Ndërlidhjet

Supozime apo të dhëna të sakta të migrimit?


Ilustrim
Ilustrim
Numri prej mbi 700 mijë qytetarëve të Kosovës, të cilët thuhet jetojnë jashtë vendit, i publikuar për herë të parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka ngritur dilema të shumta.

Vlerësimet e njohësve të regjistrimit të popullsisë konsiderojnë se ky numër nuk mund të jetë i saktë - ata mendojnë se është shumë më i lartë.

Sipas vlerësimit të Agjencisë së Statistikave, bazuar në shumë burime të të dhënave, numri i të emigruarve nga Kosova nga viti 1969 – 2011 ishte 550 mijë banorë.

Sipas variantit të mesëm të parashikimit të popullsisë, numri i fëmijëve të lindur jashtë Kosovës po në këtë periudhë ishte 153, 978.

Në bazë të dy të dhënave të fundit, numri i popullsisë së Kosovës, të emigruar dhe asaj me prejardhje nga Kosova gjatë periudhës 1969 – 2011, është vlerësuar të jetë 703.978 banorë.

Deri te këto të dhëna, zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës thonë të kenë ardhur nga procesi i regjistrimit të popullsisë i bërë në vitin 2011.

Shefi i Divizionit të Popullsisë në ASK, Avni Kastrati, për Radion Evropa e Lirë jep më shumë hollësi deri tek ardhja e kësaj të dhëne, e cila po kontestohet:

“Gjatë regjistrimit të popullsisë, është aplikuar një formular shtesë, ku janë pyetur familjet për numrin e anëtarëve të tyre të afërt që janë jashtë Kosovës dhe nga të dhënat që i kemi marrë nga terreni, janë 380 mijë banorë kosovarë që kanë lindur në Kosovë, por që kanë shkuar jashtë vendit”.

“Në kuadër të kësaj kemi shtuar edhe një numër që nuk kanë pasur të afërt këtu në Kosovë, pasi që kanë emigruar familje e tëra dhe kemi bërë një kalkulim të numrit të përafërt të atyre që kanë shkuar dhe nuk kanë mundur të japin të dhëna, njëkohësisht edhe minoritete të ndryshme dhe ka dalë që numri total është 550 mijë banorë që kanë lindur në Kosovë dhe kanë dalë jashtë vendit”.


Kastrati shton se numrit prej 550 mijë banorësh i kanë shtuar një shifër të supozuar prej rreth 150 mijë të fëmijëve të lindur jashtë vendit dhe si përfundim kanë ardhur në atë se numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët gjenden jashtë vendit, është mbi 700 mijë.

Të gjitha këto të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për ish- ministren e Shërbimeve Publike, Meliahte Tërmkolli, vlerësohen të pabaza dhe joprofesionale.

“Ky është një blof i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për faktin se kanë bërë gabime të shumta gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Dihet shumë mirë që në atë proces është dashur të regjistrohen edhe qytetarët tanë që janë jashtë dhe në atë proces këta nuk e kanë kryer këtë detyrë dhe tani dalin me këto të dhëna për të mbuluar një mangësi të madhe, të cilën e kanë shkaktuar gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë dhe për të krijuar një përshtypje sikur kanë bërë diçka në atë proces”, konsideron Tërmkolli.

Të dhënat e bëra në këtë mënyrë joprofesionale, shton Tërmkoli, nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si mekanizmi i vetëm institucional që merret me grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare statistikore, është një dëm i madh që po i bëhet vendit.

“Dëmet janë të mëdha, dëmet do të jenë të mëdha edhe nga të dhënat që kanë dalin nga regjistrimi i popullsisë pasi që nuk po përkojnë me të vërtetën”, thotë Tërmkolli.

Ndërkohë edhe Ministria e Diasporës ende nuk ka të dhëna rreth numrit të saktë të qytetarëve të Kosovës që gjenden jashtë vendit.

Sa i përket të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës zyrtarë të kësaj ministrie nuk dëshirojnë t’i komentojnë, megjithatë ata thonë se në fund të vitit do t’i kenë të dhënat preliminare.

Lorik Pustina, drejtor i Departamentit për komunikim publik në Ministrinë e Diasporës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se nga janari i këtij viti kanë filluar të bëjnë regjistrimin e qytetarëve të Kosovës, të cilët gjenden jashtë vendit dhe se pjesëmarrja në regjistrim është e lartë.

“Deri më tani procesi është duke shkuar shumë mirë. Kemi një përgjigje masive të pjesëtarëve të diasporës, të cilët po regjistrohen në këtë proces dhe me shifrën preliminare do të dalim diku rreth fundit të vit. Tani fatkeqësisht nuk mund të japim një shifër ekzakte se sa pjesëtarë të qytetarëve të Kosovës jetojnë në vendet perëndimore, por kjo do të bëhet publike sapo të kemi të dhënat
”, bën të ditur Pustina.
XS
SM
MD
LG