Ndërlidhjet

Gashi: Kosova nuk ka projekte për investitorët e jashtëm


Naim Gashi

Naim Gashi

Partitë politike në Kosovë e kanë vënë si prioritet zhvillimin ekonomik, në kuadër të premtimeve që po ndodhin në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të paralajmëruara për sivjet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naim Gashi, profesor i Makroekonomisë në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Universitetin e Mitrovicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, kohëve të fundit kemi premtime të ndryshme sa i përket përmirësimit të ambientit të sektorit privat. Sa ka kapacitete financiare dhe njerëzore për realizimin e tyre?
NAIM GASHI
Është pozitiv fakti që të gjitha partitë politike në Kosovë e kanë vendosur ekonominë si prioritetin numër një nacional, me të cilën pajtohem plotësisht dhe ky është përparim në këtë drejtim, sepse në fushatat e tjera zgjedhore kanë dominuar tema patriotike, si bashkimi i Mitrovicës, shpallja e pavarësisë së Kosovës, njohja etj.

Ndërsa, tani të gjitha partitë politike e kanë kuptuar se interesi kryesor i qytetarëve të Kosovës është ekonomia dhe zhvillimi, dhe të gjitha ato e kanë vendosur në vend të parë, si prioritet.

Sa ka kapacitete Kosova? Unë mendoj se Kosova ka kapacitete të mëdha, qofshin ato natyrore, humane, ne kemi një territor të vendit që shtrihet në një gjerësi të madhe gjeografike. Kemi basenin e Kosovës, në të cilin kemi pasuri shumë të mëdha të thëngjillit, të linjitit, mandej kemi miniera dhe minerale, kemi një tokë shumë të mirë bujqësore, kemi kapacitete turistike.

Do të thotë kemi një fuqi punëtore relativisht të profesionalizuar, kemi fuqi punëtore me kapacitete të mëdha, për arsye se shumica e popullatës janë të rinj, dhe në këtë drejtim unë mendoj se ka potenciale shumë të mëdha. Mirëpo, do të varet nga klasa politike dhe nga shoqëria, në përgjithësi, se sa do të arrijmë që t’i aktivizojmë këto resurse në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Krerët e institucioneve tashmë kanë deklaruar se do t’i “riatdhesojnë” mbi një miliard euro mjete financiare të Trustit Pensional dhe të Fondit Privatizimit, për themelimin e një fondi zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim. Si do të ndikojë kjo në zhvillimin ekonomik?

NAIM GASHI

Mendoj se për kthimin e mjeteve në Kosovë ekzistojnë mundësi të mëdha, pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën tani ekziston edhe mundësia ligjore që mjetet e kosovarëve të deponuara jashtë vendit, të kthehen në atdhe.

Këtu duhet të bëhet kthimi i mjeteve që janë grumbulluar nga procesi i privatizimit, por jo edhe kthimi i mjeteve të grumbulluara nga Trusti i kursimeve pensionale, për arsye se ai është një fond relativisht i ndjeshëm dhe ka refleksione shumë të mëdha shoqërore, politike, por edhe kundërshti të tjera.

Sa i përket resurseve financiare, unë mendoj se ato ekzistojnë - jo vetëm resurset e brendshme, siç janë fondet e privatizimit, ato të Trustit të kursimeve pensionale, depozitat e qytetarëve, mirëpo mundësi të mëdha financimi ekzistojnë, por kryesisht varet se sa shteti, bizneset dhe qytetarët janë të gatshëm që të prodhojnë projekte serioze, të cilat mund t’i inkurajojnë investitorët për të investuar.

Tani Kosova është pjesë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, por edhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare, të cilat japin kredi shumë të buta për vendet anëtare dhe vendet në zhvillim, siç është rasti i Kosovës, mirëpo kushti elementar për të përfituar, për t’i marrë këto mjete, është që të kemi projekte serioze, të cilat dëshmojnë një kthim prapa të atyre mjeteve. Do të thotë nëse ne jemi të gatshëm që të krijojmë projekte shumë serioze profitabile me një garanci të kthimit të investimeve, atëherë mundësia për të gjetur mjete financiare është shumë e madhe.

Fatkeqësisht, as Qeveria, as bizneset dhe as qytetarët nuk janë në nivelin e dëshiruar të detyrës për të hartuar projekte serioze për investitorët e jashtëm. Ne vetëm nga IBRD-ja kemi projekte dhe fonde, të cilat presin për muaj ndoshta edhe vite me radhë për t’u kapitalizuar në Kosovë, mirëpo në mungesë të projekteve investive, ato mjete ende nuk janë alokuar.

Këtu nuk duhet përjashtuar edhe sektorin privat, për arsye se me anëtarësimin e Kosovës në këto organizata, edhe entitetet private, ato publike, po edhe ato shtetërore kanë mundësi aplikimi në këto fonde dhe në këto kredi, mirëpo varet kryekëput nga projektet sa janë bindëse për investitorët.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht premtimeve të ndryshme, kohëve të fundit, sipas disa statistikave të organizatave joqeveritare, thuhet se ekonomia joligjore “gëlltit” një buxhet vjetor. Sa keni parë përkushtim të autoriteteve kompetente karshi kësaj dukurie?
NAIM GASHI
Mendoj se është bërë një përparim sa i përket luftimit të ekonomisë joformale, sidomos në veriun e Kosovës, mirëpo jo mjaftueshëm për arsye se ne të gjithë jemi dëshmitarë se ekonomia joformale në Kosovë lulëzon sidomos në kontrabandimin në kufi dhe sektorin e ndërtimtarisë, por edhe në disa sektorë tjerë profitabil. Për këtë arsye unë mendoj se ka nevojë për një gatishmëri dhe një luftë më të madhe kundër ekonomisë joformale.

Kjo luftë duhet të jetë gjithëpërfshirëse duke përfshirë autoritetet e Doganave të Kosovës, Administratës Tatimore, gjykatat, policinë, shërbimin informativ të Kosovës, të gjitha institucionet që merren me rendin dhe ligjin duhet të vihen në funksion të luftimit të ekonomisë joformale, sepse vetëm në këtë mënyrë ne sjellim më shumë të hyra për arkën e shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, sipas ligjeve në fuqi, në Kosovë auditohen vetëm kompanitë e mëdha. A mendoni se një procesi të tillë duhet t’i nënshtrohen edhe bizneset e mesme dhe ato vogla, pasi përbëjnë përqindjen më të madhe të bizneseve?

NAIM GASHI

Kosova ka probleme me auditimin dhe prokurimin, si dy kategori ekonomike brenda një shoqërie. Këtu kemi pasur vërejtje nga ana e Komisionit Evropian, ku Raportet e progresit gjithmonë kërkojnë përmirësimin e procedurave të prokurimit dhe të auditimit të institucioneve publike në Kosovë.

Duke iu përgjigjur pyetjes suaj, mendoj se procesi i auditimit është një proces shumë dobiprurës sepse përmes tij krijohet një ekonomi fer. Nëse ne kemi një proces të auditimit, jo vetëm për ndërmarrjet e mëdha, por edhe për ato të vogla, edhe të mesme, atëherë ne tregojmë se financat e atyre kompanive janë të menaxhuara konfrom ligjit.

Në të kundërtën, nëse ato nuk janë të menaxhuara konform ligjit, atëherë ne kemi ekonomi joformale. Auditimi është një proces i dobishëm jo vetëm për shtetin, përmes ngritje së taksave dhe tatimeve, mirëpo është i dobishëm edhe për vetë kompanitë për arsye se ka kompani të ndryshme, qoftë private qoftë publike, në Kosovë, të cilat në mënyrë vullnetare kërkojnë auditime të jashtme, sepse dëshirojnë të jenë kredibile në raport me partnerët dhe me furnitorët e jashtëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Sipas jush, cilat janë përfitimet ose humbjet në aspektin ekonomik nga zbatimi eventual i kësaj marrëveshjeje?

NAIM GASHI

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është lajmi më i mirë që do të mund t’i vinte ekonomisë së Kosovës dhe vetë shtetit, në përgjithësi, për arsye se në momentin që e nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, do të thotë që ne i kemi plotësuar kriteret elementare të funksionimit të një shoqërie demokratike dhe të një ekonomie të tregut. Në fakt, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila ndodhet në prag të nënshkrimit, është sinjali më i mirë që Kosova do t’u dërgonte investitorëve të jashtëm se ne jemi një shoqëri dhe një ekonomi, e cila i plotëson kriteret bazike evropiane sa i përket funksionimit të ekonomisë së tregut.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka efektet e veta edhe financiare edhe politike, sepse krahas reformimit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik, i ka edhe projektet e veta zhvillimore nëpërmjet të cilave i ndihmohet një shoqërie, në rastin konkret Kosovës, për të përmirësuar ata sektorë ku çalon më shumë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG