Ndërlidhjet

Senatorët – presion për sanksione kundër Gazpromit


Autorë: Luke Johnson dhe Carl Schreck, Radio Evropa e Lirë, Uashington

Derisa administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, po përgatitet për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, ligjvënës të lartë të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë, që ta marrë në shënjestër kompaninë gjigante të gazit, Gazprom, që është pronë shtetërore dhe margaritari kryesor i ekonomisë ruse.

Ata e kanë shtuar presionin ndaj administratës që të imponojë sanksione kundër Gazpromit, lidhur me rolin e Moskës në krizën e Ukrainës, lëvizje e cila do të mund të shkaktonte dhembje ekonomike, edhe jashtë kufijve të Rusisë.

Senatorët amerikanë, Carl Levin, John McCain dhe Bob Corker, i kanë mbështetur sanksionet kundër Gazpromit, në bazë të një urdhri ekzekutiv, me të cilin presidentit amerikan, Barack Obama, i lejohet t’i ndëshkoj sektorët e gjerë të ekonomisë së Rusisë, pasi Kremlini e ankesoi Krimenë e Ukrainës, muajin e kaluar.

“Autoriteti ekzistues është i mjaftueshëm për të ndërmarrë sanksione shumë të fuqishme kundër bankave ruse, që kanë xhirollogari korresponduese në Shtetet e Bashkuara”, tha senatori Carl Levin, demokrat nga Miçigeni, duke folur para gazetarëve në Kiev të Ukrainës, dhe ka shtuar se “ky autoritet ekziston dhe ai duhet të përdoret, përfshirë Gazpromin”.

Këto komente u bënë pasi në fillim të kësaj jave, senatori republikan nga shteti Tenesi, Bob Corker, deklaroi se “do të vazhdoj të kërkoj nga administrata Obama për të bërë presion ndaj Rusisë në mënyrë shumë më të fortë”, përfshirë ndërmarrjen e sanksioneve kundër Gazpromit.

Një zëdhënës i senatorit republikan nga Arizona, John McCain, i tha Radio Evropa e Lirë se ai, po ashtu, i mbështet sanksionet kundër gjigantit rus të gazit, që është kompania më e madhe botërore e gazit dhe motori kryesor i ekonomisë ruse.

Për shkak të spektrit të ngrirë të xhirollogarive të jashtme lidhur me konfliktin në Ukrainë, dega e kreditimit e Gazpromit, Gazprombank, i ka lëvizur afro 7 miliardë dollarë në Bankën Qendrore të Rusisë, në muajin mars, ka raportuar agjencia Reuters këtë javë.

Shefat ekzekutivë të bankës, që është banka e tretë më e madhe e Rusisë, po përgatiten për sanksione potenciale nga Shtetet e Bashkuara, ka raportuar agjencia Bloomberg.

Administrata Obama – që tashmë ka imponuar sanksione kundër zyrtarëve të lartë rusë, biznesmenëve të afërt me presidentin Putin dhe ndaj një banke ruse – ka premtuar edhe më tepër sanksione, nëse Moska ndërmerr inkursione të mëtejshme në pjesën lindore të Ukrainës, ose e ushqen në ndonjë mënyrë tjetër kryengritjen në këtë vend.

Por, zyrtarë të administratës, gjithashtu, kanë thënë se po përgatisin masa potenciale ndëshkuese në atë mënyrë që ato ta minimizojnë ndikimin ekonomik ndaj bizneseve amerikane dhe të aleatëve në gjithë botën, përfshirë vendet evropiane, që shumë varen nga gazi i Rusisë.

Obama dhe liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, janë pajtuar për “koordinimin e hapave shtesë për imponim të çmimit” ndaj Rusisë për shkak të aksioneve të saj në krizën e Ukrainës, ka thënë Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet një deklarate.

Gjatë qëndrimit të tij në Tokio të Japonisë, këtë javë, presidenti Obama tha se sanksionet e reja kundër Rusisë po “përgatiten”.

Reperkusionet globale

Ekspertët e sektorit të energjisë thonë se ndikimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Gazpromit, do të varen nga struktura e tyre dhe sa larg Uashingtoni është i përgatitur për të shkuar në ndëshkimin e gjigantit të energjisë. Rrjedhimisht, sa shumë dhembje ekonomike Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë të gatshme t’i durojnë.

“Nëse SHBA do të zbatoj presion në kompanitë evropiane, që Gazpromi bënë biznes me to dhe thonë se “ne po imponojmë kufizime në lëvizje të caktuara tregtare, pasi atje mund të jetë lidhja me Gazpromin, kjo mund të ketë ndikim të thellë”, thotë eksperti Edgar van der Meer, analist i lartë në kompaninë e inteligjencës së energjisë NRG Expert me seli në Londër.

Në komentet e tij këtë javë, senatori Carl Levin, ka pranuar se sanksionet kundër sektorit të energjisë së Rusisë mund t’i dëmtojnë konsumatorët dhe bizneset në perëndim.

“Por, të gjithë ne duhet të vendosim: a do të paguajmë çmim të lartë për energji, ose të shohim se lufta ka çmim shumë më të lartë”, tha Levin, ka raportuar gazeta Kyiv Post.

Një kompani amerikane, e cila mund të goditet nësse Uashingtoni imponon sanksione kundër Gazpromit, është Ketchum, një kompani globale për marrëdhënie me publikun, që lobon për qeverinë ruse dhe Gazpromin në Shtetet e Bashkuara.

Nga mesi i vitit 2006 e deri në mes të vitit 2012, kjo kompani ka marrë 17 milionë dollarë për punën e saj të lobimit për Gazpromin, sipas organizatës mediale amerikane ProPublica, që e ka studiuar Aktin e Regjistrimit të Agjentit të Jashtëm të Kompanisë Ketchum. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG