapë rrugë mundësisë për mosnjohjen e rezultateve zgjedhore.

Ndërkaq përfaqësuesit e komunitet ndërkombëtar druajnë se atmosfera e tensionuar e cila ka mbretëruar gjatë tërë kohës sa ka zgjatur fushata zgjedhore, mund të reflektohet gjatë ditës së zgjedhjeve, andaj të gjitha palët e përfshira në këtë proces zgjedhor i kanë ftuar për të demonstruar qetësi dhe maturi ditën e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG